E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten pezull nenet për Komisionin Qendror Zgjedhor si dhe numërimin elektronik

06-07-2012 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore - komisioni parlamentar miraton 3 kapitujt e hartuar me konsensus

Partia Socialiste s’heq dorë nga tentativa e hershme për të bllokuar reformën zgjedhore. Një javë para skadimit të mandatit të tretë të komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, selia rozë duket e palëkundur në qëndrimin e saj kundër Kodit Zgjedhor. Dje, komisioni miratoi të gjithë kapitujt e ligjit elektoral, për të cilat palët kishin rënë dakord më herët për formulimin e tyre. Ndërkohë që për tre çështjet për të cilat ende nuk ka një qëndrim të përbashkët, as kjo mbledhje nuk mundi të gjejë zgjidhjen përfundimtare. Kështu, gjatë mbledhjes së sotme komisioni për reformën zgjedhore miratoi n nenin për administratën zgjedhore, por duke lënë pezull çështjen e KQZ-së. Gjithashtu, është miratuar neni për ankimimin në KQZ, por ende jo kërkesa që me vendim të dy anëtarëve të këtij institucioni të hapen kutitë e votimit. Po ashtu u miratua dhe neni për ankimimin gjyqësor. Në përfundim të këtij takimi, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu bëri me dije se “ne kemi dhënë propozimet tona, jemi për një korrigjim të sistemit zgjedhor”. Sipas tij, ka mbetur pezull çështja e KQZ dhe numërimi elektronik. Po kështu, dhe përfaqësuesi i PS-së në këtë komision, Bledar Çuçi konfirmoi se vijon të mbetet pezull çështja për KQZ-në. Ndërkohë që për Çuçin është ende në diskutim debati për 2 anëtarët e KQZ. Edhe pas këtij takimi duket se palët janë ende larg marrëveshjes për formulën e KQZ-së dhe ankimimet në këtë institucion. Dy pika këto që janë shndërruar në “kalë beteje” nga i paudhi i opozitës që kërkon me çdo kusht të zgjedhë kryetarin e KQZ-së nga Avokati i Popullit si dhe të lerë në dorë të vetëm 2 personave hapjen e kutive të votimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›