Kosovë-Maqedoni, shtohet kontrolli në kufi
Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se kanë shtuar vigjilencën në brezin kufitar me Maqedoninë pas incidentit të fundit, në të cilin katër qytetarë humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë maqedonase, në mesin e të cilëve edhe një shtetas i Kosovës.
Bëhet e ditur se forca paqeruajtëse KFOR, që është përgjegjëse për kufirin Kosovë-Maqedoni, nuk ka qenë e përfshirë në aksionin e autoriteteve maqedonase për kapjen e personave që dyshoheshin për trafikim të armëve.
Burimet zyrtare thonë se asnjë incident nuk është regjistruar në anën kosovare të kufirit.
Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, e vlerësoi situatën në brezin kufitar me Maqedoninë si të qetë dhe të qëndrueshme, ndërsa konfirmoi se është shtuar mbikëqyrja e policisë në atë zonë.
“Mund të them se kemi një mbikëqyrje më të shtuar, por vijën kufitare e ka nën përgjegjësi KFOR-i dhe unë s’mund të flas në emër të tyre”, deklaroi zëdhënësi Kelani.
Ai tha se policia nuk kishte vërejtur grupe të trafikantëve të armëve, duke lëvizur nga Kosova në Maqedoni dhe anasjelltas, por nuk përjashtoi mundësinë që kjo të ketë ndodhur.
Thirrje për ulje të tensioneveZhvillimet e fundit në Maqedoni po ndiqen me vëmendje në Kosovë. Kjo jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike të vendit ku ka ndodhur incidenti, por edhe për shkak të përfshirjes së një shtetasi kosovar në përleshjen e armatosur me policinë maqedonase.
Qeveria e Kosovës ka dënuar incidentin dhe ka bërë thirrje për ulje të tensioneve ndëretnike.
Zëdhënësi Memli Krasniqi tha se koha e armëve tanimë ka kaluar dhe të gjitha kontestet politike apo të ndonjë natyre tjetër, duhet të zgjidhen brenda një kornize politike.
“Për Republikën e Maqedonisë, korniza për zgjidhjen e të gjitha problemeve është Marrëveshja e Ohrit dhe ne i ftojmë të gjithë që t’i ulin tensionet, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të tejkalohet situata në mënyrën më të mirë të mundshme që do të ishte në të mirën e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, por edhe rajonit në tërësi”, tha ai.
Mbështetjen e tij për funksionimin e rendit dhe ligjit në Maqedoni e ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se është në interesin e Kosovës dhe Maqedonisë që të bashkëpunojnë më ngushtë për të parandaluar krimet ndërkufitare.
“Kosova ka një vullnet për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e çfarëdo lloji me të gjitha vendet fqinje, por mendoj se duhet të thellojmë bashkëpunimin me Maqedoninë për të parandaluar cilindo lloj trafiku ndërkufitar, veçanërisht trafiqet e kësaj natyre që paraqesin rrezik për jetën e njerëzve dhe të rendit”, tha për Haradinaj.
Kjo nuk është hera e parë që incidente të ngjashme ndodhin në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, ku përfshihen shtetas të të dyja vendeve.
BBC
#