Fakultetet, si të plotësoni formularin A2
zirina llambro
Maturantët do të kenë disa javë kohë për të plotësuar formularin A2. Ministria e Arsimit publikoi dje formatin përfundimtar për mënyrën se si kandidatët do të përcaktojnë 10 degët e preferuara për në universitet. Ata duhet të përzgjedhin mes 215 të tillave, të renditura sipas shkollave të larta. Për të marrë formularin A2, nxënësi duhet të ketë kryer pagesën prej 2000 lekësh në një bankë ose në Postën Shqiptare dhe të paraqesë faturën e saj. Por sakaq specialistët e ministrisë i ftojnë të gjithë maturantët të mos nxitohen. Ndryshe nga një vit më parë, A2 kësaj here është i personalizuar. Çka do të thotë që çdo kandidat për në shkollat e larta do të tërheqë vetëm kopjen që i korrespondon gjeneraliteteve të tij. Të dhënat e tyre personale tashmë janë marrë nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve, pas dorëzimit të formularit A1 ku caktuan lëndët me zgjedhje. Leximi i formularit do të bëhet me skaner. Krahasuar me maturën e vjetshme, veç disa lehtësirave në plotësim dhe shtimin e rreth 20 degëve të reja, ndryshimet janë të pakta.
Llogaritni pikët
Para se të rendisni preferencat duhet të bëni një llogaritje të përafërt të pikëve, që keni grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë. Pas kësaj, konsultoni në faqen zyrtare të ministrisë pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues, kandidatët e një viti më parë. Në këtë moment ju do keni një ide se çfarë programe studimi duhet të zgjidhni brenda 10 të mundshmeve. Pas kësaj formoni një listë ku programet e studimit i rendisni jo vetëm sipas preferencave, por edhe mundësisë që ju keni për të fituar në këto preferenca. Pra, e para (programi i parë) do të jetë dega që preferoni më shumë dhe, e dyta ajo që preferoni, nëse nuk do të fitoni në të parën, e kështu me radhë deri te preferenca 10. Pasi të kenë bërë provat përkatëse dhe të kenë vendosur mirë për zgjedhjen që do të bëjnë, maturantët do ta dorëzojnë atë pranë shkollave të mesme, ku kanë përfunduar studimet. Pasi të kenë kryer këtë procedurë ata nuk do të kenë mundësi të ndërrojnë mendje. Nuk do të ketë shans të dytë në rast se bëhen pishman për degët që kanë zgjedhur. Për këtë arsye duhet të bëjnë kujdes.
Si të plotësoni A2
Për të mos gabuar gjatë plotësimit, kandidatët për në shkollat e larta duhet të ndjekin disa hapa. Me anën e formularit A2 merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për degët e universiteteve. Maturantët mund të fotokopjojnë këtë formular për t’u praktikuar, por duhet të dorëzojnë formularin origjinal të plotësuar. Ata duhet të lexojnë me kujdes udhëzimin për plotësimin e A2. Në fillim mësuesi kujdestar bashkë me nxënësin plotësojnë mesataren e shkollës së mesme me numra dhe me fjalë. Pasi është vendosur për programet e studimit të preferuara dhe renditjen e tyre, plotësohet kodi i programit të studimit për secilën preferencë, nga preferenca 1 deri në preferencën e 10. Pas kësaj në kuadratin pranë programit të studimit, do të vendosni numrin e preferencës. Kodi i programit të studimit, i shënuar te tabela e preferencave, duhet të jetë i njëjtë me atë ku është shënuar numri i preferencës përkatëse. Nga sa ka përcaktuar Ministria e Arsimit është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave. Ndryshe formulari A2 quhet i pavlefshëm. “Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund t’i plotësoni me tre 0”, sqaron ministria. Nëse do të ketë korrigjime në formular, gjithashtu maturanti do të humbë të drejtën për në shkollë të lartë