E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakulteti i Mjekësisë, në universitet

Grup pune për të realizuar projektin e ngritjes së një rektorati që do të ketë në varësi plot tri fakultete

Një plan afatmesëm për të cilin ka nisur puna, do ta shndërrojë Fakultetin e Mjekësisë në një universitet. Kështu pritet të realizohet projekti i përfolur disa herë nga përfaqësues të shëndetësisë, për kthimin e këtij fakulteti në një universitet që do të ketë në varësi tri fakultete. Dy ditë më parë, në Këshillin e Ministrave është kërkuar që grupi i specialistëve të përcaktojë të gjitha ndryshimet e nevojshme, si fillim në legjislacion e më pas për të vendosur për modalitetet e tjera. Aktualisht në Fakultetin e Mjekësisë, dega e Stomatologjisë dhe Farmacisë janë të ndara në dy departamente. Ndërkohë pritet që këta dy sektorë të ndahen përfundimisht në dy fakultete. Bashkë me Fakultetin e Infermierisë bëhen plot tri fakultete dhe sipas ligjit, në këto kushte, Fakulteti i Mjekësisë merr rolin dhe veprimtarinë e një universiteti të plotë, me fakultete, departamente dhe gjithçka tjetër i nevojitet për të mbajtur këtë titull.

Grupi i punës

Edhe në mbledhjen e fundit të Task Forcës së shëndetësisë, është diskutuar mes specialistëve se grupi i punës dhe të gjithë përgjegjësit lidhur me realizimin e këtij projekti të bëhen gati dhe të përcaktojnë të gjitha ndryshimet legjislative, fondet, si dhe të parashtrojnë kërkesat për kthimin e dy departamenteve në dy fakultete, për të vendosur më pas për plane të tjera afatmesme, apo afatshkurtra. Konkretisht në mbledhjen e Task Forcës së shëndetësisë është kërkuar që të merren iniciativat e nevojshme ligjore për të kryer “spostimin” e departamentit të stomatologjisë dhe farmacisë në fakultetet respektive.

Një vend me rëndësi në diskutimet në takimin e Task Forcës iu kushtua çështjes së universitetit mjekësor, e për të bërë hapat e duhur e të matur në këtë drejtim, Kryeministri i kërkoi ministrave të linjës dhe dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të punojnë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për kalimin e departamenteve të stomatologjisë dhe farmacisë në fakultetet respektive, si dhe kërkoi t’i krijohet hapësira e duhur punësimit dhe konkurrimit të mjekëve të rinj e të talentuar, me kontribute e aktivitete të shprehura shkencore. Njëkohësisht me projektin dhe hapësirat ligjore, specialistët e mjekësisë duhet të kryejnë edhe propozimet e tyre lidhur me amendimin e ligjit të arsimit të lartë, për pjesën që prek institucionet universitare.

Zgjedhja e shefave të shërbimeve

Ligji për arsimin e lartë, në pjesën kur flet për zgjedhjet në krye të shërbimeve në institucionet universitare e shëndetësore, do të mbetet i pandryshuar lidhur me kriterin e parë të titullit të nevojshëm. Kjo do të thotë se shefat e shërbimit duhet të kenë me patjetër titullin “Profesor”, më pas kriteret nëse duhet ta kenë marrë në universitetet perëndimore apo ato shqiptare, do të shqyrtohen gjatë rrugës. Nga ana tjetër, një gjë dihet me siguri dhe është konfirmuar madje edhe nga Kryeministri, në punë apo në mësimdhënie, duhet t’u jepen hapësirat dhe mundësitë e nevojshme për afirmim mjekëve të rinj, sidomos atyre që kanë mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera, në mënyrë të veçantë ata që kanë përfituar diploma dhe specializime jashtë vendit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›