E Shtunë, 31 Tetor 2026

E premtja e zezë e së vërtetës

Për cilindo shqiptar në moshë madhore, asocimi i ditës së shtatë të muajit me ditën e premte të javës, me siguri që i çon ndërmend të “premten e zezë” të pushtimit fashist të vendit. Një ditë të cilën e kemi mallkuar shumë herë në vjershat, që duhet të recitonim ende pa mësuar alfabetin në klasën e parë fillore. Regjimi totalitar duhej të kujdesej për edukimin e duhur ideologjik të fëmijëve, duke siguruar në këtë mënyrë jetëgjatësinë e tij.
Ndoshta ishte një ironi e fatit, por sërish e premtja e ditës së shtatë të janarit do të regjistrohet në historinë moderne shqiptare, si dita kur iu dha fund mundësisë për hetimin e manipulimit të zgjedhjeve parlamentare. Së bashku me tymin e zi që ngrihej nga pirgu i fletëve të hedhura shkujdeshëm në një gropë inertesh në Farkë, u steros përfundimisht çdo mundësi për të mësuar të vërtetën mbi pazaret, që janë bërë me votat tona dhe njëherësh mundësia për të riparuar këto defekte në zgjedhjet e ardhshme.
Aktorët e politikës së të dyja kampeve, u përpoqën të sfumonin dje zjarrin që po ndizej në periferi të Tiranës, secili në mënyrën e tij. Kryeministri Berisha zgjodhi të tregojë nga Elbasani se zgjedhjet e 28 qershorit tashmë i përkisnin të kaluarës. Përpara elektoratit entuziast të djathtë, ai ndezi makinën e retorikës propagandistike të fushatës së ardhshme vendore. Përtej toneve entuziaste dhe flamurëve të festës, kreu i maxhorancës duhet të jetë koshient se që nga kjo e premte, me djegien e votave, ai ka zhdukur njëkohësisht edhe mundësinë e pastrimit nga akuzat për manipulime. Emri i tij do të shkruhet në histori si një nga politikanët më jetëgjatë të postdiktaturës, por njëkohësisht do të ndiqet gjithnjë nga hija e vjedhjes së votave. Sigurisht, që ndërmjet djegies së votave dhe rrezikimit të pushtetit, për një rol të nderuar në histori, kryeministri vendosi të bënte zgjedhjen e parë.
Por nëse kryeministri i sotëm do të detyrohet të paguajë llogaritë me historinë, për çudi e njëjta indiferencë ndaj flakëve pasqyrohej të premten edhe në selinë e PS-së. I ndodhur në pozitat e dikujt që nuk ka asgjë në dorë për të ndryshuar situatën, kreu i opozitës, z. Rama deklaroi nga konferenca e përjavshme me gazetarët se “vendimi i KQZ-së ishte i pavlefshëm pa firmën e nënkryetares”. Ndërkohë që debatohej në tryezë me gazetarët ky argument juridik, kutitë e depove të Lundrës ishin hapur dhe fletëve po u hidhej sipër benzina. Më pak fjalë, beteja prej 17 muajsh e opozitës për të hapur të vërtetën e mbyllur në kuti, rezultoi e pasuksesshme. Kjo nuk i intereson që të theksohet opozitës, dhe si rrjedhojë edhe ajo e pranoi si fakt të kryer djegien e provave të vetme që mund të vërtetojnë akuzat e saj për manipulim dhe uzurpimin e dhunshëm të pushtetit. Nuk e di se si ndjehet sot arsimtari Skënder (socialisti i thjeshtë që takonte deputetin Eduart Shalsi në fushatë), tashmë që të gjitha protestat në shesh apo edhe greva e urisë që iu “shitën” si fitore përfunduan me këtë rezultat.
Një opozitë si ajo që simpatizon arsimtari Skënder dhe shumë të tjerë, do të reagonte dy ditë më parë fuqishëm për atë që po gatuhej nga pushteti. Në radhë të parë nuk do ta linte përfaqësuesen e saj, nënkryetaren e KQZ-së që të largohej nga salla pa u siguruar që të respektohej rregullorja në vendimmarrje. E nëse edhe kjo nuk do të funksiononte, do të protestonte para dyerve të KQZ-së, do të hidhte bojë të kuqe në muret e Pallatit të Kongreseve apo do të inskenonte një djegie të fletëve të votimit në lulishten përpara KQZ-së, për të ndërgjegjësuar të gjithë shqiptarët se nuk mund të pajtohet me këtë asgjësim të votave. Nëse për një vit e gjysmë u tha nga opozita se në ato kuti mbahet e mbërthyer e ardhmja jonë, 7 janari nuk mund të kalohet si një ditë e zakonshme në kalendarin e saj. Në këtë mënyrë, opozita në rastin më të mirë dëshmoi se nuk është e aftë të përballojë një pushtet që vjedh votën dhe zhduk gjurmët, dhe në të rastin më të keq, se edhe vetë kjo opozitë nuk ishte e interesuar për të zbardhur të vërtetën. Pikërisht për këto arsye, dita e djeshme ishte një e premte e zezë jo vetëm për pushtetin që dogji provat e akuzave ndaj tij; jo vetëm për opozitën që pranoi në heshtje të “pamundurën”; por njëkohësisht një e ditë e zezë për të vërtetën dhe shëndetin e demokracisë shqiptare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›