E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakti/Sesioni i vjeshtës do zhvillohet në Shqipëri

06-07-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli merr pjesë në Sesionin e 21 vjetor të Asamblesë parlamentare të OSBE në Monako, me temë “OSBE: Rajoni në ndryshim”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, dhe një grup deputetësh po ndjekin nga afër punimet e Sesionit të 21 vjetorit të Asamblesë parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, që mbahet në Monako nga datat 5-9 Korrik. Janë 320 parlamentarë nga 56 vende të botës, përfshirë Europën, Azinë dhe Amerikën e Veriut, të cilët janë mbledhur në punimet e këtij sesioni, me temë “OSBE: Rajoni në ndryshim”.
Para Komisionit të Përhershëm drejtues të Asamblesë parlamentare të OSBE, Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj u shpreh se, ekziston një  bashkëpunim i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe institucioneve të saj,  me OSBE-në në fusha të ndryshme. Kryetarja e Kuvendit shprehu ndër të tjera, rëndësinë e veçantë  që ka mbajtja e Sesionit të Vjeshtës të Asamblesë Parlamentare në Tiranë, në datat në 5-7 Tetor, në kuadër të 100 Vjetorit të shtetit shqiptar dhe të kryesimit të Presidencës të Këshillit të Evropës, nga  vendi ynë.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një pronocim për mediat u shpreh se “kjo Asamble është shumë e rëndësishme për ne shqiptarët, meqenëse këtu përfundimisht është vendosur, pas kërkesës sonë, pas këmbënguljes, përpjekjeve dhe përgatitjeve që kemi bërë, që sesionin e ardhshëm të Asamblesë së OSBE, të zhvillohet në Shqipëri”. “Në fakt ne jemi në vitin e 21 të aderimin të Shqipërisë me të drejta të plota në këtë organizatë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që Asambleja e OSBE-së, të mbahet në Tiranë. Ne kemi muaj që po punojmë për një gjë të tillë. Më në fund është vendosur; dhe sot m’u dha mundësia që në Standing Comitty të ftoj zyrtarisht të gjithë anëtarët e OSBE, të delegacioneve. Natyrisht është evenimenti më i madh në kalendarin e punës së Asamblesë së OSBE. Për ne si shqiptarë është një  ngjarje historike, që konçidon dhe me Presidencën që Shqipëria ka në Këshillin e Evropës, por mbi të gjitha konçidon me 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Zhvillimi i Sesionit përvjetor të Asamblesë parlamentare të OSBE në Tiranë, me të vërtetë është një ngjarje, me të cilën ne shqiptarët duhet të ndihemi mirë. Unë si Kryetare e Kuvendit jam shumë e kënaqur dhe shumë krenare. Pjesa më e madhe e delegacioneve nga 56 vende të botës që përfshinë tri kontinente nga SHBA, deri  në pjesët më ekstreme të Lindjes janë pjesëtarë të delegacioneve të kësaj asambleje, në  të cilën delegacioni ynë ka dhënë kontributin e vet dhe që ka marrëdhënie të shkëlqyeshme. Kështu që kjo është ngjarja historike më e rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë”- u shpreh ajo.
Kryetarja e Kuvendit tha se organizimi i Sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare në Tiranë, është një ngjarje që lidhet ngushtë edhe me vijimin e reformave në Shqipëri.
“Sigurisht që kanë lidhje, sepse ODHIR, OSBE Asambleja parlamentare e OSBE, që është dimensioni i përfaqësimit të kësaj organizate, të këtij forumi unik në shkallë globale për çështjet e sigurisë, sepse përfshin tri kontinente. Nuk ekziston ndonjë asamble tjetër veç kësaj, që të përfshijë një territor kaq të gjatë kaq të shtrirë në Lima, në Stamboll dhe që të trajtojë çështje të sigurisë, të bashkëpunimit, çështje të demokracisë, të misionit të zgjedhjeve të parandalimit të konflikteve, të drejtave të njeriut, të lirisë etj”. Gjatë punimeve të sesionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE- së në Monako, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi takime me përfaqësues të shumë vendeve anëtare të OSBE-se, mes të cilëve edhe përfaqësuesit e SHBA.
Ndërkohë në kuadër të organizimit në Tiranë të Sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare, në punimet e Sesionit parlamentar të Monakos, u hap dhe  një stendë e veçantë promocionale për Shqipërinë turistike. Përmes pamjeve filmike, fotove dhe botimeve te posaçme, stenda u vizitua me interes të veçantë nga  parlamentarë të 56 vende të botës, të cilët shijuan imazhet e mrekullueshme të Shqipërisë, zakoneve, traditave dhe trashëgimisë të saj të pasur kulturore. Para stendës së Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit u shpreh puna që ka bërë administrata e Kuvendit për të bërë promovimin e vendit tonë, është një rast i shkëlqyer. “Ne jemi sot këtu duke bërë promovimin e vendit tonë, me dëshirën e mirë që të ketë një pjesëmarrje sa më të lartë të delegacioneve të ndryshme. Këtu kemi pamje të mrekullueshme të Shqipërisë. Vërtet jemi në Monako që është një ndër perlat e turizmit, e bukurisë natyrore dhe të punës së njeriut me atë që dhuruar Zoti. Por të njëjtën gjë mund të themi për bukuritë e Shqipërisë, ndaj dhe kemi bërë maksimumin për të promovuar bukuritë e Shqipërisë, për të promovuar potencialet e vendit tonë dhe për të ftuar delegacionet e vendeve pjesëmarrëse, për të njohur Shqipërinë, realitetin në këtë vend që është ndryshuar kaq shpejt, duke bërë një rrugë kaq të gjatë, duke arritur të jetë anëtar i NATO-s” - tha ajo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›