Hija dhe të pudrosurit
Në bisht të aeroplanit fle kalaveshi i Shumadisë dhe mbush kancelaritë e botës me libra e tekste propagandistike kundër Kosovës e çështjes shqiptare, ndërsa të pudrosurit tanë bëjnë sehir me nga një çantë, rreshtohen para kancelarive, të krekosur e të pudrosur se kur do t’u hapen portat e hekurta dhe çfarë t’u ofrojnë në mbrojtjen e çështjes sonë kur u mungon edhe një doracak propagandues rreth çështjes sonë.
Por, të parit të Serbisë i hapën dhe dyert evropiane. Me fanfare pritet, i cili në vitet e përgjakshme mund të ketë vrarë edhe ndonjë shqiptar ose boshnjak e të shohë sa larg e qet plumbin kallashnikovi. U dëgjuan me atë rast dhe fjalët: “Admirimin e Evropës për heroizmin e trimërinë e popullit serb” (Krye. Nicole Fontaine). E çfarë “trimërie” paska treguar ky fis sllav, e dinë më mirë kroatët, boshnjakët e shqiptarët. Paska të tillë që edhe krimin e shpallkan trimëri!
Me këso sjellje nuk mund të zbutet një fis, që art e ka krimin. Po ashtu, nuk mendoj se serbët nuk bën të afrohen në familjen evropiane, por e kaluara e tyre nuk bën të harrohet aq shpejt. Euforia e ca vendeve të bashkësisë ndërkombëtare, në krye me Rusinë e Greqinë, nxjerrin margjinave popujt e dëmtuar nga paranoja serbe. Nëse thuhen gjëra të tilla në një parlament, kur disa herë është ndëshkuar, atëherë kemi punë me një hipokrizi. Nuk më çudit nëse një ditë lexojmë apo dëgjojmë se në Kosovë kurrë nuk ka pasur luftë, as nuk është e vërtetë se ka pasur varreza masive ndonjëherë, kjo është pjellë e fantastëve. Mahnitja e Evropës pas “triumfit” të ashtuquajtur demokratik serb ndodh t’i lirojë nga ndjekjet edhe kriminelët e formatit të Sllobodan Milosheviçit. Pse veprohet kështu, është mjaft e qartë. Mendojnë ca se këtë e bëjnë për të ulur tensionin në Ballkan, mirëpo harrojnë se mund të luhatet me drejtpeshimin evropian. I admiruari i evropianëve asnjë kërkesë nuk e mori parasysh. Është ky njëfarë sinjali se serbët edhe në të ardhmen do t’i shohim në rolin e komançerosëve në Ballkan.
Nëse tërheqim paralele mes nesh dhe hyrjes së kalaveshit në Parlamentin Evropian, është katastrofike. Ca vende për çështjen shqiptare mbështeten ende në propagandën serbo-greke. Mund të ilustrohet kjo edhe me nxjerrjen tonë nga forumet e ndryshme ndërkombëtare, ku bisedohet për fatin e Kosovës. Ndodh e njëjta gjë si në shekullin XIX kur shqiptarët nuk mund t’i mbronin trojet e tyre. Por, shtrohet pyetja: Nëse shqiptarët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ato forume dhe të dëgjohen, atëherë kush duhet t’i marrë në mbrojtje? Apo mendohet se ne gjendemi ende në mesjetë dhe me fatin tonë mund të luajnë si të duan të tjerët. Nëse vazhdohet të na shikojnë në këtë mënyrë, nuk bën të bëjmë sehir e të mashtrohemi se me politikën tonë nuk ka. Të bërit politikë me vetveten është turpërues në kohën kur duhet të dëgjohemi më shumë aty ku na prehet fati. ǒna duhen bajraqet e çatitë? Të padukshmit filluan të qesin Kosovën në bixhoz. Habit pasiviteti kombëtar në të dy anët e Murit, thuajse Kosova është çështje afrikane. Derdhim energjinë brenda vetes dhe harrojmë gjërat vitale, që na cilësojnë si kulturë e komb.
Me sintagmën Shqipëri e Madhe prapë luhet. Na nxjerrin si kartuç të kuq. E bëjnë këtë të fshehin apetitet e të tjerëve dhe të arsyetohet Serbia e Madhe, se kjo është diç tjetër. Nuk duan ta pranojë pavarësinë tonë. Por, ç’kemi ne të përbashkët me sllavët? Nga sirtarët e kancelarive nxirren elaborate të llojllojshme. Alarmohet opinioni ndërkombëtar se pavarësia e Kosovës destabilizon Ballkanin; se u formuaka Shqipëria e Madhe(!). Por, këto janë përralla për fëmijë. Etnia e një populli krijon paqen në rajon. Rreth ndriçimit të kësaj çështjeje diplomacia shqiptare u tregua e paaftë; nuk mund të krijojë aleatë seriozë për çështjen shqiptare, as nuk u dëgjua; mbeti inferiore, të mos themi servile, e dëgjueshme. Në momentin vendimtar mungon. Mendojmë se të falim edhe xhelatin bëjmë politikë të madhe. Po me sjellje të tilla dëmtojmë para se gjithash vetë Shqipërinë. Nuk çohet dorë nga e drejta për të ekzistuar si kulturë e komb.
Bijtë e luftës e të dekës treguan guxim njerëzor e kombëtar, dhanë ç’mundën. Të urtit e njerëzit e penës nuk di si do ta mbrojnë jehonën e veprës së tyre. Mu për këtë frikësohem se të ardhmes nuk i shihen konturet ende.
Loja me ne mund të përfundojë aty ku ishim: pikë e pesë.