E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlerësimi i votave të hedhura gabim, Kolegji plotësoi ligjin elektoral

24-07-2011 / Gazeta 55

“Institucionet kushtetuese të vendit pasuruan doktrinën elektorale të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Kështu deklaroi dje kryeministri, duke iu referuar vendimit të Kolegjit Zgjedhor të Apelit, i cili duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së, legjitimoi votat e hedhura në kutinë e gabuar. Berisha reagoi ndaj pretendimeve të opozitës se KQZ ndryshoi rregullat e lojës. Sipas tij, akuzat e PS-së janë mirëfilltazi politike dhe se për pretendimet e ngritura nuk ekziston qoftë edhe një dokument i vetëm.
“Me vendimet e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ndryshoi as edhe një rregull të vetëm loje. Le të na thonë zotërinjtë që pretendojnë për këtë, le të na tregojnë dokumentin, cili dokument është ndryshuar. Kanë imagjinatë! Nuk është ndryshuar asnjë dokument, por zbatojmë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor që urdhëron numërimin e këtyre votave. Gjykatat e vendit nderuan parimet e mëdha të Kushtetutës së vendeve të lira demokratike. Njëlloj si gjykatat e vendeve më të zhvilluara, ato vendosën se këto vota nuk mund të përjashtohen, se këto vota duhet të gjenden, qëmtohen dhe numërohen, aty ku ndodhen”, tha Berisha.
Ai falënderoi të gjithë anëtarët, simpatizantët, zgjedhësit, drejtuesit e Partisë Demokratike në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, për punën e tyre të jashtëzakonshme që bënë, arkitektë të një fitoreje të mrekullueshme. Gjithashtu, Berisha falënderoi anëtarët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, për vullnetin e treguar më 8 maj.
“Dua të falënderoj përzemërsisht zgjedhësit për votëbesimin e tyre në tërësi, kandidatët e PD-së, për fushatën e shkëlqyer që bënë, për rezultatin dhe fitoret e tyre. Një mirënjohje të thellë dua t’u shpreh këtu të gjithë aleatëve të Partisë Demokratike, anëtarëve të koalicionit ‘Aleanca për qytetarin’, koalicioni më i fuqishëm që vendi ka njohur, të falënderoj të gjithë kandidatët e tyre për fitoren që arritën. Por unë dua të falënderoj gjithashtu, edhe kandidatët që humbën. Ne nuk jemi parti e persekutimit. Do të donim t’i kishim fitimtarë, por të mos harrojmë se humbja e tyre nuk mund të personalizohet. Humbja e tyre është një proces që do të analizohet, por ata vetë, familjet e tyre, strukturat rreth tyre bënë një punë të madhe. Në politikë nuk ka fitore të përjetshme, as humbje të përjetshme. Dua të përgëzoj të gjithë fitimtarët e të gjithë spektrit politik, që kanë merituar besimin e qytetarëve dhe t’i garantoj si Kryeministër i vendit, si qeveri, si mazhorancë, se do të punojmë me përkushtim të madh në projektin ëndërr të çdo shqiptari, Shqipëria-vend i zhvilluar”, deklaroi Berisha.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›