Quhem Emil, jam profesor, kontrabandist
Elbasan - “Emil” është edhe drama e vënë në skenë së fundi në teatrin “Skampa” e shkruar nga Ruzhdi Pulaha me regji të Milto Kutalit. Aktori Alfred Trebicka që luan edhe rolin kryesor, çdo kush ka pak nga Emili një anë që e mbyt pak nga pak për t’iu përshtatur realitetit. Emili është një ndërgjegje e papastër, është antihero. Mbi konceptin regjisorial, karakterin e personazhit, por edhe mbi jetën e tij aktuoriale, Alfred Trebicka i tregon tek kjo interviste.
Cili është është Emili dhe drama e tij?
Emili është një njeri i zakonshëm që vihet përballë zgjedhjes për të pranuar ose jo realitetin. Çdo njeri brenda vetes ka një Emil por varet nga ai nëse e mbyt këtë ndjenjë apo pendohet siç ndodhi me personazhin kryesor të dramës. Ruzhdi Pulaha ka një meritë të madhe në këtë drejtim pasi e artikulon këtë mesazh me një karakter i cili është një profesor i thjeshtë që kërkon të mbijetojë në këtë vorbull i kushtëzuar edhe nga gjendja ekonomike. Kjo pjesë është sa sociale aq edhe personale e karakterit të personazheve. Në të tërën e vet, vepra është një vepër klasike, një vepër realiste dhe për mua personalisht vështirësia më e madhe në ndërtimin e këtij karakteri ishte që ky personazh të mos tingëllonte as skematik për mirë as për keq. Emili është më shumë një antihero se sa një hero. Fati i tij shënohet pasi ai tregoi e nuk pranoi të heshtte e të përfitonte siç bëjnë edhe një pjesë e madhe e njerëzve.
Fundi i dramës është edhe vdekja e Emilit. Ku ka ndërhyrë regjisori?
Emilin e vret shoku bashkë me kastën e tij. Me reagimin e tij ai u konsiderua i rrezikshëm dhe për këtë arsye duhet të eliminohej. Një makinë e aksidentoi qëllimisht dhe ai gjen vdekjen. Kjo në fakt është një formë shumë naive por nëpërmjet monologut shpjegohet edhe ky fund. Koncepti regjisorial ndryshe nga drama e cila shkonte deri në momentin që pushohet nga puna dhe e shoqja e ndan, sjell dramën dhe një lloj autonekrologjie që vetë Emili i bën vetes kur thotë: “Quhem Emil, profesor, mësues gjimnazi, kontrabandist, trafikant.” Ai pranon që i ka bërë por diku nuk donte, diku ishte i detyruar dhe në fund kur shikon se edhe bashkëshortja e tij, edhe shoku i tij i ngushtë e tradhëtonin, atëherë vendosi të mos heshtte.
Kur është shkruar drama dhe çfarë elementësh i janë aktualizuar asaj?
Drama është shkruar që në vitin 2004 por është përshtatur dhe është aktualizuar deri përpara se të vihej në skenë. Jo pa qëllim në fund të tekstit shkruhet 2004-2008. Pulaha e ka punuar gjatë kësaj kohe dhe ne kishim parasysh ngjarjen që i ndodhi Kosta Trebickës. Jam përpjekur që në finale të hedh një lloj tisi të tillë. Publiku mund të kuptojë mesazhin që dëshiron pasi nuk është se Emili është i njëjtë me Trebickën pasi janë ngjarje të ndryshme, por mund të ketë ngjashmëri. Kjo i mbetet publikut të zgjedhë.
Ju vini për të punuar në një teatër modest siç është tani “Skampa” nga Tirana. U jeni larguar teatrove të qendrës?
Unë kam punuar edhe në Korçë me një projekt për 5 muaj. Nuk jam efektiv i Teatrit Kombëtar dhe vazhdoj të punoj pedagog në Akademinë e Arteve. Ende teatri i akademisë nuk njihet si institucion. Ka projekte që ne i vemë në skenën e akademisë. Ka edhe shumë projekte të tjera që presin që teatri i akademisë të bëhet institucion duke pritur që një ditë, kur t’iu mbushet mendja gërdecarëve do ta institucionalizojmë. Pjesëmarrja në teatrot e rretheve ka lidhje me principin tim. Unë dua të punoj me njerëz që kanë dëshirë të bëjnë teatër. Ky është projekti i 5-të që realizoj. Sigurisht që ka edhe probleme por kudo ka dhe kjo nuk ka të bëjë me largimin tim nga tetatri.