Fakti/Edi Rama, pasi shkatërroi gjelbërimin, u thotë fëmijëve të Tiranës të rrinë në diell
Pasi ka realizuar misionin e tij prej 10 vjetësh me radhë, duke betonizuar dhe vënë në shërbim të kullave shumëkatëshe kujt e Fidelit dhe kujt e Dashit, çdo hapësirë publike, kënd lojërash, apo kopsht fëmijësh, Edvin Rama u ekspozua dje gjatë një takimi me fëmijët, të cilëve u dha një sugjerim shumë dinjitoz dhe të pranueshëm.
Duke u qarë hallin kalamajve se vërtetë s’kanë ku të luajnë dhe të dëfrehen, karakteristika këto për moshën e tyre, kryebashkiaku Rama, i njohur për politikat e tij të kujdesshme anti fëmijë, tha se tani e tutje, fëmijët e kopshteve, mund të zgjedhin fare mirë diellin, ku mund të rrinë dhe të mbushin ditët fëminore. Zhdukja e çdo hapësire të blertë dhe kthimi i tyre në parcela interesash financiare të kryebashkiakut dhe klanit të afërt të tij të firmave të ndërtimit, e bën thuajse zero, mundësinë e fëmijëve që të zgjedhin këndet e lojërave dhe lulishtet. Ndaj dhe në këto kushte, qëndrimi më normal i Edi Ramës është të sajojë panelet diellore me idenë se gjatë dimrit ata mund të ngrohen dhe gjatë verës fare mirë mund të qëndrojnë me orë të tëra në diell...Edhe pse është e pakëshillueshme nga mjeku, Edvini mendon se është më i specializuar në këtë fushë, teksa me ato ide të “gjalla” dhe “vitale” ua ka kthyer jetën në bunker dhe beton mijëra fëmijëve që janë të detyruar të durojnë të nxehtin e betonit dhe rrezet pingule të diellit, të cilat nuk pengohen nga asgjë, sepse nuk ka gjelbërim. Mungesa e gjelbërimit, element ky i domosdoshëm për qenien njerëzore, jo më kot quhet mushkëri më vete, nuk është një konstatim i ri, pasi ka vite të tëra që Tirana vuan temperaturat e larta dhe se në asnjë cep të kryeqytetit nuk sheh një kënd gjelbërimi që të mbulojë nevojat e taksapaguesve, të cilët vetëm për shtimin e hapësirave të gjelbra paguajnë një taksë të veçantë, të majme. Por ku shkojnë paratë e qytetarëve? Si e justifikon bashkia e Tiranës mos shtimin e hapësirave të gjelbra dhe zënien e tyre nga pallate shumëkatëshe të Fidelit, Dashit dhe 15 për qindëshit të Edi Ramës?
Institucioni i bashkisë është thuajse inekzistent. Paratë e qytetarëve kanë përfunduar rëndom në xhepat e xhepistëve të administratës së bashkisë. Edi Rama s’ka asnjë përgjigje, thjesht e vetëm të merret nga mëngjesi deri në darkë me mashtrime nga më të pazakontat, duke harruar përgjegjësitë ndaj komunitetit. Deklaratat dhe furçat mediatike për politikat gjelbëruese të bashkisë së Tiranës, janë mashtrime të turpshme, por që fatmirësisht asnjëherë nuk janë marrë të mirëqena nga qytetarët. Ndaj edhe sugjerimi që iu dha fëmijëve Rama se tani e tutje duhet të ngrohen në diell, jo më kot duhet të trajtohet si i tillë, pasi për të lozur dhe dëfryer kanë ngelë vetëm ato hapësira ku rrezet e diellit nuk thyhen nga asgjë.