“BE-ja nuk do të bllokojë planet për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor”

Rikonfirmon Olli Rehn, komisioneri për Zgjerimin e BE-së
BRUKSEL - Bashkimi Evropian nuk do të bllokojë planet për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si anëtare të bllokut, deklaroi sot komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Olli Rehn duke iu përgjigjur dyshimeve të Gjermanisë lidhur me ritmin e zgjerimit.
Rehn e bëri këtë deklaratë duke iu përgjigjur dyshimeve të kancelares gjermane Angela Merkel. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha dy ditë më parë se blloku i 27 vendeve kishte nevojë për “një fazë konsolidimi”, përpara pranimit të anëtarëve të rinj.
I pyetur për këtë deklaratë, komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Olli Rehn tha se perspektivat për anëtarësimin në bllok kishin ndihmuar për vendosjen e stabilitetit politik dhe kryerjen e reformave ekonomike në Ballkanin Perëndimor, rajon i shkatërruar nga luftërat e viteve ‘90.
“Ne nuk mund të frenohemi tashmë nga puna jonë e jashtëzakonshme për stabilitetin dhe progresin në Ballkanin Perëndimor, që u sigurua nga perspektiva evropiane”, deklaroi Rehn në një konferencë shtypi.
“Kjo është një arritje për stabilitetin në Evropën Juglindore. Ne nuk mund të luajmë me të”, theksoi ai.
Rehn tha se kriza ekonomike dhe përpjekjet për të ratifikuar Traktatin e Lisbonës nuk duhej të ishin pengesë për zgjerimin e bllokut.
“BE është në gjendje të bëjë disa gjëra në të njëjtën kohë”, tha Rehn pas takimeve me ministrat e Jashtëm sllovenë dhe kroatë, vendet e të cilëve janë përfshirë në një mosmarrëveshje kufitare që ka bllokuar bisedimet e Zagrebit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Frattini mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE/Ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar deklaroi dje në Bruksel se një letër e tij dhe e homologut italian, Franko Frattini, përmes së cilës shprehin mbështetjen e fuqishme ndaj procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte e sinqertë dhe se problemet aktuale të Kroacisë me BE-në duhej të shqyrtoheshin si çështje më vete.
Deklarata e Zbogar, i cili mori pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, pason disa artikuj të mediave kroate që komentonin letrën si një gjest ironik dhe shkruanin se Ljubjana do të jepte mbështetje të vërtetë vetëm pasi të hiqeshin pengesat në negociatat midis Kroacisë dhe BE-së.
Zbogar u shpreh se letra e përbashkët me Frattinin bënte thirrje për heqjen e vizave për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se Sllovenia ka mbështetur vazhdimisht integrimin e Ballkanit në BE.
Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini dënoi dje praktikat e disa vendeve anëtare për bllokimin e integrimit të vendeve kandidate.
“Gjendet gjithmonë një vend anëtar që do të bllokojë një vend të Ballkanit Perëndimor. Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, i gjithë rajoni do të bllokohet dhe kjo nuk do të ishte në të mirë as të BE-së, as të Ballkanit”, deklaroi Frattini në Bruksel.