Eurobondi, Shqipëria edhe në 2011 do jetë në tregun e kapitaleve

Drejtori i Borxhit, Demiraj deklaron se dalja e parë në tregjet financiare rezultoi efiçente
Në vitin 2011, qeveria shqiptare do të angazhohet të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, nëse do të ndjejë nevojën e emetimit të një eurobondi të dytë. Drejtori i Borxhit në ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj deklaron se dalja e parë në tregjet financiare rezultoi efiçente dhe në një rast të dytë, procesi do të jetë më i lehtë. Drejtori i Borxhit, bën të ditur se borxhi gjatë vitit 2010 u rrit me 5 për qind. Sipas tij, borxhi publik është kthyer në një problem mbarë rajonal, megjithatë qeveria shqiptare garanton se e ka nën kontroll këtë borxh. Aktualisht, borxhi publik vlerësohet të kalojë 59.3 për qind. Një borxh i tillë vlerësohet të jetë i lartë në krahasim me vendet e rajonit, megjithatë qeveria parashikon të zbresë borxhi deri në 54 për qind, në vitin 2013. Shqipëria kaloi me sukses emetimin e një Eurobondi në Bursën e Londrës, me vlerë 300 milionë euro. Norma e interesit u fiksua në 7.5 për qind, ndërsa afati i kthimit të Eurobondit të parë shqiptar është për një periudhë 5-vjeçare. Ministri i Financave Ridvan Bode komunikoi atëherë se me këtë hap kursehen nga buxheti i shtetit rreth 10 milionë euro, që do të shkonin për interesat e larta të kredisë sindikale, 270 milionë euro që u mor për rrugën e re Durrës-Kukës. Ajo që është për t’u theksuar është fakti se eurobondi është 1 pikë përqindje më pak nga sa autorizoi Kuvendi i Shqipërisë, 7.5 për qind nga 8.5 për qind që ishte autorizimi i Kuvendit. Përdorimi i eurobondit do të ndjekë ato prioritete që tashmë janë deklaruar për të zëvendësuar 200 milionë euro kredi sindikale, e cila ka një efekt kursimi nga ky veprim prej rreth 1 miliardë lekësh në vit, sikurse edhe për të vijuar financimin e operacioneve valutore që kanë të bëjnë me qeverinë. “Deutsche Bank” dhe ajo amerikane “JP Morgan” morën përsipër të lobojnë në tregjet ndërkombëtare financiare, për t’i siguruar Shqipërisë një kredi tregtare prej 300 milionë euro, përmes emetimit të Eurobondit të parë shqiptar.
...