LSI s’pret dot “Haxhi Pishmanin” e opozitës, paraqet në parlament nismën për heqjen e imunitetit

Partia e dytë në koalicionin qeverisës s’pret dot më humorin e pehlivanllëqet e opozitës lidhur me përmbushjen e kushteve të BE për sistemin e drejtësisë, prandaj edhe ka njoftuar se brenda javës do paraqesë në Kuvend një nismë të posaçme për heqjen e imunitetit. Kjo zgjidhje afatgjatë pritet të jetë edhe sfida e radhës, për një opozitë të kapluar nga një sekt biznesmenësh miliarderë
Sekretari për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani i bëri apel klasës politike që të bashkëpunojnë për heqjen e imunitetit. Në një konferencë për shtyp dje, Manjani theksoi se nga java e ardhshme grupi i LSI-së do të ndërmarrë një nismë për heqjen e imunitetit në Kuvend. Sipas tij, heqja e imunitetit është bërë domosdoshmëri ndërsa theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim është për zero imunitet për çdo të zgjedhur politik.
“Është koha që seriozisht dhe në mënyrë përfundimtare të zgjidhim të gjithë se bashku çështjen e imunitetit të zyrtarëve të këtij shteti. Nuk ka më as hije e as kuptim që të vërdallosemi nëpër alibi publike për zgjidhur një çështje që është bërë domosdoshmëri.
LSI nepërmjet grupit të kuvendor, do t’i bashkohet ftesës publike për të futur në kalendarin e punimeve të parlamentit të këtij sesioni për të zgjidhur këtë çështje përfundimisht. Ne çmojmë ky sesion parlamentar duhet të regjistrohet në historinë tonë shtetërore si sesion i vendimeve të mëdha, ku pa dyshim zgjidhja e çështjes së imunitetit është njëra prej tyre”- tha ai. Manjani theksoi se LSI ka studiuar çdo qëndrim e deklaratë të derisotme që parti, politikanë, jurist e aktorë të tjerë të rëndësishëm për jetën publike shqiptare dhe gjykon se zgjidhja e çështjes së imunitetit duhet bërë mbi dy parime themelore. “a) Zero imunitet për çdo të zgjedhur apo të emëruar politik. Askush që kryen detyrë përfaqësuese në politikë nuk ka pse të ketë më mbrojtje nga ndjekja penale madje edhe nga arrestimi. Kjo do të thotë se prokuroria duhet të jetë e lire të hetojë e të arrestojë cilindo politikan për të cilin ekzistojnë të njëjtat arsye ligjore si për çdo qytetar të thjeshtë. b) Gjykatësit e republikës duhet të gëzojnë imunitet të kufizuar, aq sa për tu mbrojtjet nga shantazhi politik, por jo për t’ju fshehur shkeljes së ligjit”- theksoi ai.
Gjithashtu, Manjani ka theksuar se gjykatësit duhet të gëzojnë imunitet të kufizuar pasi duhen mbrojtur nga shantazhet politike. “Gjykatësi është një zyrtar i rëndësishëm për shtetin dhe në kushtet e shtetit demokratik pavarësia e tij nga politika është kusht i panegociueshëm. kjo nënkupton që prokuroria nuk mund të ketë pengesa për ti hetuar gjykatësit, por jo ti shantazhoje. Pra gjykatësi mund të hetohet por jo të arrestohet pa lejen paraprake të këshillit të lartë të drejtësisë. Gjykojmë se nevoja për reforma nuk mund të na çojë detyrimisht në zgjidhje të sforcuara, të cilat shumë shpejt mund të na çojnë në kolapse dhe më të rënda sesa na kanë ndodhur deri më sot. Në një republikë të drejtë politikanët janë njësoj të barabartë me qytetarët, por gjykatësit janë autoritetit i republikës dhe ku autoritet nuk mund të lejohet të shantazhohet. Natyrisht ne e dimë që gjykata ka problem, por le të merremi me zgjidhjen e problemeve dhe jot ë krijojmë problem të reja, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e gjykatës. Teknikisht, jemi të gatshëm të votojmë abrogimin e neneve 73 dhe 103.3 të Kushtetutës, duke zeruar me efekt të menjëhershëm imunitetin e deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë. Jemi gjithashtu të gatshëm të ri shkruajmë paragrafët 1 dhe 3 të nenit 137 të kushtetutës duke lejuar hetimin paraprak të gjykatësve sipas standardeve të ndjekjes penale. Kjo do të kërkojë edhe ndryshime në kodin e procedurës penale për të definuar me mirë nocionin e ndjekjes penale dhe të veprimeve hetimore të lejueshme për gjykatësit sipas praktikës evropiane. Me këtë qëndrim, që javën që vjen do paraqitemi në kuvend me propozimet konkrete. Ftojmë të gjitha partitë e tjera të na bashkohen në këtë qëndrim të arsyeshëm dhe afatgjatë” - u shpreh më tej Manjani.
Heqja e imunitetit sipas LSI-së/1. Zero imunitet për çdo të zgjedhur apo të emëruar politik. Askush që kryen detyrë përfaqësuese në politikë nuk ka pse të ketë më mbrojtje nga ndjekja penale madje edhe nga arrestimi. Kjo do të thotë se prokuroria duhet të jetë e lire të hetojë e të arrestojë cilindo politikan për të cilin ekzistojnë të njëjtat arsye ligjore si për çdo qytetar të thjeshtë. 2. Gjykatësit e republikës duhet të gëzojnë imunitet të kufizuar, aq sa për tu mbrojtjet nga shantazhi politik, por jo për t’ju fshehur shkeljes së ligjit. Gjykatësi është një zyrtar i rëndësishëm për shtetin dhe në kushtet e shtetit demokratik pavarësia e tij nga politika është kusht i panegociueshëm. kjo nënkupton që prokuroria nuk mund të ketë pengesa për t’i hetuar gjykatësit, por jo t’i shantazhojë. Pra gjykatësi mund të hetohet por jo të arrestohet pa lejen paraprake të këshillit të lartë të drejtësisë.
Kronika - Kreu i LSI takon ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë, Dimitar Arnaudov/Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta priti dje në një takim ambasadorin e ri të Republikës së Bullgarisë në Tiranë, Dimitar Arnaudov. Z. Meta pasi i uroi Ambasadorit Arnaudov mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e tij të re në Tiranë, shprehu vlerësimin e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera në vite mes dy vendeve `dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë të LSI-së në avancimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare bilaterale. Z. Meta gjithashtu shprehu vlerësimin për mbështetjen konstante që Bullgaria vazhdon t’i japë Shqipërisë në kuadër të integrimit të saj evropian si dhe për qëndrimin pozitiv, mbështetës dhe nxitës që është mbajtur ndaj Republikës së Kosovës në proceset e njohjes së pavarësisë dhe forcimit të shtetit ligjor. Ambasadori Arnaudov, pasi shprehu kënaqësinë e tij për marrjen e detyrës në Tiranë, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit si dhe rolin e saj pozitiv në rajon. Në këtë drejtim, Ambasadori theksoi se vëmendja e politikës së jashtme bullgare do të përqendrohet në rajonin e Ballkanit, me fokus të veçantë avancimin e axhendës së integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit, si rruga më e sigurt drejt prosperitetit, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Z. Meta dhe Ambasadori Arnaudov diskutuan gjithashtu edhe mbi mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, dhe theksuan se më tepër duhet bërë në të ardhmen e afërt për zhvillimin e lidhjeve infrastrukturore moderne mes Tiranës dhe Sofjes, si një nevojshmëri për shkurtimin e distancave dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe njerëzore.