Kutitë e Laçit do numërohen sot nga KQZ
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zgjidh pas disa orë negociatash mes dy drejtuesve të saj, numërimin e votave në 6 qendrat e zonës zgjedhore 39 të Lezhës. Për çështjen e 6 kutive të KZAZ numër 39 janë shtyrë dy mbledhje, gjersa është arritur në një konsensus. Në mbledhjen e parë të drekës, KQZ-ja kishte përgatitur një akt të sajin në të cilin parashikohej që KQZ-ja të realizojë numërimin e votave në 6 kutitë, me numër 0900, 0902, 0903, 0909, 0917 dhe 0853. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi kërkoi që të zbatohej qartë procedura nëse rolin e KZAZ-së duhet ta marrë institucioni që ajo bën pjesë, apo duhet të shpallet rezultati i zgjedhjeve më parë dhe më pas të ankimohet për të marrë në shqyrtim 6 kutitë e kontestuara. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani u shpreh që kutitë të numërohen, duke u kthyer në rolin e një KZAZ-je, pasi kemi të bëjmë me një rast ekstra ligjor. “Kemi pasur dhe më parë precedentë që kanë të bëjnë me numërimin e votave që është bërë më parë nga KQZ-ja me Pogradecin dhe Bushatin”, theksoi Ristani. Anëtari Pandeli Varfi deklaroi se “nuk mundet që KQZ-ja të marrë rolin e KZAZ për shpalljen e ligjit, pasi është antiligjore”. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti ka cilësuar të drejtë propozimin e KQZ-së, për të numëruar kutitë e mbetura dhe më pas të shpallet rezultati. Kjo skemë e paraqitur parashikon që votimi të merrej katër me tre. Ndërsa ideja e propozuar nga ana e PS-së, për të realizuar shpalljen e rezultatit dhe më pas shqyrtimin e votave, kërkonte një votim të cilësuar 5 me 2 për t’u pranuar. Kërkesa e nënkryetares Dëshira Subashi, për të shtyrë mbledhjen, është pranuar për të vazhduar më pas. Pas mbylljes së mbledhjes së parë, Ristani dhe Subashi kanë zhvilluar një takim jashtë KQZ-së, në prani të përfaqësues së USAID-it. Pas katër orë pushim, KQZ-ja u mblodh në orën pesë të pasdites, por edhe tentativa e dytë ka dështuar, pasi Ristani mori vendim për të shtyrë me dy orë vendimin për shkak të mos arritjes së konsensusit. Në orën 19:00, KQZ-ja miratoi me shtatë vota pro aktin për numërimin e votave të 6 QV-ve në KZAZ e Laçit, për qarkun e Lezhës. Të gjashtë kutitë e votimit qëndrojnë në sallën e mbledhjeve të KQZ-së dhe presim që të numërohen. Mbi bazën e vendimit, sot në orën 09:00 do të jenë shtatë anëtarët e KQZ-së që do të kthehen në rolin e një KZAZ-je, duke bërë vetë vlerësimin e votave që janë në 6 kutitë. Mbi bazën e të dhënave zyrtare që ka KQZ-ja në këto gjashtë QV janë gjithsej 6321 votues, por ende nuk dihet se sa persona kanë votuar, por mendohet se mund të kenë votuar mbi 3 mijë zgjedhës. Ndërsa mësohet se këto kutitë janë të shpërndara në Laç, Mamurras, Fushë-Kuqe dhe Adriatik-Fshat..
qarku lezhe
Aleanca e Ndryshimit
PD 30252 vota
PR 1057 vota
PAA 1669 vota PDI 23 vota
PAD 312 vota
BLD 395 vota
PLL 983 vota
AMIE 11 vota
PADS 10 vota
PBK 81 vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 20909 vota
PSD 2254 vota
PDS 236 vota
PBDNJ 287 vota G99 356 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 2440 vota
PSV 1379 vota
Numri i zgjedhësve votues 71726