Fakti/I turpshëm dekorimi i prokurorit xhelat që pushkatoi Xhelal Koprenckën

Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së
Kryeministri Sali Berisha, deklaroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se ligji i pastrimit të figurave të zyrtarëve është një detyrim madhor moral dhe ligjor për t’u ndarë në mënyrë të qytetëruar nga ai sistem totalitar, i cili ekzekutoi, burgosi, persekutoi dhe internoi shqiptarë shumë herë më tepër se në çdo vend tjetër ish-komunist.
Berisha nënvizoi se në mënyrë absolute ky ligj nuk ka asnjë nuancë hakmarrje, apo ndëshkimi.
Në vijim kryeministri Berisha mohoi se ligji po bëhet për shkak të 3-5 hetuesve apo 6 gjyqtarëve. “Këta mbrohen nga Edi Rama, por jo vetëm nga ai. Por i them Ramës, vijoi Berisha, se po bën Spiro Kolekën, dajën tënd që ka çuar në pushkatim me dhjetra inxhinierë me ekspertizat e tij fallco, kur u thua shqiptarëve se vetëm shtylla mund të hetojë, vetëm ata që kanë urdhëruar varje mund të gjykojnë”. Më tej Berisha iu kundërvu edhe dekorimit të kreut të shtetit ndaj prokurorit, xhelatit vrasës që kërkoi dënimin kapital për Xhelal Koprenckës në vitin 1997, pse tha se Shqipëria duhet të hapet drejt Amerikës.