E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakultetet e dyta, kriteret dhe tarifat e studimit

SHKRUAN: Jonida Tashi 25-08-2011 10:52

Vetëm 200 studentë do të mundin që të ndjekin një fakultet të dytë me kohë të plotë në universitetet publike, gjatë vitit të ri akademik 2011-2012. Kaq është kuota e miratuar nga qeveria për programet e dyta të studimit me kohë të plotë, për të gjitha universitetet publike të vendit. Ndërsa përsa i përket ndarjes së 200 kuotave për fakultet të dytë ditën, qeveria ka vendosur që ato të shpërndahen si gjithmonë nga Ministria e Arsimit, mbështetur dhe në kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë. Aktualisht, këto kuota po shqyrtohen nga specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe pritet që së shpejti të merret dhe vendimi për shpërndarjen e tyre në fakultetet që e ofrojnë këtë të drejtë studimi, që do të pasohet me hapjen e aplikimeve. Përveç kuotave, qeveria ka miratuar edhe tarifat e studimit për fakultet të dytë ditën, të cilat do të jenë disa herë më të larta se programet e para të studimit. Vendimi saktëson se studentët, që vijojnë një program të dytë studimit i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit të njëjtë me koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen vetëm studentët e shkëlqyer. Sipas taksave të miratuara të studimit, më shtrenjtë ndjekja e një fakulteti të dytë me kohë të plotë do të kushtojë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, pasi për të katër degët e tij që janë: Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci, Stomatologji, Shëndeti Publik, tarifa e shkollimit do të jetë 311,925 lekë. Pas Mjekësisë, renditet Fakulteti i Infermierisë, për degët e të cilit tarifa e studimit do të jetë 207,950 lekë. Ndërkohë që edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës studimet për fakultet të dytë do të kenë një kosto të lartë që është 181,080 për të gjitha degët. Pas Universitetit të Tiranës, edhe në gjashtë fakultetet e Politeknikut, studimet për fakultet të dytë ditën do të kenë taksë të lartë, që është 181,080, për të gjitha programet e studimit që ofron secili prej tyre. Ndërkaq, edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës tarifat për program të dytë studimi me kohë të plotë do të jenë të larta, ku më shtrenjtë do të jetë Fakulteti i Veterinarisë, në të cilin taksa e shkollimit do të jetë 311,925 lekë. Ndërsa për degët e tjera të fakulteteve të Bujqësorit, tarifat e studimit do të variojnë nga 76,786 në 128,821 lekë.

Kriteret

Lidhur me kriteret e pranimit që duhet të plotësojnë kandidatët për të vijuar një fakultet të dytë ditën, në vendimin e qeverisë përcaktohet se “kandidatët që kanë përfunduar me sukses provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe programin e parë të studimeve me rezultate të shkëlqyera, gëzojnë të drejtën të vijojnë studimet në një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë, për pranimet në një program të dytë studimi”. Ndërsa kandidatët që kërkojnë të studiojnë në një program të dytë studimi në Universitetin e Arteve, në Universitetin e Sporteve të Tiranës, në programin e studimit të ciklit të parë “Edukim fizik dhe Sportet”, të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, e të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, dhe në programin e studimit të “Arkitekturës”, të Universitetit Politeknik të Tiranës, duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta (përfshirë këtu konkurset e pranimit), të vendosura nga vetë këto institucione të arsimit të lartë. Sipas kushteve të vendosura nga universitetet që ofrojnë programe të dyta studimi me kohë të plotë, procesi i aplikimit për të vijuar një fakultet të dytë do të kryhet në mënyrë individuale pranë sekretarive mësimore të fakulteteve, ku kandidatët dëshirojnë të vazhdojnë studimet. Për këtë arsye, pranë fakulteteve do të ngrihen edhe komisionet “Ad-hoc” për përzgjedhjen e kandidatëve fitues. Këto komisione do të përcaktojnë mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara për të gjithë ata kandidatë që vijnë nga programe studimi të ngjashme, të fakultetit të parë. Burime nga fakultetet që ofrojnë një program të dytë studimi me kohë të plotë bëjnë të ditur se më shumë prioritet për të fituar një fakultet të dytë do të kenë ata kandidatë që kanë zgjedhur një degë të ngjashme me atë të diplomës së parë. Por, një kriter tjetër me mjaft peshë për t’u përzgjedhur si fitues do të jetë edhe mesatarja e notave që kandidati ka pasur në fakultetin e mëparshëm, e cila preferohet të jetë mbi 8. Pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve, komisionet do të publikojnë nga fundi i muajit tetor listat e emrave fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, si dhe të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga kandidatët.

Tarifat e studimit për fakultet të dytë

UNIVERSITETI I TIRANËS

Fakulteti i Ekonomisë 76,786

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja 120,664

Fakulteti i Shkencave të Natyrës 181,080

Fakulteti i Mjekësisë 311,925

Fakulteti Histori-Filologji 99,370

Fakulteti i Drejtësisë 56,310

Fakulteti i Shkencave Sociale 99,370

Fakulteti i Infermierisë 207,950

UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit 181,080

Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit 181,080

Fakulteti i Gjeologji-Miniera 181,080

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike 181,080

Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Fizike 181,080

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike 181,080

UNIVERSITETI BUJQËSOR I TIRANËS

Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit 128,821

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit

Menaxhim agrobiznesi 76,786

Ekonomi dhe politikë agrare 76,786

Financë-Kontabilitet 128,821

Fakulteti i Veterinarisë 311,925

Fakulteti i Shkencave Pyjore 128,821

Fakulteti i Bioteknologjisë dhe i Ushqimit 128,821

UNIVERSITETI I SPORTEVE I TIRANËS

Për të gjitha programet 311,925

AKADEMIA E ARTEVE

Për të gjitha programet 388,899

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›