Haxhinasto: Mazhoranca solide – integrimi, objektivi ynë kryesor
Koalicioni PD-LSI funksionon
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto hedh poshtë zërat për krisje të koalicionit qeveritar PD-LSI. Gjatë një interviste televizive, numri 2 i qeverisë u shpreh se mazhoranca është solide dhe se vazhdon të jetë e fokusuar te objektivat që lidhen me integrimin e vendit. “LSI i përmbahet marrëveshjes politike të nënshkruar 3 vjet më parë. Kjo marrëveshje do të respektohet maksimalisht nga kjo forcë politike. LSI do të vazhdojë të kontribuojë për integrimin evropian të Shqipërisë si dhe për çdo moment konkret”, u shpreh Haxhinasto.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto mohoi gjithashtu që mes PD-së dhe LSI-së të jetë ndërprerë komunikimi. “Ka një komunikim shumë konkret. Komunikimi për çështje të caktuara politike ekziston. Raportet me BE-në janë të përbashkët dhe kjo u pa edhe në takimin e fundit të Këshillit të Stabilizim Asociimit ku ishte e përfshirë edhe opozita”, tha ai.
Zgjedhjen e Presidentit nënkryetari i LSI-së nuk e sheh si test për mazhorancën, por përgjegjësi të çdo force politike për t’i dhënë vendit një figurë unitare. “Zgjedhja e presidentit nuk ka të bëjë me testin e mazhorancës, por me përgjegjësinë e çdo force politike. Dhe siç e dini procesi do marrë rrjedhë zyrtare pas punimeve të Samitit të NATO-s në Çikago”, tha më tej ai.