Mazhoranca Berisha-Meta fton sot për negociata drejtuesit e opozitës

Raundi final i negociatave mazhorancë-opozitë pritet të mbahet sot në selinë e kryesisë së Kuvendit, ku lidershipi Berisha-Meta do të publikojë ofertën konsensuale, në takimin final me tandemin opozitar Rama-Ruçi
Në ambientet e kryesisë së Kuvendit në orën 19.00, do të zhvillohet takimi i dytë i mazhorancës dhe opozitës në rang kryetarësh. Shefi i mazhorancës Sali Berisha do të shoqërohet në këtë takim nga aleati i tij në qeverisje, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta si dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi.
Ndërsa Edi Rama shoqërohet vetëm nga Gramoz Ruçi.
Tërheqja e kandidaturës së Xhezair Zaganjorit bëri që opozita të interesohej për një fazë të re negociatash me mazhorancën, gjithnjë në nivel kryetarësh, Berisha-Rama. PD dhe mazhoranca në tërësi është shprehur për një proces transparent dhe konsensual, ndërsa ajo që i ka munguar këtij procesi ka qenë bashkëpunimi i PS-së. Ndaj edhe për kërkesën zyrtare të PS-së për këtë takim, PD në unison të plotë me aleatin e saj, LSI kanë shprehur dakordësinë për të kontribuar të dy palët në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Dy ditë më parë u “dogj” pa votim edhe raundi i tretë për presidentin, ndërkohë që, Konferenca e Kryetarëve caktoi ditën e hënë si datën e mbajtjes së raundit të katërt të votimit për kreun e ri të shtetit.
Nesër në orën 10.00, Kuvendi mblidhet për raundin e katërt të votimit. Në mungesë të konsensusit të opozitës edhe në këtë fazë të procesit, mazhoranca është në gjendje ta zgjedhë vetë presidentin me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.