E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fajtorët e jashtëm” të shfaqjes së hipertensionit

Stresi, menopauza, jeta sedentare, ushqimi, janë këto disa nga “shkaktarët e jashtëm” të shfaqjes së hipertensionit arterial. 

AIDA MALAJ

Në një intervistë për “Panorama”, mjeku kardiolog, Valer Manushi, shpjegon se si ndikojnë konkretisht këta faktorë në organizmin e një njeriu të predispozuar të shfaqë probleme me tensionin e lartë:
Doktor, është e vërtetë që hipertensioni po përhapet gjithmonë e më tepër në moshat e reja?
Sëmundja e hipertensionit arterial prek të gjitha moshat që nga ajo fëminore deri në moshat e rritura. Hipertensioni që shfaqet në moshat e reja para 50 vjetëve ka të bëjë më shumë me hipertensionin arterial sekondar, kurse pjesa tjetër që haset në moshat e rritura mbi 50 vjeç, është hipertension arterial primar. Në përgjithësi konsiderohet si sëmundje e moshës së rritur, por vihet re se është mjaft e përhapur në moshat e reja. “Fajtorët” për këtë duhen kërkuar te trashëgimia, por dhe stili i jetës, aktiviteti i ulët fizik dhe regjimi ushqimor me kalori të tepërta dhe pa vlera ushqimore.  
Është e vërtetë që stresi është nga faktorët që ndikon në shfaqjen e hipertensionit arterial?
Po. Stresi konsiderohet si një nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e hipertensionit. Kjo sepse stresi krijon një dominante në sistemin nervor e cila shton prodhimin e adesteronit në veshka, e për pasojë çon në ngushtimin e enëve të gjakut dhe shfaqjen e hipertensionit.
Doktor, është e vërtetë që menopauza ndikon në shfaqjen e kësaj sëmundjeje?
Po. Te gratë kjo konsiderohet si një nga faktorët që ndikon në shfaqjen e sëmundjes. Kjo lidhet me çregullimet në prodhimin e hormoneve,sidomos estrogjenit që ndihmon në mbrojtjen e enëve të gjakut nga arteriosklerozat. Në moment që këto hormone janë në nivele të ulta, nis formimi i arteriosklerozave,e për pasojë hipertensionin.
Doktor, është e vërtetë që jeta sedentare “akuzohet” si një nga faktorët që ndikon në shfaqjen e sëmundjes?
Jeta sedentare është cilësuar si një ndër faktorët kryesorë të rrezikut për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Zemra është organ muskulor dhe si i tillë, ajo duhet mbajtur në formë. Me një aktivitet fizik të rregullt zemra bëhet më e fortë dhe i reziston lodhjes. Nga ana tjetër, shtohet kërkesa për oksigjen nga ana e trupit dhe shtohet puna e zemrës dhe mushkërive, duke bërë qarkullimin e gjakut më të lehtë, e për pasojë uljen e vlerave të presionit të gjakut. Në të njëjtën kohë mbajtja nën kontroll e presionit të gjakut ul rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve kardiake apo hipertensionin.
Po duhani si ndikon?
Nikotina që përmban duhani çon në ngushtim të enëve të gjakut, e për pasojë rritjen e presionit të gjakut dhe shfaqjen e hipertensionit.
Është e vërtetë që kripa duhet të kufizohet te ky kontingjent i të sëmurëve?
Po. Marrja e kripës nëpërmjet ushqimeve në sasi të tepërt, depozitohet në muskulaturën e mureve të enëve të gjakut, i fryn ato dhe shkakton rritje të tensionit të gjakut.

Çfarë është sëmundja

Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Kjo shkaktohet nga disa shkaqe dhe për këtë arsye ndahet në dy grupe të mëdha: a) hipertension arterial esencial, i cili edhe pse bëhen një sërë ekzaminimesh nuk arrin të kuptohet se nga vjen. Kjo shpesh ka origjinë trashëgimie ose stresi, pra ka origjinë të brendshme.
Grupi i dytë është hipertensioni arterial sekondar, që tregon se ka një shkak të ndryshëm që mund të jetë një person që ka vuajtur nga veshkat, gjendrat e tiroides, diabeti, tumori i gjendrave mbiveshkore, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›