Presidenca e BE, Danimarka: Mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë
Takimi i kryeministrit Berisha me ministrin danez për Integrimin, Nicolai Wammen
Mbështetja dhe ndihma që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë në 20 vitet e rrugëtimit drejt demokracisë si dhe mbështetjen e pakursyer për anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara në takimin që Kryeministri Berisha zhvilloi sot me Ministrin për Çështjet Evropiane të Danimarkës Nicolai Wammen.
Në vijim të interesit të ministrit danez Wammen për reformat e ndërmarra dhe zbatimin e tyre si kusht i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së, Kryeministri pasi theksoi se procesi i integrimit për Shqipërinë duhet të jetë i bazuar në meritë dhe përmbushjen e 12 prioriteteve, i bëri atij një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi, në adoptimin dhe zbatimin e kornizës ligjore të nevojshme për integrimin evropian, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në mënyrë të veçantë Kryeministri u ndal te reforma zgjedhore, ajo e rregullores së Parlamentit dhe ajo në drejtësi. Ai u shpreh se pas bllokimit më shumë se 2 vjeçar tashmë puna midis mazhorancës dhe opozitës i është kthyer normalitetit. Kryeministri theksoi se ndërkohë që janë miratuar ligjet me shumicë të cilësuar të kërkuara në 12 prioritetet, po bëhen të gjitha përpjekjet për përmbylljen me sukses të reformës zgjedhore bazuar plotësisht ne rekomandimet e OSBE/ODIHR, asaj parlamentare etj.
Nga ana e tij, ministri Wammen e falënderoi kryeministrin për ekspozenë,vlerësoi zhvillimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, reformat e ndërmarra si dhe u shpreh se puna duhet të vazhdojë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit.
Në takim Ministri Wammen ngriti çështjen e deklaratës së fundit të bërë nga Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe zëvendësministër i Mbrojtjes Ekrem Spahia për ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në vendin tonë Henk Van den Dool. Kryeministri theksoi se kjo deklaratë është një qëndrim krejtësisht personal i Spahia dhe tërësisht i papranueshëm e që nuk shpreh qëndrimin zyrtar dhe vlerësimin më të lartë të qeverisë shqiptare për rolin dhe kontributin e ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta si përfaqësues i një vendi mik siç është Mbretëria e Bashkuar ndaj të cilës ka një mirënjohje të thellë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë.
Wammen: Marrëveshja e 14 nëntorit të mbyllet përpara 24 majit
Në një konferencë të përbashkët për mediat ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe ministri danez për Evropën, Nicolai Wammen theksuan rëndësinë që ka përfundimi i marrëveshjes së nëntorit para procesit të zgjedhjes së presidentit. “Marrëveshja e nëntorit duhet të përfundojë para datës 24”, deklaroi Wammen, ndërsa ministri Haxhinasto tha se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet që ky proces të përfundojë me sukses.
Duke e vlerësuar konstruktiv takimin me Haxhinaston përfaqësuesi i Danimarkës, e cila ka edhe presidencën e radhës të BE-së, Wammen tha se dëshirojmë ta shohim Shqipërinë të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. “Shqipëria po bën përparim të vërtetë, kemi fakte inkurajuese megjithatë mbetet ende shumë për të bërë”, theksoi përfaqësuesi danez.
Ai e cilësoi procesin e zgjedhjes së presidentit si një test të rëndësishëm për zgjedhjet e 2013-ës, ndërsa apeloi për përfundimin e reformave para datës 24 maj, kur pritet të nisë procesi për presidentin. “Dhënia e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, nuk do të mbështetet në fjalë, por në vepra konkrete. Shqipëria do të gjykohet në bazë të meritave të saj. Pra është një pjesë e rëndësishme e vlerave evropiane që të ketë një sistem zgjedhor, qoftë në zgjedhjen e presidentit, qoftë në zgjedhjet e përgjithshme, i cili të mbështetet në vlerat demokratike dhe të gëzojë besimin e të gjithë popullit, për të siguruar një demokraci mirë-funksionale. Mesazhi i BE-së është shumë i qartë. 24 maji do të jetë prova e parë e këtij zhvillimi. Nëse do të më pyesni, a do e ndjekim me vëmendje zgjedhjen e presidentit, them që sigurisht do e ndjekim”, deklaroi ministri danez, Wammen.
Nga ana e tij, kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto deklaroi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për integrimin, por ka disa detyra që mbeten për t’u kurorëzuar si reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare, ndërsa ndanë të njëjtin mendim se marrja e statusit kandidat bazohet tërësisht në meritë.
“Fyle e bëri të qartë se afati kohor, ky ‘deadline’ nuk është një mur betoni, që nuk mund të jetë pak fleksibël. E rëndësishme është që të arrihet një konkluzion cilësor i reformës, pra të arrihet një marrëveshje cilësore, një standard cilësor, për atë që pritet në fakt të sjellë reforma zgjedhore. Por, nëse kjo ndodh dy ditë më vonë, kjo nuk ka asnjë rëndësi. E rëndësishme është fryma e bashkëpunimit që projektohet nga konkluzioni i kësaj reforme, nga konkludimi i saj, të vazhdojë dhe të krijojë klimën e nevojshme që tashmë është deklaruar nga të gjithë faktorët politikë edhe për zgjedhjen e presidentit. Të jetë një proces institucional, proces i cili zbaton si germën, ashtu edhe frymën e Kushtetutës”, tha ai. Ndërkaq, gjatë konferencës për mediat përfaqësuesi danez u ndal edhe në rëndësinë që ka pavarësia e gjyqësorit. “Shqipëria të kuptojë që nuk duhet asnjë ndërhyrje politike në punën e gjyqësorit dhe policisë”, tha Wammen, ndërsa vlerësoi maksimalisht rolin e Shqipërisë dhe kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon.