E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vizat për Shqipërinë të liberalizohen sa më shpejt”

Parlamenti Europian diskuton për Shqipërinë, miraton nesër edhe një rezolutë

Parlamenti Europian miraton nesër një rezolutë për Shqipërinë, nëpërmjet së cilës pritet të zyrtarizojë mbështetjen për liberalizimin sa më shpejt të vizave për shqiptarët. Në axhendën e Parlamentit Evropian, sot dhe nesër janë diskutimet për Kosovën e Shqipërinë
Burime nga Parlamenti Europian bëjnë të ditur se sot mbahet një debat midis deputetëve të parlamentit dhe Catherine Ashton, përfaqësueses së lartë të BE-së për Kosovën dhe Shqipërinë Për të dy vendet do të votohet nesër, më 8 korrik nga një rezolutë
Nikolaos Chountis, nga e Majta e Bashkuar Evropiane, i cili ka marrë pjesë në përgatitjen e projektrezolutës për Shqipërinë, zbulon një pjesë të rezolutës që pritet të miratohet nesër për Shqipërinë. Sipas europarlamentarit Chountis, mësohet se pjesë e rëndësishme rezolutës, është mbështetja për liberalizimin sa më shpejt të vizave për Shqipërinë.
“Rezoluta është përpiluar në konsensus me të gjitha grupet politike të Parlamentit Evropian. Mendimi im është se ne duhet të ndihmojmë shqiptarët të vazhdojnë të hedhin hapat e duhur në drejtim të demokracisë për t’iu afruar sa më shumë Bashkimit Evropian. E dyta është se ne jemi dakord me liberalizimin e vizave, i cili duhet të bëhet sa më shpejt të jetë i mundur. Së fundi duhet të them, se me sa pashë gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri, vendi dhe shoqëria kanë shumë probleme dhe forcat politike veçanërisht qeveria dhe grupi më i madh opozitar duhet të përpiqen më shumë për të gjetur zgjidhjen e krizës politike aktuale”, shprehet europarlamentari Nikolaos Chountis.
Chountis pret që projektrezoluta të aprovohet dhe shpreson që ajo të sjellë diçka të re për njerëzit në Shqipëri. Ai beson se ajo do të jetë mbështetje për të bërë hapat e duhur për vendin drejt BE.
Rezoluta për Shqipërinë, e hartuar nga eurodeputeti grek Nikolaos Chountis, që pritet të miratohet nesër nga Parlamenti Europian, mori rreth dy javë më parë “ok” e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian.
Me këtë miratim dy javë më parë, ju dha një goditje e fuqishme Partisë Socialiste të Shqipërisë, dhe veçanërisht kreut të saj Edi Rama, i cili ishte investuar fuqishëm, që kjo rezolutë të mos shihte dritën jeshile. Pavarësisht përpjekjeve të socialistëve shqiptarë, përpjekjet e tyre u kundërshtuan nga eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, të cilët vlerësuan më emergjente aprovimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë sesa tekat e politikës së opozitës shqiptare.
Për rezolutën ndaj Shqipërisë, të miratuar rreth dy javë më parë nga ana e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian dhe që nesër pritet të marrë konfirmimin final nga Parlamenti Europain, ishin propozuar 114 amendamente, në të cilat vërehet qartë mbështetja politike e grupeve përkatëse politike në Parlamentin Europian.
Kjo Rezoluta mirëpret vendimin e 27 Majit të Komisionit Europian për të propozuar heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe i bën thirrje Komisionit të verifikojë që të gjitha kriteret që kanë mbetur të plotësohen në muajt e ardhshëm, me qëllimin për ti hapur rrugë, Këshillit dhe parlamentit të miratojnë liberalizimin e vizave për qytetaret shqiptare brenda fundit të këtij viti. Rezoluta e Chountis nxit fuqimisht të gjitha forcat politike që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv duke përfshirë këtu diskutimet mbi një ligj të ri elektoral që do të garantojë transparencë të plotë të procesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme.
“Parlamenti Evropian përshëndet përmirësimet e bëra në kuadrin ligjor dhe administrativ të procesit zgjedhor dhe vë në dukje se, sipas vlerësimit të OSBE/ODIHR, zgjedhjet parlamentare të qershor 2009 përmbushur shumicën e standardeve ndërkombëtare”, thuhet në rezolutën e miratuar rreth dy javë më parë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian.
Sipas kësaj rezolute, , ngërçi politik në Shqipëri mund të tejkalohet vetëm duke respektuar plotësisht kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Lidhur me liberalizimin e vizave, Strasburgu vlerëson se s’duhet të përzihet kjo perspektivë e jashtëzakonshme e vendit me ngërçin politik. Komisioni i Jashtëm në KE miratoi gjithashtu dje dhe Rezolutën për procesin e integrimit të Kosovës në BE, të hartuar nga Shqipëria.

Pikat kryesore të Rezolutës së Komisionit të Jashtëm të PE-së, që pritet të marrë nesër miratimin final

- Përshëndet miratimin më 27 maj të propozimit të Komisionit Evropian për hapjen e procedurave legjislative për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
- I bën thirrje Komisionit Europian të verifikojë përmbushjen e çështjeve të mbetura me qëllim hapjen e rrugës për aprovimin nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian të vendimit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda vitit 2010.
- U bën thirrje të gjithë faktorëve politikë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, përfshirë këtu diskutime për një ligj të ri zgjedhor, i cili do të garantojë transparencën e plotë të procesit elektoral në zgjedhjet e ardhshme.
- Thekson se zgjidhja për ngërçin mund të gjendet vetëm duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe parimet e transparencës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›