E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet e dyta, përcaktohen afatet dhe procedurat e aplikimit



Jonida Tashi

Nis më 1 shtator dorëzimi i dosjeve për të vijuar një fakultet të dytë, gjatë vitit akademik 2009-2010. Duke filluar që nga dita e parë e muajit shtator secili prej të interesuarve duhet të dorëzojë pranë sekretarisë së fakultetit ku dëshiron të marrë një diplomë të dytë dosjen e tij të kandidimit. Drejtuesit e universiteteve kanë vendosur që data 12 shtator të jetë afati i fundit i dorëzimit të dosjeve. Sakaq, janë përcaktuar edhe dokumentet kryesore që duhet të përfshijë dosja e kandidimit për të marrë një diplomë të dytë. Më konkretisht kjo dosje duhet të përmbajë: Diplomën e fakultetit të kryer; Listën e notave të fakultetit të parë; Dokument identifikimi; Dëshmi të njohjes së gjuhëve të huaja; CV-në; Kërkesën e të interesuarit për të vijuar fakultetin e dytë. Pas depozitimit të dosjeve, një komision i posaçëm i ngritur në secilin prej fakulteteve që do të ofrojnë diploma të nivelit të dytë do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve fitues. Burime nga këto fakultete bëjnë të ditur se më shumë prioritet për të fituar një fakultet të dytë do të kenë ata kandidatë që kanë zgjedhur një degë të ngjashme me atë të diplomës së parë. Por një kriter tjetër me mjaft peshë për t’u përzgjedhur si fitues do të jetë edhe mesatarja e notave që kandidati ka pasur në fakultetin e mëparshëm, e cila preferohet të jetë mbi tetë.
Kuotat
Për vitin e ri akademik, qeveria ka vënë në dispozicion 500 kuota pranimi për programin e dytë të studimit, të cilat janë përcaktuar në varësi të kapaciteteve të fakulteteve. Aktualisht, këto kuota po shqyrtohen nga specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe pritet që së shpejti të merret dhe vendimi për shpërndarjen e tyre në fakultetet që e ofrojnë këtë të drejtë studimi. Të drejtën për të ndjekur një program të dytë studimi e kanë të gjithë individët që kanë përfunduar një program studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar në një program të dytë studimi. Kështu, për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të dytë, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të parë, ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të. Institucionet publike të Arsimit të Lartë përcaktojnë në rregulloret mësimore përkatëse kritere specifike për pranimin e studentëve në çdo program studimi të ciklit të dytë, që lidhen me drejtimin e formimit të tyre në ciklin e parë dhe kualitetin e përgatitjes individuale të studentëve, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Këto kritere specifike bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion.
Kreditet
Të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është dy vite akademike. Kur një programi studimi të ciklit të parë i vlerësohen të pranueshme jo më pak se 120 kredite, struktura akademike përgjegjëse përcakton disiplinat në të cilët studenti duhet të bëjë plotësimet e krediteve të mangëta (debiteve të formimit). Në çdo rast, numri maksimal i krediteve të mangëta për t’u plotësuar nuk duhet të kalojë 60 kreditet. Mund të njihen si kredite të realizuara për një program studimi të ciklit të dytë, kredite të fituara në programet master i nivelit të parë, por jo më shumë se 12-15 kredite. Nuk njihen si kredite të realizuara për një program studimi të ciklit të dytë, kredite të fituara në çfarëdo program studimi të ciklit të parë. Njësitë kryesore, përgjegjëse për një program studimi të ciklit të dytë, japin informacionet e nevojshme për plotësimin e njohurive formuese (debiteve të formimit). Ato përcaktojnë edhe procedurat për kryerjen e këtyre plotësimeve para pranimit në programin e studimit të ciklit të dytë, duke organizuar për këtë qëllim dhe shërbime të nevojshme të kujdestarisë për studentët. Institucionet publike të Arsimit të Lartë mund të përcaktojnë, përveç titullit apo titujve të diplomave të nivelit të parë që duhet të zotërohen së paku nga studentët si kusht për pranimin e tyre në një program studimi të caktuar të ciklit të dytë, edhe kritere të tjera specifike, që bëhen publike. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, parashikohet realizimi i një teze diplome, si pjesë përbërëse e tij.

Dokumentet
Kërkesë me shkrim
Fotokopje të noterizuar të diplomës universitare
Fotokopje të noterizuar të listës së notave
Jetëshkrimi (CV)
Plani dhe programi mësimor i diplomave të realizuara
Pranimi i dokumenteve do të bëhet në fakultetet përkatëse deri më 12 shtator 2009

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›