Vilajet Qyrku i Ramës ka vendosur të zhbijë të rinjtë e mbledhur tek FRESSH-i
Degradon forumi rinor i socialistëve. I ngarkuari i Ramës për punët e përbrendshme të rinisë s’ka më skrupuj, lidhur me statusin. Ai e ka nisur, duke iu shkarkuar përfaqësuesit të Kavajës dhe pritet që lista e shkërmoqjes së njerëzve anti-Veliaj të zbardhet ditë pas dite, sapo të shpallen edhe listat e reja të shkarkimeve në FRESSH
Partia Socialiste vuan edhe sot e kësaj dite dhunën vulgare të drejtuesve të saj, më keq akoma në cenimin e kompetencave dhe shkeljen e statutit. Përplasjet dhe debatet e ashpra në radhët e Forumit Rinor Socialist (FRESSH), kanë degjeneruar në një vendim të paprecedentë dhe jashtë çdo norme statutore për shkarkimin e kreut të kësaj organizate në Kavajë, Elton Derijaj. Mësohet se në një mbledhje me dyer të mbyllura të organizuar dhe nën drejtimin e Sekretarit të Partisë Socialiste për Rininë, Erjon Veliaj, me pjesëmarrjen e kryetarit lokal në Kavajë dhe disa të rinjve, është vendosur shkarkimi i këtij të fundit. Në këtë mbledhje nuk ka marrë pjesë vetë Derijajt. Sipas kreut lokal te FRESSH, ky vendim bie ndesh me procedurat statutore, pasi kreu i organizatës është zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë në mbledhjen e datës 25 maj të konferencës së rrethit të këtij forumi. Elton Derijaj thotë se në mbledhjen ku nuk ishte ftuar të merrte pjesë, e të drejtuar nga Erjon Veluaj, është komunikuar vendimi për shkarkimin, çka përbën një shkelje e hapur. Kjo, sipas Derijaj, nuk mund te shkarkohen dhe emërohen njerëz në një forum ku zgjidhesh me vota. Derijaj shton se në zgjedhjet e zhvilluara për FRESSH-in e Kavajës, ai ka fituar bindshëm dhe nuk mund të shkarkohet në këtë mënyrë. Gjithçka duket si një hakmarrje e pastër e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe Sekretarit për Rininë, Erjon Veliaj, pas kundërshtimit që iu bë atyre në mbledhjen e pak ditëve më parë të Asamblesë Kombëtare të FRESSH, ku pati debate në lidhje me zgjedhjen e drejtuesve të forumeve, pas zgjedhjes së kryetares, Elisa Spiropali. Në këtë mbledhje, pjesë e personave që nuk pranuan emërimin e delegatëve ka qenë dhe kreu i FRESSH-it të Kavajës, por edhe krerë të tjerë që ndoshta i pret i njëjti fat. Kësisoj, përplasjet në PS për kontrollin dhe mbikontrollin e FRESSH vazhdojnë me të njëjtin intensitet si 3 javë më parë kur Elisa Spiropali u sfidua publikisht nga fonde-mbledhësi i Edi Ramës dhe u kërcënua me manipulimin e procesit zgjedhor. Nxjerrja e FRESSH në ilegalitet duket si e vetmja shpresë e Vilajet Qyrkut, për të rënë në sy të Edi Ramës, pas spikatjes si i papërshtatshëm për çështjet administrative të partisë. Një hall më vete është edhe lëvizja e Fatos Nanos çka ka mjaftuar si alibi për të përzënë njerëzit nga partia (kryesisht nga Forumi) me justifikimin e të infiltruarve të ish kryeministrit socialist.