E Diel, 1 Nëntor 2026

Klasifikimi i biznesit, shtohen taksat, subjektet e vogla bëhen të mesme



Ervin Koçi

Ndryshimet e reja në ligjin “Për taksat dhe tatimet”, që ka bërë qeveria për vitin 2009, kanë sjellë ndryshime radikale në klasifikimin e subjekteve të biznesit në vend. Ndryshimi në klasifikimin e subjekteve ka bërë një rritje të taksave për të gjitha subjektet private, duke e bërë të papërballueshme nga ata pagesën e këtyre detyrimeve ndaj shtetit. Kështu, subjektet e konsideruara si “biznese të vogla”, me ndryshimin e ri, janë klasifikuar si “biznese të mesme”, në një kohë që subjektet e konsideruara si “ambulante” janë emërtuar “biznes i vogël”, duke u rritur barrën e taksave dhe duke i detyruar që të mbajnë librat e shitjeve dhe të blerjeve. Forma e re e tatimit mbi fitimin do të jetë një surprizë e hidhur, sidomos për sipërmarrësit e vegjël, që nuk kanë ruajtur në mënyrë të rregullt faturat fiskale. Përjashtuar profesionistët e lirë, e gjithë pjesa tjetër e sipërmarrjes së vogël rrezikon të paguajë më tepër sesa do të shlyente në rastin e mbajtjes së një minibilanci të rregullt. Shumë subjekte shërbimesh, por dhe njësi shitjesh në fare pak raste kanë vepruar gjatë vitit 2008 me fatura shitjesh dhe blerjesh. Nga kontrollet e bëra nga inspektorët tatimorë në zona të ndryshme të kryeqytetit është konstatuar se biznesi i vogël në asnjë rast nuk ka punuar me fatura shitjesh dhe as nuk ka mbajtur bilance të rregullta. Të vetmet raste kur ai ka pasur fatura kanë qenë blerjet nga biznesi i madh, sidomos i pajisjeve të ndryshme. Por ka edhe nga ata pronarë biznesesh të vogla që nuk dinë se çfarë duhet të bëjnë saktësisht për të qenë në rregull me detyrimin tashmë prej një viti në fuqi.

Penalitet për mosmbajtje bilanci

Normat e reja tatimore, që kanë hyrë në fuqi nga fillimviti i kaluar (2008), subjektet e “vogla” me një xhiro vjetore deri në 8 milionë lekë do të duhet të derdhin në shtet tatimin mbi fitimin në masën 10 për qind. Por mungesa e ruajtjes së faturave duket se e ka bërë të vështirë mbylljen e bilancit vjetor të këtij biznesi. Problemi qëndron në faktin se shumë pak biznese rezultojnë të kenë ruajtur faturat tatimore, që do të justifikonin shpenzimet, në momentin kur tatimet do të fillojnë t’u llogarisin të ardhurat dhe fitimin. Mungesa e ruajtjes së faturave tatimore dhe bilanceve të shitjeve dhe blerjeve në librat e shitjes dhe të xhiros nga ana e subjekteve të biznesit, i rrezikon këta të fundit që të penalizohen nga ana e tatimeve. Kjo gjë ka bërë që shumë sipërmarrës të mos jenë të sigurt për të ardhmen e tyre, pasi shumë prej tyre nuk e dinë me saktësi se me çfarë do të përballen në momentin e mbylljes së bilancit vjetor. Ata druhen nga një “dorë e fortë e tatimorëve”, ku në një rast të tillë nuk ngurrojnë të shprehen se “mund të shikojnë edhe mundësinë e mbylljes së aktivitetit, si me që edhe puna ka shënuar rënie në krahasim me një vit më parë”. Pikërisht ky vit që sapo ka nisur pritet të jetë një vit prove i vështirë për shumë biznese të vogla shqiptare. Mungesa e ruajtjes së faturave tatimore, e parashikuar tashmë prej një viti, pritet t’i çojë sipërmarrësit e vegjël drejt një rreziku të paralajmëruar.

Afati i pagesave

Për të gjitha subjektet e biznesit të vogël fitimi do të tatohet në masën 10 për qind deri në marsin e këtij viti, dhe më pas do të hyjë në fuqi klasifikimi i ri. Megjithëse subjektet e vogla e kanë paguar në fillim të vitit të kaluar (2008) tatimin fiks të biznesit të vogël, për fundin e vitit të kaluar deri në mars të këtij viti, do të bëhet rivlerësimi i të ardhurave dhe fitimit. Në rast se tatim fitimi rezulton më i lartë se shuma fikse e paguar në fillim, atëherë biznesi duhet të paguajë diferencën shtesë. Në rast se rezulton më i ulët, biznesit do t’i kthehet shuma e paguar tepër gati një vit më parë (në fillim të vitit të kaluar fiskal). Por, për një pjesë të mirë të bizneseve pritet të ndodhë e para. Sipërmarrësit që nuk kanë ruajtur faturat tatimore shmangin pohimet në emër të tyre, pasi nuk duan të bien “në sy” të tatimoreve. Ata gjenden në të gjithë sektorët, duke filluar nga ai tregtar, deri te shërbimet apo punishtet e vogla artizanale. Ka kaluar pothuajse një vit dhe biznesmenët jo vetëm që nuk duken të kenë njohuri për këtë formë të re të ushtrimit të aktivitetit, por as nuk duket të kenë interes. Sipas tregtarëve, të ardhurat kanë rënë ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Bizneset pa bilance dhe fatura të rregullta rrezikojnë penalitetet

Procedura e mbajtjes së minibilanceve për sipërmarrësit e vegjël duket formale, edhe për një tjetër arsye: Tatimorët vendosin atë masë detyrimi që vlerësojnë të arsyeshme. Kështu që për bizneset e vogla, “ruajtja e faturave është thjesht një punë e tepërt administrative”. Ndaj, sipërmarrësit, kryesisht tregtarët, por dhe sipërmarrës të vegjël në sektorin e shërbimit, vazhdojnë t’i shmangen blerjes me faturë dhe, si rrjedhim, edhe shitjes me to. Por ekspertët kontabilistë paralajmërojnë sipërmarrësit e vegjël se, prezantimi i një dokumentacioni të parregullt pranë organeve vendore tatimore do t’u kushtojë shumë atyre. Shmangia e operimit me fatura blerje dhe shitje, çka është një tendencë e sipërmarrësve të vegjël, do të sillte një evazion më të madh fiskal, sipas kontabilistëve. Shitja me fatura tani për tani është vetëm në interes të sipërmarrësve të mëdhenj, pasi kështu ata justifikojnë blerjet apo prodhimin e tyre. Pikërisht këtu është kapur edhe organi tatimor për të gjetur një zgjidhje. Nëpërmjet një përllogaritje të kryqëzuar tatimorët do të arrijnë të vlerësojnë tatimin mbi të ardhurat e biznesit të vogël. Ekspertët tatimorë të drejtorive rajonale kanë marrë urdhër që të verifikojnë shitjet e biznesit të madh duke vlerësuar kështu blerjet e biznesit të vogël. Sipas kontabilistit Agim Binaj, “kush nuk ka mbajtur fatura të rregullta, do të detyrohet të paguajë më shumë”.

Mungesa e kasave fiskale, një tjetër mundësi për të penalizuar bizneset

Viti i kaluar (2008) u kuptua për një pjesë të mirë të bizneseve si viti i parë i provës i hyrjes në fuqi të procedurës së re në bazë të së cilës do të tatoheshin aktivitet. Por, pas pak muajsh (në fund të vitit fiskal), parregullsitë e bizneseve për mosmbajtjen e bilanceve dhe librave të shitblerjes nuk do t’i justifikojnë subjektet dhe sipërmarrësit para organeve tatimore. Sipas ekspertëve kontabilistë, “efektet e ligjit pritet të jenë tërësisht të plota në fund të vitit fiskal”. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, sipas tatimorëve dhe ligjvënësve, procesi parashikohej të shoqërohej edhe me vendosjen e kasave regjistruese në çdo subjekt tregtar, ndaj do të nistë përdorimi i tyre, blerja me fatura, por edhe pajisja e klientit me faturën e shitjes. Të gjitha këto fatura, në bazë të normave tatimore do të ruheshin, madje, sipas parashikimeve të ekspertëve, subjektet e vogla do të fillonin t’u drejtoheshin kontabilistëve. Por, në biznesin e vogël arkat regjistruese vazhdojnë të mungojnë dhe janë ata që kanë hartuar regjistrat e thjeshtë të shitblerjes. Tregtarët në kryeqytet, tregojnë se fitimet e tyre kanë ardhur në rënie.

Profesionistët e lirë, më të rregullt në mbajtjen e bilanceve

Profesionistët e lirë, si: stomatologët, klinikat e ndryshme private, avokatët, noterët etj., pritet të kenë më pak probleme me mbylljet dhe kontrollin e bilanceve të tyre. Profesionistët e lirë, të cilët ushtrojnë aktivitetin privatisht, fundi i vitit fiskal i gjen më të qetë për vetë faktin se ata duket t’i kenë marrë masat prej muajsh. Më të informuar rreth formës së re të tatimit dhe më të kujdesshëm për të mos paguar më tepër se ç’duhet, ata tregojnë se gjatë vitit që kaloi kanë punuar me fatura tatimore, si në blerjen e materialeve edhe në ofrimin e shërbimeve. Ndër profesionistët e lirë, më mirë paraqiten studiot e konsulencës financiare apo ekonomike në tërësi, që i kalojnë 2 milionë lekë xhiro vjetore, të cilët nuk mund të mos respektonin normat e reja. Por megjithëse shumë prej profesionistëve të lirë nuk besojnë shumë te kjo formë e tatimit për sa kohë mungojnë kasat regjistruese, ata duket të kenë zgjedhur formën e të “qenit në rregull” me tatimorët duke respektuar formën e re të përllogaritjes së tatim fitimit.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›