Fakti/PS, sulme mafioze kundër ministrave të kabinetit “Berisha”
Partia Socialiste vazhdon orkestrimin e sulmeve mafioze ndaj ministrave të kabinetit qeveritar. Pas dështimit të aksioneve brutale ndaj disa prej ministrave, sulme këto të zhvilluara sistematikisht dhe me tendencë cenimin e imazhit si dhe njollosjen e moralit, sigurisht që nga Edi Rama nuk do pritej ngritja e flamurit të bardhë, por një varg i ri akuzash. Dhe ashtu ndodhi.
Në pikënisje të akuzave të hedhura nga i akuzuari i drejtësisë, Daut Kadriovski, i cili përflet gjatë dëshmive të tij në bankën e të akuzuarve, për lidhje të Edi Ramës dhe Erjon Braçes me botën e krimit të organizuar. Rama dhe Braçe akuzohen publikisht për përdorim dhe trafikim të lëndëve narkotike si dhe të përfshirë në skena krimi, ku për rastin në fjalë mjafton të përmendet klani “Gina”.
Këto dhe të tjera s’e shpëtojnë aspak liderin e opozitës nga përgjegjësia që duhet të mbajë përballë institucioneve të ligjit.
Edhe pse tendenca e tij është kurdo herë kapërcimi dhe zvarritja e sistemit ligjor dhe atij të drejtësisë, Edi Rama s’mund të bëjë aspak despotin dhe as xhelatin, por në radhë të parë duhet t’i nënshtrohet përgjegjësive që mbart nga fajet e shumta dhe më pas të procedojë dhe denoncojë penalisht përfaqësues të administratës si dhe ministra, gjithmonë nëse gëzohen faktet dhe provat e konsiderueshme për shkelje.
Por në të vërtetë kjo nuk është në llojin dhe sojin e veprimtarisë politike të opozitës.
Pas dështimit të aksioneve të mëparshme për përbaltjen e disa ministrave të kabinetit të Berishës, Edi Rama i është kundërvënë ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, për shkelje të ligjit në dhënien e koncesioneve minerare.
Edhe pse ka qenë vetë ministri ai që ka dhënë sqarimet e duhura në Kuvend dhe përmes komunikimit të vazhdueshëm me mediat opozita e degdisur vendosi dje të dorëzojë në prokurori dosjen për kallëzim penal ndaj Genc Rulit, ministri aktual i Bujqësisë. PS akuzon Rulin se në funksionin e ish-ministrit të Ekonomisë ka shkelur ligjet në lidhje me koncesionet minerare.
Në një prononcim nga selia rozë deputeti socialist Saimir Tahiri akuzoi se “ka shkelur ligjin duke favorizuar hapur kompaninë ACR në lidhje me koncesionin e kromit”. Ministri Ruli ka dhënë detajet e duhura lidhur me kompaninë në fjalë, ku madje ka deklaruar se me opozitën do ballafaqohet te organet e drejtësisë. Aq më tepër, opozita përdor në argumentet e saj, ish ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, i cili ka qenë një ndër më të shigjetuarit nga selia rozë, me akuza për korrupsion dhe ryshfet, të cilat realisht asnjëherë nuk u vërtetuan.
Ajo që mbetet nga e gjithë kjo, është se dëshpërimi i opozitës s’mund të fshihet te sulmet e pamoralshme që i drejtohen ministrave të kabinetit, se nëse vazhdojmë të ndjekim këtë logjikë të pacipë të PS-së, Edi Rama do i kundërvihet dhe sulmojë ministrat Basha, Meta apo edhe Vasili që prej 3 javësh me radhë ndodhen në Shkodër në ndjekje të operacioneve antipërmbytje.