Kasandrat e zhvillimit ekonomik
Janë shtuar kohët e fundit gjuajtësit e problemeve të krizës ekonomike botërore, për të parashikuar ukubetin në Shqipëri. Disa kalandra (parashikuese të së keqes, nga mitologjia greke) kanë përmendur pamjaftueshmërinë e parasë “kesh” (kartëmonedhave ose, ndryshe e quajnë, “krizë likuiditeti”) tek ne. Është më se e vërtetë që bankat e nivelit të dytë (bankat tregtare) kanë rritur përqindjet e interesit për depozitat në lekë. Por kjo jo sepse kanë ngelur në ditë të hallit për kartëmonedha. Është politika dhe interesi i sotëm i tyre për të grumbulluar sa më shumë kapital para në duar. Edhe pse kanë shtrenjtuar pakëz kreditë, vijon programi i tyre për të zgjeruar kreditë. Kjo është domethënëse dhe praktikisht mungesë e një gjendjeje krize për sistemin tonë bankar. Pse, nëse ai do të ishte në krizë, nuk do të shihej edhe një kredi e vetme e dhënë nga bankat. Po ndodh e kundërta. Megjithatë, bankat po tregohen më të vëmendshme se kujt ia japin paratë dhe kjo është e kuptueshme. Mirëpo nga kujdesi kufizim minimal me kreditë tek mungesa dhe kriza e likuiditetit në tregun bankar shqiptar është në mes një det i tërë. Dhe kush do t’ua thajë paratë kesh shqiptarëve? Është më se e vërtetë që dërgesat e emigrantëve janë pakësuar dhe le të themi se 150-200 milionë euro do t’i mungojnë vendit si prurje emigrantësh për këtë vit. Mirëpo këto para do të kompensohen në radhë të parë nga paratë që do të fusin investimet e huaja. Jo vetëm miliardat e kontraktuara të energjisë. Një kompani nga Katari ka një projekt 1 miliard dollarë në gjirin e Lalsit për turizmin shqiptar. Një port jahtesh (marina) mendohet të ndërtohet në Gosë të Kavajës dhe ky investim shkon me dhjetëra milionë euro. Nuk janë thjesht premtime investuesish. Janë projekte të përfunduara në letër dhe që shpejt do të kthehen në ndërtime që do t’i shohin të gjithë, duke filluar që nga ky vit. Sikur të mos mjaftojnë paratë nga investimet e huaja, mendohet që të paktën bujqësia me prodhimet e saj të hedhë në treg për këtë vit rreth 250 milionë euro prodhim të shitshëm. Në formën e 25 mijë tonëve më shumë ullinj, 2 mijë toneve më shumë vaj ulliri, me mijëra tonë më shumë domate, kastravecë si dhe fruta prodhime vendi. Këto jo thjesht në emër të rritjes së konsumit të familjeve shqiptare, por para së gjithash, në 70 për qind të këtij shtimi shitjesh në emër të zëvendësimit të produkteve të importuara me ato “Made in Albania”. Dhe këto qindra milionë euro në radhë të parë do të jenë para në duar të bujqve shqiptarë që mund të vendosin t’i hedhin sërish në shtim prodhimi apo kapitali apo në shtim depozitash nëpër banka për familjet e tyre. Nga ana tjetër, ka rreth dy muaj që po ngrihen shqetësime në shumë gazeta e media elektronike lidhur me shëndetin e lekut dhe se sa do t’i rezistojë ai krizës financiare. Këto i trazojnë qytetarët e thjeshtë, duke u rritur stresin. Mirëpo, kur i pyet për lekun, kambistët e rrugës apo të zyrave të këmbimit të valutës të përgjigjen menjëherë: “Pse, ç’ka leku?!” Në tërësi ai tregohet i qëndrueshëm dhe në këto dy muaj ka humbur me euron një pikë përqindjeje (pra, asgjë). Ka qenë i këmbyer me një mijë e dyqind e njëzet e tre lekë të vjetra. Tani këmbehet me një mijë e dyqind e njëzet e tetë lekë. E ku është ky zhvlerësim i lekut që e përmendin me kaq zell kasandrat tona? Sa për dollarin, ai luhatet vërtik në të gjitha bursat e botës, jo vetëm në tregun shqiptar. Një muaj e gjysmë më parë ishte nëntëqind e tetëdhjetë lekë të vjetra një dollar. Pastaj zbriti tetëqind e shtatëdhjetë, për t’u ngritur prapë këto ditë në nëntëqind e dyzet lekë të vjetra. Por ky nuk është faji i monedhës sonë, as i tregut apo ekonomisë shqiptare. Me pak fjalë, kush bërtet se nuk ka lekë apo para të tjera në Shqipëri, le të shkojë në sportelet e Bankës së Shqipërisë një herë në dy javë kur kryhet ankandi i bonove të thesarit. Numri i individëve qytetarë që depozitojnë kursimet e tyre në lekë është gati dyfishuar. Një ekonomi nuk ka para kur nuk investon, kur tërhiqen investitorët strategjikë. Mirëpo ky vit është pikërisht viti i rrugës Durrës - Morinë, i qindra milionë eurove që do të hidhen për të mbaruar kjo autostradë zhvillimi. Është viti i fillimit të projekteve miliarda eurosh të energjisë apo të turizmit. Prandaj nuk është as e drejtë, madje as edhe e logjikës së thjeshtë të flitet për mungesë parash në Shqipëri. Kasandrat bëjnë mirë të gjejnë zanat tjetër këtu tek ne.
Fatos Çoçoli