E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofensiva inkriminuese e Serbisë kundër Kosovës

09-01-2011 / Nga Teki Dervishi

Duke e konstatuar skenën politike të Kosovës si skajshmërisht të përçarë dhe në kohën kur Serbia po ushtron një fushatë ndërkombëtare kundër shtetit të Kosovës, në shkrimin tim të fundit është dhënë një porosi që qytetarët të mos bien pre e deklaratave shqip që i japin shllagvord fushatës së fundit të Serbisë, dhe është thënë se vetëm disiplina qytetare e shqiptarëve, që është dëshmuar gjithmonë, mund të na shpëtojë nga kjo ofensivë inkriminuese e Serbisë kundër Kosovës. Ofensiva e Serbisë për inkriminimin ndërkombëtar të Kosovës që mori flakë menjëherë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010, a është sulm kundër ndonjë partie politike, apo kundër shtetit të Kosovës? A duhet të kthehemi në të kaluarën, dhe të analizojmë se cila pari ka qenë konstruktive e cila jo, apo të shikojmë të sotmen, konkretisht, të konstatojmë cila proveniencë sot, dhe pikërisht sot, po i jep shllagvord armiqve të Kosovës? Sulmi i Serbisë sot është konkret dhe kundër shtetit të Kosovës, por i drejtohet vetëm një krahu politik, ose më qartë, e anatemon luftën çlirimtare të Kosovës. Lufta Çlirimtare e Kosovës nuk i takon një partie, por i takon gjithë popullit shqiptar, sepse secili ka kontribuar me aq sa ka mundur, dhe nuk ka familje shqiptare që nuk ka dhënë gjak ose para për Kosovën. Kundër një krahu politik është normale të ngrihet krahu tjetër, por nuk është normale të ngrihet në kohën kur Serbia i jep zjarr fushatës antishqiptare. O sot o kurrë, ka qenë koha që klasa politike e Kosovës t’i lërë anash akuzat që ia bëjnë njëri krah tjetrit, sepse ato akuza haptas po bëhen material për të përpiluar raporte të armiqve shekullor kundër shqiptarëve të Kosovës. Pra kjo ishte tema, sa është shprehur qartë nuk e di, dhe keqkuptimet nuk besoj se janë qëllimkëqija.
Edhe plus një pyetje: në kohën kur ndërkombëtarisht po anatemohet Kosova, kurse Misioni Evropian në Kosovë e ka futur kokën në zall, a mund të konstatojmë apo të supozojmë - a është, a nuk është e përçarë klasa politike shqiptare e Kosovës? Po, ose jo! Nga shkrimet në gazetë nuk mund të përçahet klasa politike, por ajo përçahet duke i mbrojtur interesat partiake para interesave të shtetit, dhe interesave karrieriste të individëve që nuk kanë aftësi, ose nuk duan ta shohin realitetin e sotëm konkret në Kosovë. Dhe ku e ka zanafillën kjo përçarje, por përçarja e sotme, lëre të djeshmen? Apo kemi harruar deklarimet akuzuese të një krahu politik kundër tjetrit, dhe athua nuk po i hetojmë dhe dëgjojmë të njëjtat akuza në raportet e Dik Martit, në konferencat e Jeremiqit, të Tadiçit dhe tash edhe në raportin e njëfarë Jean-Charles Gradetto-s që e ka deponuar në Asamblenë Parlamentare të KE-së një raport edhe më të zi se a i Dik Martit. Mos kemi thënë ndonjëherë se përçarja e klasës politike nuk ka ekzistuar që 10 vjet, dhe mos ka thënë dikush që menjëherë pas lufte kjo përçarje nuk ka pasur dimension më të vogël, sesa që e ka sot? Dhe a ka pasur fuqi Misioni i OKB-së ta eliminojë përçarjen e klasës politike shqiptare, apo e ka stimuluar shumë, siç kanë dalë tanimë faktet evidente dhe argumentet. Dhe - nëse kërkojmë sot që përçarjes t’i jepet fund, dhe t’i ndalim ata që akuzojnë shqip, a mendojmë për gjendjen e sotme, apo na ka mbetur t’i kthehemi historisë dhe të gjejmë argumente se kush është, e kush nuk është fajtor? Që të grindemi duhen dy veta, i treti fiton gjithmonë.
Në çdo situatë normale politike, kur nuk do të ishim nën llupën e anatemave ndërkombëtare të aleatëve të Serbisë, pluralizmi politik dhe lufta për pushtet do të ishte diçka krejtësisht e natyrshme, si kudo në botë. Madje do të ishte krejtësisht e natyrshme sikur lufta për pushtet të mos ishte fare parimore, se rrallë ka luftë parimore për pushtet. Por Kosova gjendet para një sfide të madhe, e detyrojnë të hyjë në bisedime me një shtet i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, dhe Serbia kërkon që nëpërmjet dialogut me Kosovën ta relativizojë statusin e saj që Kosova e ka fituar me gjakun e mijëra dëshmorëve që 100 vjet luftë. Sa më të dobët që hyjmë në këtë dialog me Serbinë, ajo do të fabrikojë “argumente” për ta mohuar edhe drejtësinë e luftës çlirimtare dhe të përpiqet që atë ta kriminalizojë. Sa na konvenon sot të mos i pranojmë zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe të pengojmë konstituimin e institucioneve shtetërore të Kosovës? Dhe, a nuk dihet, kush po hedh benzenë në zjarr, apo nëse e emërojmë fajtorin duke e argumentuar qëndrimin e tij publik, kështu paskemi kaluar në mbrojtje të ndonjë partie, e jo në mbrojtje të shtetit, në kohën kur statusin e shtetit haptas po e relativizojnë ndërkombëtarisht aleatët e Serbisë.
Një urtësi kineze thotë: kur ke frikë, këndo! Kënga del nga ndjenjat e njeriut dhe jo nga mençuria njerëzore, ndaj kënga është heshtja më e thellë, ose si thotë populli shqiptar, vaj i burrit. Përshkrimi i frikës me fjalë nuk pi ujë te frikacakët. Frika vetëm përjetohet me ndjenja, nuk përshkruhet me fjalë. Ajo që na ka sjellë në këtë ditë, sa të frikohemi, është vetëm konformizmi ynë qytetar, që është më fajtor sesa vetë institucioni i shtetit të organizuar, konformizmi që është produkt i frikës. Shumica prej nesh e arsyetojmë konformizmin tonë duke e ngushëlluar vetën se ne nuk jemi vendimmarrës politikë, ndaj nuk kemi përgjegjësi individuale, dhe kjo na akomodon duke na rehatuar në shtrojën e butë të konformizmit. Trima bëhemi vetëm kur shkruajmë me pseudonime dhe pa adresën tonë private, që të dihet kush jemi ne me emër e mbiemër, që të mund të njihemi, të takohemi dhe të bashkëbisedojmë. Si mund të bisedosh me një njeri që nuk e di cili është, as nga paraqitet, por që merr detyrë të rëndë ta mbrojë çështjen kombëtare, ta mbrojë nga ata emra konkretë që atij i duket se e kanë shitur me para çështjen kombëtare?
Nëse ngulmojmë se e vërteta është vetëm në anën tonë, ose është e tillë si na konvenon neve, atëherë ne kemi frikë ta shikojmë të vërtetën në sy. E vërteta nuk bëhet me –opinione - (bindje) individuale, por bëhet nga faktet kategorike. Cila është e vërteta sot, në krizën politike të Kosovës? Në ç’gjendje është sot Kosova? Jo opsioni dhe dioptria që i konvenon njërës anësi partiake, as ajo që i konvenon tjetrës anësi partiake. E vërteta nuk është pronë prive e një njeriu ose e një instance partiake, e vërteta quhet argumenti që e rezulton realitetin që shihet me sy. A duhet mençuri shumë e madhe që ta shohësh realitetin sot, se nesër do ta shohim të gjithë ne, sepse ai do të na ngarkohet në kurriz me pasojat tragjike, por nesër gjithmonë është vonë, nëse sot nuk bëhemi bashkë të mbrohemi nga fushata ndërkombëtare inkriminuese e Serbisë kundër Kosovës. Kush sot konkretisht po kërkon koalicion, e kush po refuzon? Kush po përpiqet të bëhemi bashkë, e kush po refuzon? Do ta gjeni lehtë të vërtetën dhe nëse jeni në anën e saj, nuk do të jeni në anën e asnjë partie politike
Marrë nga "Bota Sot"

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›