E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, simpatizantët e PS-së në tension për kutitë e bllokuara

 

FIER – Brenda 24 orësh, qyteti i Fierit ka përjetuar dy herë tension. Grupet e simpatizantëve të Partisë Socialiste, të cilët ishin mbledhur mbrëmjen e së mërkurës për të mos lejuar largimin gjatë natës së kutive të votimit nga KZAZ 20 drejt Tiranës, u larguan vetëm rreth orës 03:00 të ditës së djeshme. Qytetarët fierakë, simpatizantë e mbështetës të PS-së kanë qëndruar në oborrin e shkollës “Perikli Ikonomi” të palëvizur. Vetëm në këtë kohë, kandidati socialist për deputet në Fier, Gramoz Ruçi, kërkoi shpërndarjen e tyre, pasi u bëri të ditur se KQZ do të vendoste për kutitë dhe kishte garancinë e ndërkombëtarëve se nuk do të kishte abuzime. Ruçi u bëri të ditur se kutitë e votave të Libofshës do të largoheshin  nga Fieri vetëm gjatë ditës, çka ndodhi realisht mesditën e djeshme. Menjëherë pas kësaj ore, simpatizantët vendosën të largoheshin prej andej. Orët e mëngjesit në të gdhirë, pranë godinës së gjimnazit mbizotëronte një qetësi absolute. Në oborr ndodhej një furgon policie, ndërsa në derën e KZAZ-së hynin e dilnin vetëm komisionerët. Nuk është shfaqur aty ditën e djeshme asnjë prej përfaqësuesve të forcave politike. Rreth orës 13:00 u nisën me një kamion 100 kutitë e përfunduara në mënyrë të rregullt, ndërsa 20 minuta më vonë, më një makinë më të vogël, u nisën drejt KQZ-së tre kutitë me fletët e votuesve të Libofshës. E njëjta situatë u krijua para godinës së shkollës së mesme industriale, ku ndodhet KZAZ nr.18 në Fier. Dhe në këtë rast mësohet se vendimin për kutitë e shpallura të pavlefshme nga demokratët ta marrë KQZ-ja, ashtu si në rastin e Libofshës.                              m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›