Moti i keq, izolohen shumë zona në vend
Pjesa më e madhe e fshatrave të rrethit të Pukës janë të bllokuar nga reshjet e borës. Temperaturat kanë rënë nën minus, ndërsa erërat e forta dhe të ftohta e përkeqësojnë situatën. Mijëra banorë në fshatrat e izoluara kanë rreth 3 ditë që nuk komunikojnë me qytetin. Nuk dihet situata me rezervat ushqimore në fshatra, ndërsa është mësuar se mësimi në shkolla është ndërprerë.
Në Pukë qarkullimi i automjeteve është i mundur vetëm me përdorimin e zinxhirëve, por që gjerë pas here rrugët bllokohen pasi erërat e forta sjellin dëborë të re, duke rritur trashësinë e lindës së bardhë. Për të përballuar situatën është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile të rrethit për të marrë masa të mëtejshme.
Shtabi Qendror i Emergjencave Civile i kryesuar nga zëvendëskryeministri Genc Pollo, është mbledhur mbrëmjen e shkuar për të diskutuar për situatën më të fundit në zonat veriore për shkak të reshjeve të borës. Shtabi ka vendosur që automjetet borëpastruese të Xhenjos që disponojnë Forcat e Armatosura të dislokohen në segmentin Pukë –Fushë Arrëz- Shën Mëri – Kukës.
Këto automjete do te mbështesin përpjekjet e Drejtorisë se Përgjithshme te Rrugëve qe ka angazhuar te gjithë parkun e saj në këto akse rrugore. Gjithashtu helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë se Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë do te qëndrojnë ne gatishmëri për te ndërmarrë operacione kërkim – shpëtimi sipas nevojës.
Llogara, kalim vetëm me zinxhirë
Qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor në Qafën e Llogorasë, 40 km në jug të qytetit të Vlorës, edhe gjatë ditës së sotme është i kalueshëm vetëm për automjetet e pajisura me zinxhirë. Drejtori i Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve, Saimir Haxhiu, tha se "aktualisht rruga është pastruar nga shtresat e dëborës, por shqetësim mbeten ngricat". Sipas tij, ulja e temperaturave është shoqëruar me ngrica, gjë që e ka bërë të rrezikshëm udhëtimin në këtë segment. Ai theksoi se kjo është edhe arsyeja që drejtuesit e automjeteve janë pororsitur të pajisen me zinxhirë. Prej ditës së djeshme dhe sot qarkullimi në këtë segment, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë, ka qenë minimal. Policia rrugore që ka ngritur postblloqe në të dy krahët nuk ka lejuar asnjë automjet të lëvizë pa zinxhirë. Aktualisht, në zonë po punojnë 7 mjete, nga të cilat 4 fadroma, 1 borëpastruese dhe 2 kamionë, që realizojnë procesin e hedhjes së kripës dhe të skorjeve. Problemet në Qafën e Llogorasë, 1050 metra mbi nivelin e detit, nisën para tre ditësh. Ndërkohë prej mbrëmjes së të mërkurës dhe deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, qarkullimi i automjeteve pothuajse u bllokua për shkak të shtresave të dëborës, që mbuluan rrugën dhe që arritën deri në një trashësi 30 centimetra. Krahas kësaj, reshjet intensive të dëborës u shoqëruan edhe me erë të ftohtë, si dhe me ulje të ndjeshme të temperaturës.
Durrës, bllokohen tragetet për në Bari
Tre tragete me udhëtarë, që duhet të mbërrinin sot në orët e para të mëngjesit në Durrës, nuk janë nisur dot nga Bari, Itali, për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit të Durrësit, bënë të ditur se "era e fortë me drejtim nga veriu dhe deti i trazuar deri në 9 ballë kanë penguar nisjen e traeteve "Aurelia", Riviera Adriatika" dhe "Ionis" nga Bari drejt Durrësit". Nga komunikimet mes dy kapitenerive përkatëse është mësuar se rreth 300 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj kanë kaluar natën në portin e Barit, ndërsa nuk dihet nëse tragetet janë nisur sot paradite drejt Durrësit. Burimet shtuan se era e fortë nga veriu përgjithësisht vështirëson lundrimin e trageteve dhe anijeve nga Italia drejt vendit tonë, ndërsa porti i Durrësit është më i ekspozuar nga erërat e jugut, që kanë penguar disa herë lëvizjen e trageteve drejt Italisë. Në portin e Durrësit vazhdon normalisht përpunimi i anijeve tregtare, ndërsa është bllokuar lëvizja e anijeve të tonazhit të vogël dhe e motopeshkatoreve nga Durrësi.
...