E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet përfundojnë vetëvlerësimin

26/02/2009  Akreditimi i universiteteve, angazhohen 30 pedagogë për raportin e vlerësimit të brendshëm

Agjencia gjermane “AQUIN” pritet të nisë testimin e institucioneve të arsimit të lartë

Fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë përfunduar procesin e vetëvlerësimit të cilësisë institucionale. Aktualisht rektorati i UT-së ka marrë në shqyrtim vlerësimet e bëra nga tetë fakultetet përkatëse, duke nisur kështu procesin e detajimit të raportit përfundimtar, i cili do të publikohet gjatë javës së ardhshme. Ndërkaq brenda një kohe të shkurtër pritet që të hapet procedura e testimit të institucioneve të arsimit të lartë nga kompania gjermane e përzgjedhur “AQUIN”. Nëpërmjet këtij testimi do të bëhet i mundur për herë të parë akreditimi i universiteteve sipas cilësisë që ofrojnë në tregun e studimeve. Testimi i universiteteve do të shtrihet në të gjitha strukturat universitare njëlloj, qofshin këto publike apo private në të gjithë vendin. Në fund të këtij testimi do të bëhet renditja e fakulteteve sipas rendit zbritës nga më i miri tek institucioni me rendimentin më të ulët. Për këto të fundit janë parashikuar penalizme të forta, të cilat do të jepen në rastet kur cilësia e ofruar është e dobët.

Vetëvlerësimi

Aktualisht ka nisur puna për shqyrtimin e vlerësimit të brendshëm që kanë dorëzuar këto institucione të arsimit të lartë. “Të dhënat e dala nga procesi i vlerësimit të brendshëm të fakulteteve, sipas kërkesave që ka Bolonja, do të publikohen javën e ardhshme përmes një raporti që po punohet nga rreth 30 pedagogë. Nëpërmjet këtij raporti do të specifikohen gjendja infrastrukturore e fakulteteve, të dhëna për stafin akademik, studentët dhe programet mësimore që ofrojnë këto të fundit”, - pohojnë burimet zyrtare të UT-së. Me mbylljen e kësaj procedure pritet që të hapet rruga drejt akreditimit të universiteteve, e cila do të kryhet nëpërmjet vëzhgimit të imtësishëm që kompania “AQUIN” do të kryejë për harkun kohor të përcaktuar në kontratë. Testimi do të konsistojë në vlerësimin me pikë të gjithë veprimtarisë së fakulteteve, duke përfshirë jo vetëm programet dhe kurrikulat studimore, por edhe kapacitetet, stafet akademike etj.

Penalizimet

Pas mbylljes së këtij vëzhgimi në të gjitha strukturat e arsimit të lartë në vend do të hartohet dhe lista përkatëse e universitete me pikët e arritura nga secili prej tyre. Kjo listë më pas i dërgohet Ministrisë së Arsimit, e cila nxjerr përfundimet përkatëse në lidhje me ecurinë e këtyre institucioneve. Listimi i universiteteve publike dhe private sipas rendit zbritës bazuar në cilësinë e ofruar do të orientojë studentët drejt mundësive më të mira të studimeve, si dhe eliminimin e atyre institucioneve që ofrojnë cilësi të dobët akademike. Mund të ketë penalizime të forta me mbyllje apo heqje licence për ato që do të rezultojnë me shkelje të kushteve ekzistuese.

Vlerësimi /Penalizimet

Për institutionet e arsimit të lartë që operojnë e ofrojnë diploma të përbashkëta me institucione të huaja të arsimit të lartë, si dhe për filiale të institucioneve të arsimit të lartë të huaja që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, vlerësimi dhe akreditimi bëhet duke marrë parasysh vlerësimin dhe akreditimin e tyre në vendin e origjinës.

Pas monitorimit të treguesve përkatës, vendimi për akreditimin mund të jetë pozitiv, negativ ose me kusht. Vendimi negativ bën që një institucion ose program të mos njihet zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë. Nëpërmjet kësaj procedure do të bëhet dhe një klasifikim i institucioneve universitare sipas cilësisë që ofrojnë, nga më i miri deri tek më i dobëti.

Çdo institucion apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat përpara lëshimit të diplomave të para i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në vend. Më pas bëhet akreditimi periodik, që kryhet çdo 6 vjet dhe është i detyrueshëm për të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›