Një rast për t'u marrë shembull
Berti Ahrens, kryeministri aktual dhe kryetari i partisë më të madhe të Irlandës, habiti shumëkënd kur deklaroi papritmas se në Maj do tërhiqej nga të dy postet publike që mbante, për shkak të fillimit të hetimeve ndaj tij nga një gjykatë vendore. Për ta kuptuar më mirë kontekstin e ngjarjes duhet theksuar se jo vetëm që nuk ka ende asnjë akuzë zyrtare ndaj tij, por Ahrens vlerësohet sidomos, si një nga arkitektët e Marrëveshjes së Paqes të së Premtes së Mirë, së bashku me homologun e tij britanik të atëhershëm, kryeministrin simpatik Blair dhe nobelistin Gerry Adams, presidentin e Sinn Fein-it në Irlandën e Veriut. Për më tepër, Ahrens, i rizgjedhur tre herë rresht në postin e Kryeministrit të Irlandës, konsiderohej edhe arkitekti i mrekullisë ekonomike të këtij vendi, i cili brenda një kohe fare të shkurtër arriti të shndërrohet në një nga ekonomitë më dinamike të kontinentit. Për rrjedhojë, lajmërimi i tërheqjes nga skena politike i Ahrensit, i cili gjithashtu nënvizoi që kurrë nuk kishte marrë një ryshfet të vetëm gjatë jetës së tij publike, shkaktoi një "tërmet" të vërtetë, si brenda politikës irlandeze, ashtu dhe në republikat fqinjë të Irlandës së Veriut dhe Anglisë. Por ky politikan u tërhoq, për shkak se nuk donte që një hetim privat mbi të, të dominonte ligjërimin publik dhe politik të vendit të tij, duke e shmangur vëmendjen nga problematika e ditës.
Ky gjest i një politike me moral dhe virtyt, mund t'u duket si jashtëtokësor një pjese të politikanëve tanë që e konceptojnë politikën si një profesion pa të cilin nuk mund të rrojnë dhe që asnjë akuzë private apo publike, qoftë për korrupsion apo dështim në politika të caktuara, nuk mund t'i lëkundë nga karriget ku vegjetojnë prej tashmë dekadash. Dhe nuk kanë faj, pasi një pjesë e tyre, puna e parë që kanë bërë ka qenë ajo e deputetit, ministrit apo politikanit të "rëndësishëm" dhe tmerrohen nga ideja se një ditë do u duhet të punojnë në profesionet ku kanë mbrojtur diplomat universitare. Sa për një paralele të thjeshtë, po sjell në vëmendjen e lexuesit një rast nga SHBA-ja, ku ndër të tjera u hodh nga disa komentatorë politikë ideja që kandidati republikan për President, Xhon Mekejn, t'i propozonte Sekretares aktuale të Shtetit, Kondoliza Rajsit, të qënurit kandidate për zv.presidente e tij gjatë fushatës elektorale që po zhvillon. Megjithatë, kolegë dhe bashkëpunëtorë të Rajs-it e hodhën poshtë si mundësi, pasi thanë që znj.Rajs mezi po priste sa t'i rikthehej mësimdhënies në Stanford, universitet prestigjioz ky, ku më parë kishte qenë dekane që në moshën 28-vjeçare, në saje të aftësive dhe dijeve që kishte. Po ashtu, vlen të kujtohet refuzimi që ish-Sekretari i Shtetit dhe paraardhësi i Rajs-it, Kolin Pauell i bëri propozimit për të shërbyer për një term të dytë, një gjest ky që u mirëkuptua nga opinioni publik amerikan, me gjithë staturën publike dhe emrin e mirë që Pauell gëzonte.
Nuk është çudi, që një pjesë e mirë e politikanëve tanë tashmë gëzojnë një gjuhë të "rrjedhshme" kur vjen puna për të përsëritur pa pushim citate të tilla, si "integrimi euro-atlantik", "reformat që do mundësojnë integrimin në BE" e të tjera klishe të ngjashme që të sjellin ndër mend citatet e Mao-s dhe që kthehen në klishe. Këta politikanë që Evropën, Perëndimin, qytetërimin perëndimor i përsërisin si refrene natë e ditë, çuditërisht heshtin, në mos i deformojnë qëllimisht kritikat e po këtij Perëndimi, kësaj Evrope ku po duam të integrohemi dhe kësaj kulture civilizuese, ku nuk besoj se ka shqiptarë që mendon se nuk ndan të njëjtat vlera. Ajo që shpesh këta politikanë që vegjetojnë prej vitesh në politikë pa patur asnjë kontribut real, madje as formim solid profesionalo-kulturor-intelektual bëjnë, është vetëm vonim në kohë i kapjes së trenit që na ndan nga pjesa tjetër ku po duam të integrohemi. Dhe me integrim këtu nuk duhet kuptuar thjesht anëtarësimi, por mbi të gjitha të pasurit e një kulture të ngjashme politike, apo shërbimi civil, apo edukate dhe reagimi qytetar ndaj fenomeneve banditeske që na rrethojnë e kështu me radhë. Është pikërisht ai proces "evropianizimi" që ndonëse është artikuluar rëndom, pak kuptohet ose ligjërohet publikisht.
Natyrisht njerëzit, publiku, elektorati e ka një zgjidhje për të shpëtuar nga politikanë që as nuk njohin përgjegjësi, as kanë formimin e duhur për pozicionin që mbajnë dhe as gëzojnë mbështetje reale elektorale. Ky është ndëshkimi që mund t"u jepet me votë, si forma minimale demokratike në duart e cilitdo, votë e cila do u ndalojë anonimëve të tashëm dhe të ardhshëm, të korruptuarve të djeshëm dhe të sotëm dhe politikanëve kameleonë, servilë, të korruptuar dhe të paaftë të të gjitha ngjyrave të tallen me këtë popull që kanë 18 vjet që po e gënjejnë, tallin, përbuzin dhe vjedhin. Nëse kjo klasë politike (kuptohet, pa i futur të gjithë në një thes) është e paaftë të vetë-emancipohet, sipas modelit të asaj Evrope për të cilën bërtasin si në jerm, atëherë është detyra dhe obligimi njerëzor i cilitdo shqiptari për ta emancipuar atë, duke sjellë atë lloj ndryshimi për të cilin kemi nevojë të gjithë. Dhe që mos të përsëriten më as "Gërdecë" të tjerë.