E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problematika e trafikut, Edi Rama fyen qytetarët: Zbrisni nga makinat dhe ecni në këmbë

27-12-2010 / Gazeta 55

Prej një kohe ekstremisht të gjatë, më shumë se një vit, kryeqytetasit po përballen me neglizhencën e institucionit që i drejton, Bashkisë së Tiranës, për sa i takon trafikut të rënduar në çdo cep të qytetit, apo në nyjet kryesore lidhëse të tij. Pas deklaratës së kreut të Bashkisë Tiranë, Edi Rama, disa muaj më parë se qytetarët duhet të lënë makinat dhe të ecin në këmbë, është pasuar nga Enton Punavia, Drejtor i Transportit rrugor në Bashkinë e Tiranës, i cili u bëri thirrje dje qytetarëve të përdorin transportin publik dhe jo makinat private. Përmes një dalje publike Punavia u shpreh se Bashkia e Tiranës i sugjeron qytetarëve të zbresin nga makinat dhe të zvarriten në këmbë. “Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe i inkurajon ata që gjatë kësaj periudhe të përdorin sa më pak të jetë e mundur mjetet e tyre private, duke i dhënë përparësi përdorimit të transportit publik në qytet”. Kjo deklaratë e Punavijës, tregon qartë se sipas Bashkisë Tiranë zgjidhja më e mirë për trafikun është lënia e makinave personale në shtëpi. Në vigjilje të festave të fundvitit Bashkia e Tiranës gjen sërish rastin për t’iu drejtuar edhe njëherë qytetarëve, që të eliminojnë sa më shumë të jetë e mundur lëvizjet me mjete private, duke u dhënë përparësi përdorimit të transportit publik, si dhe respektimit me rigorozitet të të gjitha rregullave të qarkullimit rrugor. Megjithëse trafiku në rrugët e kryeqytetit shtohet dita-ditës, Bashkia e Tiranës vazhdon të fajësojë sipas oreksit të kryetarit të saj, herë banorët herë institucionet e tjera. Prej më shumë se 6 muaj banorët e Tiranës shohin gjithnjë të njëjtën situatë me trafikun e rënduar dhe heshtjen e Bashkisë. Për çdo qytetar duhen disa orë për të kaluar nga njëri cep në cepin tjetër të kryeqytetit. Eksperimentet e njëpasnjëshme të Bashkisë të drejtuar nga kreu socialist kanë dështuar totalisht. Tashmë të gjithë drejtuesve të automjeteve u duhet të mësohen me ligjin e xhunglës gjatë udhëtimit me makinë në Tiranë. Të irrituar nga mungesa e një rrugëzgjidhjeje nga ana e kryetarit të Bashkisë, banorët shprehen se veç vonesave u ka kushtuar dhe shumë nerva. Për të pasur një trafik të pranueshëm në qytet, sipërfaqja kushtuar trafikut duhet të jetë 20 për qind e të gjithë sipërfaqes së qytetit. Në rastin e Tiranës, sipërfaqja dedikuar trafikut është 6.6 për qind. Bashkia e Tiranës me ndërhyrjet e saj pa një plan të përkohshëm, ka krijuar këtë gjendje të renduar kur trafiku i Rrugës së Durrësit, Rrugës së Kavajës që janë në maksimumin e tyre, orientohen në një rrugë me dy korsi, çka sjell një kaos total në trafik. Krishtlindjet dhe festat e fundvitit kanë shtuar së tepërmi edhe trafikun në rrugët e kryeqytetit. Policia Rrugore ka marrë masa për të përballuar edhe një fluks që varion nga 50 deri ne 100 mijë automjete, që do të udhëtojnë nga rrethet për në kryeqytet në këto ditë, duke pasur parasysh vitet e kaluara. Një tjetër faktor i shtimit të numrit të automjeteve është ardhja e emigrantëve për festat e fundvitit. Por ndonëse na ndajnë vetëm disa ditë nga ndërrimi i viteve ende nuk dihet se cilat do të jenë ato segmente ku qytetarët nuk do të mund të lëvizin me automjete. Ndërkohë Policia Rrugore ka marrë masa për përballimin e fluksit të makinave në natën e ndërrimit të viteve. Akset më problematike është hyrja e Rrugës së Durrësit, rruga “4 Shkurti”, “Ura teknologjike” dhe te pjesa e tregut në rrugën “5 Maji”. E siç edhe duket, komentet janë të tepërta, qytetarët e Tiranës janë të detyruar të torturohen dhe këtë fund viti, por situata është pesimiste edhe përgjatë 2011-ës. Trafiku do jetë makthi i ditës për afro 800 mijë qytetarë në Tiranë. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›