E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtimi i diplomacisë ekonomike

Nikollaq Neranxi 

Edhe pse ka kaluar rreth një javë nga vizita e zonjës Dora Bakojanis në Shqipëri, ia vlen të bëjmë një analizë të ardhjes së saj, e cila duhet theksuar se kësaj radhe ishte në cilësinë e kryetares së radhës së OSBE-së. Ashtu siç edhe pritej, vëmendja dhe interesi mediatik u fokusua më tepër në cilësinë e ministres së Jashtme të atij vendi fqinj me të cilin historia e marrëdhënieve tona ka njohur një kurbë ulje-ngritjesh mjaft dinamike. Dhe natyrisht ishte në interesin tonë të kuptonim se në ç’pikë ishte kjo kurbë për momentin, sesa për të mësuar për axhendën tashmë të njohur të një organizate si OSBE-ja, e cila operon prej vitesh tek ne dhe në kohë fushatash dihet se çfarë roli ka. Jo vetëm prononcimet e kryediplomates greke, por edhe atmosfera e marrëdhënieve në përgjithësi, na bën të mendojmë se me shtetin fqinj, Greqinë, vendi ynë ka filluar një epokë të re marrëdhëniesh, ku gjuha e mosmarrëveshjeve i ka lënë vendin hap pas hapi vendin gjuhës me të cilën duhet të flasin dy vende partnere. Kjo u duk qartë edhe nga pohimet e zonjës Bakojanis, kur theksoi se vizitën e saj në cilësinë e kryetares së OSBE-së ka preferuar ta fillojë nga miqtë dhe fqinjët. Fakti që vendi ynë ka nisur rrugën pa kthim drejt Evropës, pavarësisht se jo rrallë sabotohet nga politikanët tanë qeverisës dhe të papërgjegjshëm, ka sjellë efektet e saj edhe në marrëdhëniet më të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por si për çdo vizitë të kësaj natyre, për opinionin publik është e rëndësishme të mësojë nëse vizita e ministres së Jashtme greke shënoi një hap përpara në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve apo mbeti thjesht në kuadrin e një vizite zyrtare protokollare? Ndërkohë që diplomacia greke edhe kësaj here ka ditur të flasë më së miri për interesat e saj kombëtare (siç dhe duhet të jetë), duket ashiqare se diplomacia jonë nuk ka ditur të përdorë të njëjtën gjuhë. Ndoshta pala jonë zyrtare ka patur vetëm idenë e një përfitimi politik dhe riaktualizim bisedash për interes të udhëheqësisë dhe jo trajtimin e disa çështjeve që nuk kanë vetëm kuptim politik. Ajo që do të priste shumica e qytetarëve dhe veçanërisht komuniteti i biznesit me ndërlidhje greko-shqiptare, në këto momente, ka të bëjë me masa të ndërsjella për përballimin e krizës dhe efekteve të shumta që ajo mbart. Të dy vendet aktualisht kanë ndërtuar një netuork bankar me një lidhje dhe shkëmbim reciprok. Treguesit e qarkullimit bankar dhe të raporteve klasike të import-eksportit, pashmangshmërisht varen dhe ndikohen nga situatat në tregun dhe sistemet kombëtare të dy vendeve. Ky realitet rrëzon plotësisht tezat e të qenit të vendit tonë jashtë sistemit dhe jashtë goditjes që kriza globale shkakton në vendet e eurozonës. E vërteta është se prej disa muajsh, vendet kryesore të BE-së, por në veçanti edhe vendet e rajonit të Europës Juglindore dhe Ballkanit, janë në ecejake dhe bisedime intensive për përballimin e situatës agravuese. Të gjithë po planifikojnë masa lehtësuese dhe ndërtime politikash ekonomike dhe financiare në kushtet e reja. Ky angazhim është një premisë pozitive, mirëpo e pamjaftueshme për të përballuar shtrëngatën e madhe globale. Për këtë arsye, në Ballkan sot është nevoja për një bashkëpunim dhe diplomaci ekonomike të posaçme. Bëhet fjalë për një lëvizje emergjente. Rasti i vizitës dhe takimeve të shefes së diplomacisë greke në Tiranë, mendoj se u la pa u shfrytëzuar për këtë qëllim dhe rrezik. Natyrshëm lind pyetja, pse? A ishin mundësitë që në këto kushte diplomacia jonë të përfshinte në axhendën e bisedave edhe këtë angazhim? Mendoj se po. Madje si në asnjë rast tjetër të mëparshëm të vizitave të tilla, diskutimi për diplomacinë ekonomike të kësaj situate do të ishte i motivuar dhe me siguri i mirëpritur nga pala greke. Dikush mund të shprehet se “të tjera çështje janë parësore në marrëdhëniet shqiptaro-greke”. Natyrisht këtu nuk është fjala për një rend të çështjeve, por e kemi fjalën për një pragmatizëm që duhet të demonstrojë edhe administrata e shtetit tonë në këto marrëdhënie. Fjala është për një pragmatizëm dhe interes reciprok, i cili lidhet së pari me ekonominë dhe tregun lokal të dy vendeve. Dikush tjetër mund të thotë se ministrja Bakojanis diti të respektonte me rigorozitet tagrin e saj si shefe e radhës e OSBE-së, duke mos u thelluar në argumente të tjera, por e vërteta është se nuk duhet konsideruar asnjëherë e ekzagjeruar të flasësh me një përfaqësues të lartë të një shteti fqinj për të gjithë spektrin e problematikave që na paraqiten momentalisht. Kjo edhe për faktin se diplomacia greke në raport me Shqipërinë dhe veçanërisht me diplomacinë tonë, prej vitesh ka krijuar një sjellje partneriale. Ministrja Bakojanis në vizitën e kësaj jave ka shënuar disa pika përfitimi, të cilat jam i sigurt që javët e ardhshme, media dhe shtypi grek ka për t’ia njohur si merita dhe atribute të profesionalizmit të saj. Ndërsa ne nga përtej kufirit, kemi për të shijuar vetëm buzëqeshjet e liderëve tanë, të cilët mendojnë se me takime duarsh dhe përqafime, mund të fshehin realitetin e problemeve të pazgjidhura. Ndërkohë hallet e njerëzve vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura dhe në rrezikun e shtimit. Këto halle po shtojnë moshën e tyre, ndërsa problemet e trashëguara të qytetarëve, bëhen edhe më të thella. Në kushtet e sotme, kur kriza e botës kërcënon edhe ekonomitë tona, diplomacia duhej të dëshmohej disi më e shqetësuar. Dhe duke qenë qytetar i këtij vendi dhe pjesë e parlamentit, mendoj se kjo kambanë alarmi duhet të kishte rënë tashmë edhe për diplomacinë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›