E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Falangat e mafies 11-vjeçare s’donin numërimin e votave”

24-07-2011 / Gazeta 55

Qytetarët refuzuan kulturën e kazanit, votuan kulturën e qytetarit 

Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha, duke e konsideruar koalicionin e Partisë Socialiste, “Aleanca për të Ardhmen”, si aleancë kazani të mbushur me akuza, shpifje dhe trillime ndaj kundërshtarëve, tha se ndëshkimin e mori nga vota e qytetarëve. Sipas kreut të qeverisë, qytetarët votuan për kulturën e qytetarit, pasi në Tiranë u përball morali qytetar me mafien më të rrezikshme që për 11 vite pllakosi dhe asfiksoi kryeqytetin.
“Në Tiranë u përballën dy kultura. U përball kultura e qytetarit me kulturën e kazanit, të sharjeve e shpifjeve të papërmbajtura e të gjithanshme. Në Tiranë e mbarë Shqipërinë, qytetarët votuan kulturën e qytetarit. Në Tiranë u përball morali qytetar me mafien më të rrezikshme dhe tentakulat e saj, që për 11 vite e ngërtheu kryeqytetin në mënyrën më të pamëshirë. Këto klane bënë gjithçka që vullneti i qytetarëve të Tiranës të mos triumfonte, bënë gjithçka që të nëpërkëmbnim këtë vullnet, siç kishin bërë në zgjedhjet e mëparshme, bënë çdo gjë që të mbanin Tiranën nën kthetrat e tyre”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, gara në Tiranë ishte e ngushtë për kryetarin, ndërsa ishte e gjerë dhe e plotë në tre garat e tjera.
“Në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, ne kërkonim dhe kërkojmë të numërohet çdo votë, të vlerësohet çdo votë. Ky ishte dhe ky do të jetë parimi ynë themelor. Në këtë garë të ngushtë, prova ishte e sistemit. Zoti Rama kërkoi me dhunë e terror, me falangat e mafies, me kërcënime primitive ndaj drejtuesve të institucioneve të pavarura, se do të arrestohet ky apo ai, në një sagë të hakmarrjes për drejtësi ndaj tyre, me çdo kusht që t’u impononte shqiptarëve një rezultat paraprak për një rezultat zyrtar. Por kjo nuk ka ndodhur, nuk ndodh dhe nuk do të ndodhë kurrë, për sa kjo forcë politike do t’i besojë lirisë dhe votës së lirë si zemreku i saj. Për të mposhtur vullnetin e qytetarëve të Tiranës u rrethua për ditë me radhë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u kërcënuan fizikisht drejtues të këtij Komisioni, u nis një breshëri ultimatumesh. Ndërsa ne ishim të vendosur të mbronim votën, të numëronim votën. Në momentin kur ne nuk do te jemi në gjendje të numërojmë publikisht votën e shqiptarëve, ne nuk meritojmë të ekzistojmë. Ajo është çështje ‘to be or not to be’, për çdo forcë politike që i beson lirisë dhe vlerave të saj. Ndaj dhe ne vendosën të mbajmë qëndrimin tonë, zëri i çdo qytetari të dëgjohet, çdo votë e vlefshme të numërohet. U krijuan skena nga më primitivet, të cilat duhet kohë të fshihen nga memoria e shqiptarëve dhe memoria e Europës. Ne shprehëm besimin tonë të plotë tek shteti ligjor i vendit dhe institucionet e pavarura. Për ne, kishte rëndësi vendimtare mbizotërimi i shtetit ligjor. Ne nuk mohuam kurrë se zoti Rama ishte 10 vota para, ndonëse ligji i vendit nuk parashikonte dhe nuk parashikon shpalljen e rezultatit paraprak. Ne deklaruam se ky ishte rezultat paraprak, por atë që nuk mund të pranonim, ishte se nuk mund ta pranonim atë për rezultat përfundimtar. Ne pranojmë ligjet e vendit”, tha Berisha.
Ai vuri në dukje se numërimi i votave të hedhura në kuti të gabuara janë një dukuri e rëndomtë në vendim me demokracinë më të konsoliduar, më të madhe në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë frekuente në demokracinë parlamentare më të vjetër të Europës, Britaninë e Madhe, janë në një seri shtetesh të tjera fenomen konstant.
“Ne, pa asnjë mëdyshje, marrim shembullin e tyre. Në një takim me një grup miqsh, unë u deklarova atyre se ne frymëzohemi, mësojmë e marrim shembujt tuaj. Kjo është lehtësia jonë e madhe, avantazhi ynë i madh në ndërtimin e demokracisë në këtë vend. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, rezultate të ndryshuara nga këto vota kanë shkuar në gjykatë. Për këtë, zoti Rama është për t’u vlerësuar. Ju drejtua gjykatës. Të 8 gjykatësit shqiptarë, njëlloj si gjykatësi Mac R. Fisher i Riverside, në vitin 2010, në dy gjykime deklaruan se këto vota nuk mund të përjashtohen, se ata dhe askush tjetër nuk kanë autoritet të përjashtojnë votat e qytetarëve të vendit të vet, ku është shprehur qartë vullneti i tyre. Pra, këto zgjedhje shënuan një triumf të vërtetë jo vetëm të projektit të “Aleancës për Qytetarin”, por një triumf të vërtetë të shtetit ligjor, institucioneve të pavarura kushtetuese, të cilat numëruan çdo votë, njëlloj si në demokracinë më të madhe të botës, kur pati një problem debati, para disa rrjeteve televizive. Sot, nuk ka një shqiptar, mik të Shqipërisë apo tjetër që mund të thotë se kjo fitore bazohet qoftë edhe në një votë të vetme kallpe. Ju e patë që edhe vota e Presidentit u gjet aty ku ishte. Ajo nuk mund të ‘disfranchise’”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›