E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekremi

Si është Shqipëria ?
Kështu ?
Vend ku gënjeshtra besohet më lehtë se e vërteta. Ku meritokracia është një gjellë që nuk është gatuar kurrë. Korrupsioni dhe informaliteti bëjnë kërrdinë. Cubat bëjnë biznesin. Intrigantët politikën. Burokratët pushtetin. Të pa talentuarit artin. Libra nuk lexohen. Kultura është nxirë. Kurrkush nuk kujtohet për vlerat. Të rinjtë s'lidhin dot dy fjalë. Prindërit s'edukojnë fëmijët. Njerëzit janë aq fukarenj sa po therin njëri - tjetrin me sëpata dhe hanxharë.
Apo kështu ?
Vend ku e vërteta triumfon. Që, edhepse me vështirësi, meritokracia funksionon. Korrupsion dhe informalitet ka, por janë lubrifikantë të ekonomisë. Biznesin e bëjnë të shëndetshmit. Politikën qëndrestarët. Pushtetin besnikët. Artin kush mundet. Librave ka nisur t'u shkundet pluhuri. Kultura po rimëkëmbet. Patriotizmin po e kalitim në Internet Të rinjtë po kulturohen duke mësuar Italisht dhe Anglisht nga televizori përmes intrigave sentimentale të telenovelave. Prindërit po edukojnë fëmijëve. Njerëzit po punojnë e udhëtojnë, po vishen e po mbathen, po hanë e po zhdëpen si derra nëpër restoranta. Edhe po vriten nga pak, por për "motive të dobëta", si xhelozia, se tranzicioni shoqërohet edhe me vështirësi anësore, si krimi në familje për shembull.
Këto janë klishe' propagandistike të ndyra tepër larg së vërtetës që vihen dhe mbahen në qarkullim nga shpirttharët e shitur. Shqipëria nuk është as kështu e as ashtu. Madje Shqipëria nuk është as ndonjë kombinim mes të dyjave, por krejt tjetër gjë.
Ashtu si mbi fytyrë të rruzullit ekzistojnë vullkanet, të cilët hera - herës shpërthejnë për të na sjellë përmes llavës së nxehtë habere lidhur me ç'bëhet brenda zemrës së zjarrtë të planetit, po ashtu edhe mbi fytyrë të shqiptarisë dalin hera - herës individë të jashtëzakonshëm të cilët na sjellin prova të pa dyshimta mbi hovet dhe shpërthimet në abiset e thella të shpirtit të shqiptarisë, vibrimet e kockës së fortë, rrjedhjet e vrullëshme të lëngut të palcës së butë së atij shpirti të hatashëm.
Një nga këta individë të rrallë është Ekremi !
Si është Shqipëria mund ta dëshmojë vetëm ai konglomerat persekutimi gjakatar komunist, vuajtjesh të pafundme dhe pune të pa lodhur, me emrin Ekrem !
Qelqi është i fortë por i thyeshëm. Çeliku është i pa thyeshëm, por jo i fortë sa qelqi. Floriri është i pa ndryshkshëm, por i butë. Për të bërë ndërtime apo makina sa më jetëgjata, e mira do ishte të ekzistonte një material që të ishte edhe i fortë si qelqi, edhe i pa thyeshëm si çeliku, edhe i pa ndryshkshëm si floriri. Material të tillë për fat të keq nuk ka. Por, për fat të mirë, ka njeri të tillë.
I pa thyeshëm si çeliku, i fort si qelqi, i pa ndryshkshëm si floriri, është Ekremi !
Ekremi, ky shqiptar të cilin jeta e tij plot rrebeshe vuajtjesh dhe sakrificash nuk e ligu e nuk e ndali dot kurrë, është përgjigja e të gjitha pyetjeve, dyshimeve, dilemave, që gërryejnë kahmot shqiptarinë; Pse shqiptarët zgjedhin krerë të gabuar ?! Pse ata më të shumtat e energjive i shpenzojnë duke u kacafytur mes vedi ?!
Si ka mundësi që, me gjithë këto që po na shohin sytë, Shqipja nuk ka vdekur por është ruajtur, Shqipëria ende nuk është shojtur por ekziston, komunizmi gjakatar edhe iku edhe qëndron ?!
Është Ismail Kadarea gjeni' në të shkruar, por veç të shkruarës zor se di të bëjë ndonjë gjë tjetër, ta zemë biznes. Ose, kush më mirë e kush më keq, bëjnë politikë edhe Sali Berisha, edhe Edi Rama, edhe Ilir Meta. Por vështirë të thuhet se në moshat dhe kohët respektive ndonjërit prej tyre mund t'i ketë vajtur mëndja të bëjë si bëri Ekremi i cili kur sapo Shqipëria kishte nisur të shndërrohej në një hiçnajë larë në gjak, u arratis kur ishte 19 vjeç, nëpër natë, me nënën në shpinë, dhe vëllezërit për dore. Dhe shembuj të tjerë ka pafund.
Ekremi nuk bëri çerekun apo gjysmën, por të tërë udhën e jetës. Me të tëra tmerret dhe vuajtjet, humbjet dhe sukseset, persekutimin dhe lavdinë, nga Shqipëria në Amerikë, nga Amerika në Shqipëri, dhe kryq e tërthor botës.
Prandaj Ekremi i ka të pafundme ato që shqiptarët i kanë të pakicë; Urtësinë, Durimin, Vullnetin, Dhimshurinë, Mëshirën, Dashurinë.
Por sidomos Dashurinë për Shqipërinë. Ekremi erdhi nga Amerika e largët për të marrë ca zaje lumi nga vendlindja, për tu kërrusur ndër vite mbi ta duke i larë me lot malli.
Dhe sidomos - sidomos Shpresën. Shpresën pra, atë që kur shqiptarëve u ishte shojtur, apo e kishin edhe të vogël, po deshe edhe të madhe, Ekremi e kishte të pafundme.
Por jeta e Ekremit përmban edhe një të fortë fare pa të cilën Ekremi s'do ishte Ekrem por Edison.
Ekremi, pasi u arratis, u përgatit për të ardhur diversant ! E stërviti në Gjermani Adnan Ypi. Pavarësisht se fati nuk desh që ajo inicitivë të përfundonte si duhej sepse i tradhëtoi rusi, Ekremi dhe Adnani e bënë mirë punën e vet.
A janë diversantat heronjtë dhe dëshmorët e vërtetë të Shqipërisë ? Të rrallë janë shqiptarët e sotëm që kësaj pyetje i përgjigjen - Po ! Shumica mrrylen, disa ngrenë supet, të tjerët heshtin, duke provuar në këtë mënyrë një nga hatatë më të përbindëshme që rëndon mbi 'ta, fajësinë kolektive. Le të mërrylet, le t'i ngrerë supet, le të heshti kush të dojë. Iniciativa për tu kthyer në vendin e tij diversant, pra kryevepra e jetës së Ekremit, është jashtë çdo dyshimi akti më i lartë patriotik dhe historik që një shqiptar ka bërë. Pak e dinë, por e vërteta është se një diversant i varur në mes të qytetit të Lushnjes, martiri i quajtur Hamit Matjani, është sigurisht i pari dëshmor i NATO-s ! Për kujtesë atyre që harrojnë, NATO është ajo që bombardoi Serbinë dhe çliroi Kosovën !
S'mund të ishte as mund të jetë ndryshe Ekremi. Ky njeri i jashtëzakonshëm me zotësi universale, sa i aftë të qeveriste Mc'Donalds-a qyshkur qe fëmijë dhe kulloste shqerra, po aq dhe i zoti që të kulloste shqerra kur qeveriste Mc'Donalds-a. Për më tepër me një nënë Zonjë, po aq inteligjente dhe diplomate sa lidhte ilakara në fshat sikur fshati të ishte e gjithë bota, sa dhe e zonja kur më vonë kombinoi fejesa në pesë kontinente me aq lehtësi sikur bota të ishte sa Radanji.
Sot Ekremi ka ndërtuar një kantinë vere jo larg Tiranës.
Ku i ka vajtur mendja gjeniut të vuajtjeve dhe simboleve !
Unë që Ekremin nuk e kam parë kurrë, vajta në kantinë. Më shpuri një skraparlli. Në majë të një kodre, krejt Bota dhe Jeta ! Të gjitha ishin aty ! Nga toka, mbjellja, mbirja, pritja, vaditja, korrja, vjelja, selektimi, coptimi, shtypja, lëngëzimi, futja nëpër shishe, etiketimi, vjetërimi, dhe në fund - pirja dhe dehja ! Thonë se Ekremi, coptimin, shtrydhjen, grirjen, ngjeshjen, lëngëzimin, etiketimin, flakjen e bërsive për t'i ngrënë qëntë, i ka bërë për tu kujtuar komunistave që do pijnë verën e tij krimet në formën e një hakmarrjeje simbolike. Por unë s'e besoj. Unë them se qëllimi i Ekremit me atë kantinë është që komunistat t'i dehi paraprakisht, në mënyrë që, në skëterrën që i pret, të mos venë të mrrylët, por si e kanë zakon; Me barkun plot, me kokën bosh, me ballin lart, me buz' në gaz.
Dashuria e Ekremit për Shqipërinë nuk është si çdo dashuri që me kalimin e kohës vetëm venitet, vetëm fiket, por një dashuri që vetëm ndizet dhe vetëm ndritet.
Thonë se gjatë përmbytjes së fundit digat nuk u shembën sepse i bëri të forta diktatori ! Gënjeshtra për nostalgjikë, rrena për budallenj sylesha ! Po të mos ia kishin nxirë jetën duke e detyruar të ikte, ç'do bënte vigan Ekremi dhe të ngjajshmit e tij ? Do rrinin duarlidhur ? Jo, do punonin dhe do ndërtonin. Jo vetëm diga, por edhe autostrada, edhe tunela, edhe grataçilela, edhe të gjitha, si gjithë bota.
Për t'iu kthyer pyetjes së kreut; T'i futesh e ta gjesh tani se pse e si e qysh e tek ndodhi që Perëndia gjeti pikërisht Shqipërinë për ta bërë arenë të luftës mes halabakësh gjenialë në sipërfaqe të saj, dhe gjenive të heshtur të pa numurt në thellësinë e vet, njëri prej të cilëve është Ekremi, është po aq e vështirë sa të gjesh, ta zemë, a është kolonjar apo leskoviqar dikush që ka lindur mes Ersekës dhe Leskovikut në fshatin Radanj. Prandaj, le ta lemë si e provon Ekremi dhe jeta e tij; Se Shqipëria është një vend i bukur dhe i begatë me njerëz të fuqishëm dhe trillanë, dhe pik' !
Shqiptarë, ejani në vete, mos bëni marrëzira, ndiqni rrugën e Zotit, j'u ndrin qiriu, j'u tregon udhën fari, j'u ruan roja, j'u prin Ekrem Bardha.

edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›