E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faleminderit NATO!

 

Sot, ne shqiptarëve, aleanca më e madhe politike dhe ushtarake Euroatlantike do të na japë dorën për t'u shkëputur përfundimisht nga tranzicioni i stërzgjatur post-diktaturë. Sot, Shqipëria mund të ndjehet krenare se ka dëshmuar dhe se ka fituar aftësi të mjaftueshme për të qenë partnere dinjitoze brenda zhvillimeve madhore në skakierën e sigurisë kombëtare, rajonale e globale. Askujt nuk do t'i shkonte ndërmend 11 vjet më parë, se ne do të ringrinim edhe një herë Forcën tonë të Armatosur dhe të shkonim të kontribuonim në misione paqeruajtëse me trupa në Bosnjë, në Afganistan dhe në Irak, në përbërje të Koalicionit të Vullnetit. A mund ta imagjinonte dikush se vendet e rajonit të "fuçisë së barutit" do të ndërtonin një Brigadë të përbashkët të Evropës Juglindore dhe një Task Force Xheniere të Përbashkët, tashmë për të ndërtuar dhe jo më për të shkatërruar. Prandaj, sot, ne shqiptarët ndjejmë kënaqësi dhe mirënjohje për punën që është bërë dhe po bëhet për rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura dhe reputacionit të tyre nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në operacionet ushtarake e paqeruajtëse në botë.

Faleminderit NATO për ftesën, për shpresën që po i jepni shqiptarëve dhe që po na konfirmoni se ëndrra europiane qenka e vërtetë, se një ditë pas anëtarësimit në NATO ne do të kthehemi përfundimisht në shtëpi dhe do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. Faleminderit NATO që po na pranoni në aleancën tuaj, edhe pse ne jemi ende shumë larg standardeve, detyrimeve, para-kushteve që duhet të kishim përmbushur për ta merituar plotësisht këtë ftesë. Faleminderit NATO që po na jepni një gëzim, pas një tragjedie që na vrau dhe na lëndoi të gjithëve.

***

Po shikoja disa nga emrat e delegacionit të Shqipërisë në Samit dhe po e them hapur se nuk ndjehem aspak i qetë për imazhin tonë përballë vendeve të tjera pjesëmarrëse aty. Imagjinoni se ç'perceptim qarkullon në atë tryezë, kur vetëm një javë më pare secili prej liderëve të delegacioneve pjesëmarrëse ka patur mbi tryezën e vet, në përmbledhjen e shtypit ndërkombëtar të ditës, të shkruar e zeza mbi të bardhë, se Kryeministri shqiptar dhe i biri, akuzohen për trafik ndërkombëtar armësh. Të gjitha delegacionet do t'i kenë sytë nga përfaqësuesit e Shqipërisë kur sot pasdite do të shqyrtohet ftesa për anëtarësim. Një president i një vendi, do t'i thotë një Kryeministri të një vendi tjetër, duke drejtuar shikimin nga delegacioni ynë, se ai më i vjetri aty tek shqiptarët është Berisha, ai që tha se gazeta "New York Times" është letër higjienike dhe vegël e mafiozëve. Ah, po, mund të përgjigjet homologu i tij; kam dëgjuar që ka qenë komunist 20 vjet...

Por meraku nuk mbaron këtu. Edhe ndërmjet Ministrave të Jashtëm të NATO-s do të ndjehemi me turp, sepse ky i yni është i vetmi Ministër në Samit, i hetuar për 350 milionë euro korrupsion. Një ministër i një vendi të NATO-s, mund t'i thotë kolegut të tij të një vendi tjetër, se ai më i riu në delegacion shqiptar po hetohet. Dhe, ministri i vendit tjetër mund t'ia kthejë: Sa qesharake! Ai kolegu ynë finlandez dha dorëheqjen se kishte harxhuar 5 euro mesazhe me një striptease, kurse ky shqiptari vazhdoka të jetë ende në detyrë!

Dhe bisedat vazhdojnë edhe për Ministrin e Mbrojtjes, të emëruar një javë më parë, ndërsa paraardhësi i tij është në hetim për 25 jetë të humbura, 300 të plagosur, 200 shtëpi të shkatërruara. Megjithatë, ne sot do t'i gëzohemi ftesës, të bindur se kemi shumë punë për të bërë duke filluar me ndryshimin e imazhit. Faleminderit NATO!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›