Taulant Balla është ndaluar në vendet fqinje për trafik vizash dhe prostitucioni

Zëdhënësi i PD denoncon mashtrimet e PS-së lidhur me progres-raportin e Bashkimit Evropian
TIRANE - Partia Demokratike ka hedhur dje poshtë akuzat e Partisë Socialiste në lidhje me progres raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Zëdhënësi demokrat,
Gerti Bogdani, ka reaguar ndaj akuzave të deputetit socialist Taulant Balla duke e akuzuar këtë të fundit se po mashtron qëllimisht qytetarët shqiptarë.
“Mr. 15 përqindëshi apo tashme edhe Mr. Dosja, me zëdhënësin e tij të ri, një njeri që është ndaluar në kufijtë e vendeve fqinj, sepse ka nxjerrë viza dhe ka trafikuar me makinën e tij vajza të reja; një njeri që ka ndërtuar pasuritë e tij mbi trafikun e tyre, foli sot nga selia e Partisë Socialiste, me një gjuhë të një rrugaçi ordiner, në një deklarate të diktuar nga Zoti Dosja, duke trilluar, mashtruar dhe disinformuar qytetaret shqiptare lidhur me progres raportin e Bashkimit Evropian”, deklaroi zëdhënësi i PD.
Sipas Bogdanit, deputeti Balla u paraqit dje me moralin e atij që merr përsipër të shesë dhe të blejë njerëz si skllevër. “Ai u paraqit sot me një gjuhë ordinere; u paraqit sot me shumë se kurrë, simbol i politikës, të ashtuquajtur të re, por që siç shihet qartë vetëm e re nuk është”, theksoi Bogdani.
Vetëm pak orë më parë, deputeti i Partisë Socialiste akuzoi qeverinë se ka injoruar kritikat e Bashkimit Evropian në raport-progresin e nëntorit të vitit të kaluar duke mos ndërmarrë asnjë masë sipas tij për të korrigjuar kritikat e përmendura.