Transferimi i studimeve, UT hap aplikimet
Nis sot procesi i dorëzimit të dokumenteve për transferimin e studimeve. Afati i fundit do të jetë data 19 shtator
Universiteti i Tiranës hap sot aplikimet për kandidatët që gjatë vitit të ri akademik duan të transferojnë pjesën e mbetur të studimeve pranë tij. Sipas afatit të përcaktuar, studentët do të kenë afat deri në datën 19 shtator për të kryer procesin e dorëzimit të dokumenteve. Universiteti i Tiranës (UT) ka bërë të ditura edhe dokumentet që nevojiten për transferimin e studimeve nga universitete jashtë vendit dhe ato private në këtë institucion të arsimit të lartë (sistemi me kohë të plotë). Dokumentet që nevojiten për transferimin e studimeve në UT janë këto: plotësimi i formularit për aplikim për transferim studimesh; plani dhe programi i studimit; lista e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara (në formë zyrtare me firmë dhe me vulë); kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme; për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri; të gjitha dokumentet duhet të jenë të certifikuara nga institucioni që i ka lëshuar; fotokopje e kartës së identitetit; mandat arkëtimi 1000 lekë, pagesa duhet kryer te Banka CREDINS në numrin e llogarisë 589007. Dorëzimi i aplikimit për transferim pranohet pranë zyrës së Protokollit të Rektoratit të Universitetit të Tiranës, nga data 25.08.2011 deri në datën 16.09.2011. Pas dorëzimit të aplikimit, vendimin për pranimin e studentëve të propozuar për transferim, e merr rektorati i çdo universiteti, pasi ka marrë mendimin e dekanatit përkatës, si dhe duke pasur parasysh mundësitë e kapacitetin e degës. Vendimi shoqërohet me të dhëna të hollësishme për studentin: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer. Për studentët që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, Komisioni i Ekuivalentimit, i ngritur pranë çdo departamenti, mbi bazën e dokumentacionit që ka dërguar universiteti përkatës përcakton detyrimet që do të ketë studenti, sipas planit mësimor në fuqi si dhe njohjen e shlyerjes së lëndëve me ekuivalencë. Përsa i përket tarifës së shkollimit, studentët që do të transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, do t’i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.