Fakti/Taksat, kryesocialisti po u ofron shqiptarëve modelin ekonomik të Enver Hoxhës
Kryeministri Sali Berisha akuzoi sërish Edi Ramën për mashtrimet e tij me statistikat e papunësisë. Sipas tij, Rama quan të papunë edhe fëmijët në kopshte dhe shkolla. Berisha tha se deklaratat e Ramës janë si ato të diktaturës hoxhiste që i quante shqiptarët hajdutë, spiunë dhe të papunë. “Megjithatë, edhe njëherë dua të ndalem në qarkullimi i statistikës së njeriut që urrente kombin e vet, i cili u deklaroi të huajve se shqiptarët janë 1 milionë hajdutë, 1 milionë spiunë, 1 milionë të papunë, për t’i denigruar dhe depersonalizuar ata, sepse regjimi i tij dhe diktatura hoxhiste bëri që, si kurrë ndonjëherë në historinë e tyre, në kohëra lirie, ata të braktisin masivisht vendin e shkatërruar dhe, në katastrofë të plotë nga regjimi, të dynden drejt vendeve fqinjë për një jetë më të mirë. Pasi kishte rrënuar çdo gjë me hiperkolektivizmin total, ai do të deklaronte se këta që ikin jashtë vendit janë 1 milionë hajdutë, një milionë spiunë, milionë të papunë. Sot këtë statistikë e ka marrë kreu i Partisë Socialiste dhe e qarkullon prej një viti, nga tribuna në tribunë, nga platforma në platformë, si dëshmi e përçmimit ndaj lumenjve të djersës që kanë derdhur dhe derdhin shqiptarët. Të deklarosh se ka 1 milionë të pa punë në Shqipëri, do të thotë të mos kesh as edhe njohuritë më elementare për punën dhe punësimin, do të thotë të mos njohësh numrat. E theksoj edhe njëherë se të krijohet përshtypja se ky zotëri ka mbetur në stadin e bojërave dhe ngjyrave. Por nuk është e vërtetë, këto ai i deklaron për qëllime propagandistike, për interesa të veta”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se Rama quan të papunë nxënësit dhe studentët. “Statistikat janë të tilla; Shqipëria ka 560 mijë pensionistë. Deri para disa vitesh, drejtor të këtij institucioni ka pasur nënkryetarin e tij Beqja. Le ta pyesë atë se sa pensionistë ka pasur vendi. Shqipëria ka pasur 700 mijë nxënës. Nuk ka më aq, por ka 670 mijë, pasi lindjet ulen. Por të gjithë këta janë në shkolla dhe në, statistikën e botës, nuk konsiderohen të papunë shkollarët. Zotëria nuk njeh strukturat e grupmoshave, sepse po t’i njohë ato nuk do bënte kurrë një deklaratë të tillë. Grupmoshat e viteve të para po zvogëlohen, por është rritur shumë numri i studentëve. Ka pasur 52 mijë studentë tani ka 140 mijë studentë. Shqipëria ka një lindshmëri nga 45-50 mijë në vit. Këta vogëlushë, nga 1 në 6 vjeç shkojnë në kopshte dhe jo në shkolla. Edhe këta ai i quan të papunë, sepse duhet të plotësojë 1 milionëshin. Por krahas këtyre, në Shqipëri, si në çdo vend tjetër të botës, ka qindra e mijëra familje në të cilën njëri bashkëshort punon për të krijuar të ardhura, pasi ka mundësi të krijojë të ardhura, ndërsa bashkëshorti tjetër u përkushtohet problemeve të tjera në familje dhe jo një pune konkrete, veçanërisht kjo ndodh me gratë, të cilat unë sërish i inkurajoj të mos heqin kurrë dorë nga karriera. Por ky fenomen ndodh edhe në vendet më të zhvilluara të botës, ndodh kudo”, tha kryeministri, duke i cilësuar deklaratat e Ramës si marrëzira.
Duke u ndalur te çështja e taksave, një tjetër spektër i sulmuar nga Edi Rama, kryeministri Berisha tha se shqiptarët i kanë refuzuar tezat e Enverit, të cilat kishin në thelb rrënimin e sistemit ekonomik.
Berisha e quajti sistemin aktual të taksimit, si më të mirin e mundshëm pasi bëri të mundur dyfishimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit. “Zotëria ka marrë përsipër të eliminojë kapitalistët dhe i krahason ata me Warren Buffett, por Warren Buffett ka buxhetin 4 herë sa GDP-ja e Shqipërisë dhe ai është një kollos i biznesit dhe është produkt i një zhvillimi 200 vjeçar i tregut të lirë në SHBA. Pra, Ramës i duket Koçua dhe Fideli si Warren Buffett”, tha më tej kryeministri Berisha.