Politikë dhe krim
“Mos më pyesni për milionin e parë të dollarëve se si e kam bërë, pa të tjerat ua tregoj qindarkë më qindarkë”, - ka thënë një nga miliarderët e botës, tek përpiqej të rrëfente suksesin e tij ndër vite. Kështu, në këtë shembull të keq mundohen pafund njerëz me dhe pa pushtet të sillen që nesër të jenë ata që prodhojnë e konsumojnë pushtetin që buron më së shumti nga politika.
Kam shkruar kohë më parë një artikull që u përcoll me zhurmë e nerva në Partinë Socialiste, sepse fliste për disa lidhje të Daut Kadriovskit, të arrestuarit për trafik ndërkombëtar droge e dënuar me 12 vjet burg në Itali, me politikanë të majtë. Gjithashtu, në shtyp gjithnjë mandate të tjera makina e Kuvendit dikur me targa 6888 E, sipas një dosje të stërmadhe të çështjes “Bare” në Prokurorinë për Krime të Rënda, rezultonte se kishte qenë në shërbim taksi të të superkërkuarit të organizatës kriminale, Alfred Shkurtit. Po për këtë ngjarje investigimi i hetuesve fliste për një arratisje të “Bares” me ndihmë të imunitetit në një nga sallat ku po zhvillohej kongresi i Partisë Socialiste vetëm pak vite më parë. Nuk po kthehem aspak në arkivat e vitit të zi ’97, ku bandat ishin në tribunë bashkë me liderë që më pas u ulën në ndenjëset e Kuvendit, pasi ditë më parë kishin shkrehur armët së bashku. Shpresuam se ishin lënë larg, shumë larg ngjarje të tilla që ndikonin në politikëbërjen e këtij vendi që po aplikon për çudira ditë pas dite.
Po dje, Partia Demokratike ka publikuar të dhëna që burojnë nga institucione zyrtare, ku shkëmbimi i mallrave, një kuti nëpërmjet postës dërgohej nga djali i deputetes socialiste, Arta Dade, në adresë të Orik Shytit, të akuzuar prej më tepër se 10 vitesh si kreu i organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, në dëm të së cilës rëndojnë akuza të tmerrshme kriminale. Përgjimet telefonike të krimit të organizuar kanë shtuar lidhjet e fijet mes politikës së majtë dhe këtyre dy grupimeve kriminale, më të rrezikshmit në Shqipëri që nga vitet ’90, duke shënuar jo vetëm viktima, vrasje, pengje, rrëmbime, por duke formuar në mënyrë vërtet të frikshme një oligarki financiare që tani kërkon të vërë veton në veprime politike e të pushtetit. Nuk është aspak rastësi që denoncimet publike të Kryeministrit Sali Berisha se një grup shumë i vogël njerëzish që janë rrethuar ngjitur me kreun e Partisë Socialiste, përfaqësojnë një grup financiar që ka probleme aspak të vogla me drejtësinë. Janë vetëm tetë apo nëntë njerëz, shumica ndërtues të njohur, pjesë edhe e grupit parlamentar opozitar, që ia kanë dalë çuditërisht frikshëm të grumbullojnë 750 milionë euro në shumë pak kohë, duke përdorur pushtetin në mënyrë tejet abuzuese dhe arrogante. Nuk është rastësi, as ngjarje periferike ajo që Këshilli i Evropës miraton një rezolutë ku i kërkon opozitës, i kërkon Edi Ramës të lërë rrugën dhe të kthejë përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend, duke mos u dhënë pushtet atyre që kanë telashe drejtësie e që përpiqen të realizojnë një marrëveshje qetësie përpara se të hyjnë në Parlament, aty ku imuniteti nuk duhet të jetë mburojë. E besoj se politika ka mëkate nga më të ndryshmet, por ato që shfaqen te ne, janë të një modeli aspak krahasues me vende të tjera, për aq informacion sa teknologjia ka bërë publik. Janë 140 deputetë në Parlamentin shqiptar, por 64 prej tyre qëndrojnë jashtë, sepse kryetari i tyre dëshiron të jetë aty ku qytetarët i kanë thënë jo, kërkon të jetë më pahir Kryeministër, të jetë ashtu dhunshëm, siç bëri me kryetarllëkun socialist. Sikleti më i ri politik mendoj se e dimë, por shumë pak e lakojnë është dhe ligji antimafia, që i duhen vetëm pak orë të hyjë në fuqi e veprimi shndërron disa afri politike në afri kriminale. Berisha në vullnetin e tij të pandryshuar qëkur ka qenë pjesë e politikës nuk ka sjellë aspak dyshim se do të sillet ndonjëherë ndryshe ndaj krimit, qoftë dhe i veshur me pushtet politik. Kjo e ka bërë atë që të jetë shpeshherë konfliktual me grupe të caktuara që më shumë ankohen politikisht, ndërsa problemin që kanë, e kanë juridikisht dhe me pastërtinë e së shkuarës, që e kanë të pamundur ta blejnë me çdo lloj çmimi. Nuk janë të paktë politikanët që kërkojnë qetësi me ofertën e tyre se po dhunohen të drejtat. Unë nuk kam dosje as të dhëna që vërtetojnë pastërti figurash për telashet me drejtësinë të shumë deputetëve të majtë e të djathtë që të përmend emra me radhë, pavarësisht mërzisë së shkaktuar. Por ka prej tyre në Parlament dhe jashtë tij, pa e peshuar se në cilën anë të sallës ulen, se në cilin krah mbështetës gjenden që nëse të pamandatuar e pambështetur dalin jashtë vendit mund të bien në pranga dhe shndërrohen në të ndaluar, të burgosur. Ke ende në këtë pak politikë shumë që janë peng i marrëveshjeve për të marrë pushtet e për të larë borxhe dhe mbeten përdorues të dhunshëm të së drejtës së të tjerëve, duke sjellë shembuj që janë veshje kriminale. Qartësia e Berishës në përpjekjen për të mos toleruar krim dhe politikë nuk duhet marrë aspak si tentativë ndryshe, sepse po u merret segmenteve dhe episodeve që kanë dëshmuar lidhje të dukshme me krimin e organizuar, qelizë e mafias. Sepse nuk është ndryshe mafia vetëm përdorja e dhunshme e pushtetit politik për të pastruar krimin, e duhet të ndajnë mendjen të rastësishmit në politikë që të marrin “taksi” për të ikur nga ky mjedis që mban peng miliona të drejtash qytetarësh. Ka shumë pak politikë e shumë krim dhe nuk duhet përzier. Sa për qind janë në të majtë, sa në të djathtë, sa individë në PD e sa në PS, sa në parti të tjera, kjo është një inventar i ligjit dhe nuk është pjesë e hamendësimeve. Mirë do të ishte që media të jetë e zonja t’i shpëtojë përfshirjes dhe përdorjes, sepse në këtë formë, me sa më pak krim e shumë politikë, cilësisht ajo mbijeton në misionin e saj fisnik të fjalës që të bën të ditur atë që ndodh ashtu si ndodh.
Nëse Berisha gjendet në krye të mazhorancës, ai sërish përballet me fatin ashtu si përsëritshëm, që të ndajë krimin nga politika pa dështuar, fatmirësisht këtë provë kreu i shumicës e ka si kryetar i një qeverie që bën pjesë në NATO e që pret të anëtarësohet shpejt në BE.