Qeveria rivendos provimet e shtetit për punësimet në administratë
Rivendosen provimet e shtetit për të gjithë ata që mbarojnë studimet, para se të fitojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit. Qeveria ka vendosur të heq licencat për një sërë profesionesh si ai i mjekut, farmacistit, avokatit të cilat tashmë do të jenë të rregulluara me ligj. Qeveria miratoi dje, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave projektligjin “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”. Kryeministri Berisha e konsideroi të rëndësishëm këtë nismë ligjore, pasi rregullon me ligj ushtrimin e profesioneve në raport me publikun. “Ky provim ka ekzistuar dikur në shkollat në Shqipëri dhe ekziston në çdo vend. Vërtet mbaron shkollën, por ke nevojë që, para se të marrësh të drejtën e ushtrimit të profesionit, të bësh një praktikë në një kohë të caktuar. Një praktikë të tillë e bëjnë mjekët, të cilët nuk e ushtrojnë profesionin pa një stazh praktike pranë një klinike apo mjeku me eksperiencë, por tani kjo kodifikohet. Para se të ushtrosh profesionin e të njihesh si profesionist në atë fushë jep edhe një provim”,- u shpreh kryeministri. Ndërsa përsa i përket formës së zhvillimit të provimit për tu punësuar në shtetet, kryeministri bëri të ditur se provimi i shtetit do të jetë dixhital, një model i aplikuar me sukses edhe në vende të tjera dhe i rëndësishëm për të shmangur korrupsionin. Në mbyllje të fjalës së tij për këtë vendim, kreu i qeverisë ka urdhëruar verbalisht ministritë që të nisin punën për realizimin e provimit të shtetit. “Ne nuk mund të vendosim provime të tjera përveç provimit dixhital, që është plotësisht i mundshëm. Modele të tilla ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Ne e kemi këtë jetike për të shmangur korrupsionin. Ndaj, ashtu siç po veprohet me provimet në shkollat e mesme, Ministria e Arsimit dhe Ministritë respektive si Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për profesionet e inxhinierit, arkitektit, urbanistit etj., duhet të fillojë me seriozitetin më të madh përgatitjet për standardet e provimit të shtetit”,- ka përfunduar kreu i qeverisë.
Viti i ri akademik
Miratohen tre programe të ciklit të dytë
Hapen në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, të Universitetit Politeknik të Tiranës, programet e studimit, të ciklit të dytë, “Inxhinieri matematike” dhe “Inxhinieri fizike”. Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohet, përkatësisht, diplomë e nivelit të dytë, DND, në “Inxhinieri matematike” dhe “Inxhinieri fizike”. Këto programe studimi realizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është dy vite akademike. Po ashtu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, është çelur programi i studimit, të ciklit të dytë, “Matematikë e zbatuar”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në “Matematikë e zbatuar”.
27 Gusht 2009