Ndahet nga jeta i fundit i dinastisë Kenedi, bota ngushëllon
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë flamujt në gjysmështizë në institucionet qendrore të vendit: në Shtëpinë e Bardhë, në Kongres dhe në të gjitha objektet qeveritare, në shenjë zie për vdekjen e senatorit të fundit të dinastisë Kenedi, Eduard Kenedi. I njohur si një nga politikanët më të spikatur në historinë politike të SHBA-së, luan i liberalëve, ikonë e demokratëve, Ted Kenedi ka kaluar shumë tragjedi në jetë, vdekjen e dy prej vëllezërve të tij, ish-Presidentit Xhon Kenedi dhe ish-senatorit Robert Kenedi, të dy të vrarë nga plumbat. Senatori Kenedi shquhej për politikat e tij humanitare, mbështetjen e reformës shëndetësore, të pagave të punëtorëve dhe të drejtave civile, të emigrantëve. Presidenti amerikan, Barak Obama, i cili gëzoi mbështetjen e fortë të senatorit për t’u zgjedhur president, tha se ai dhe gruaja e tij ishin zemërthyer nga lajmi mbi vdekjen e senatorit Kenedi. Senatori Kenedi ka qenë anëtar i Senatit që nga viti 1962, për 47 vjet me radhë dhe vetëm dy ligjdhënës kishin shërbyer më gjatë në historinë 233-vjeçare të Amerikës. Liderë nga e gjithë bota kanë ngushëlluar ikjen e Kenedit. Që nga Britania në Australi, senatori është përshkruar si i përkushtuar ndaj mirësisë, drejtësisë dhe realizimit të mundësive. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli në një letër ngushëllimi drejtuar kryesisë së Senatit amerikan citon mes të tjerash se, “Senatori Kenedi mbetet një legjendë legjislative, ikonë e politikës, luftëtari për liri civile, besimtari inspirues i ëndrrës për demokraci”.