E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Shqipëria anëtarësohet edhe në Asamblenë parlamentare të Mesdheut

Kryetarja e Kuvendit merr  pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Euro Mesdheut
 
TIRANE - Shqipëria anëtarësohet në Asamblenë parlamentare të Mesdheut. Lajmi zyrtar i është konfirmuar ditën e djeshme Kryetares së Kuvendit dhe delegacionit parlamentar që e shoqëron atë, gjatë punimeve të Asamblesë parlamentare të Mesdheut , në Bruksel.
Kryetarja e Kuvendit shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë në emër të Parlamentit të Shqipërisë, delegacioneve të pranishme në mbledhje, si dhe përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të EMPA-s.
Duke vlerësuar EUROMED si “shprehje parlamentare” legjitime e Procesit të Barcelonës-Bashkimi për Mesdheun, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “delegacioni shqiptar ndjehet shumë i lumtur që anëtarësohet në këtë strukturë, në një detyrë të përbashkët për të përmbushur objektivat e EUROMED, për të gjetur zgjidhje problemeve, e ndërmarrë nisma në interes të mirëkuptimit, besimit dhe bashkëpunimit”. Një falënderim të veçantë zonja Topalli ia drejtoi Kryetarit të Parlamentit Evropian Pottering dhe Presidentit të radhës së Asamblesë parlamentare Euro–Mesdheut, njëherësh Kryetarit të Parlamentit të Jordanisë, Al-Majali. Asambleja Parlamentare Euro-Mesdhetare (EURO-MED) është institucioni parlamentar i Procesit të Barcelonës me pushtet konsultativ, i bazuar në Deklaratën e Barcelonës.
Konferenca Euro-Mesdhetare e Barcelonës ka lançuar Partneritetin Euro-Mesdhetar me pikësynim promovimin e paqes dhe prosperitetit përmes një strategjie të përbashkët mbi çështjet politike, të sigurisë si dhe ato ekonomike, kulturore dhe shkëmbimeve humane.  
Asambleja përbëhet nga 260 anëtarë, 130 mes te cilëve anëtarë të parlamenteve kombëtare të BE-së dhe anëtarë të Parlamentit Evropian si dhe 130 anëtarë të parlamenteve të vendeve të Mesdheut.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Asamblenë parlamentare të Mesdheut, EURO-MED, vjen dy javë para anëtarësimit me të drejta të plota në Aleancën më të madhe të lirisë dhe sigurisë në botë, NATO, duke bërë kështu që vendi ynë të hedhë dhe një hap tjetër më pranë integrimit në familjen evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›