E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas dorëheqjes, Shtylla komandohet prokuror i thjeshtë në Elbasan



Vetëm disa ditë pas paraqitjes së dorëheqjes dhe pranimit të saj nga Prokuroja e Përgjithshme, Zamir Shtylla, delegohet si prokuror i thjeshtë në Elbasan. Ish-kryehetuesi i dosjes “Gërdeci” dhe ish-drejtori i Kontrollit dhe Ndjekjes Penale për 16 vjet rresht ulet në detyrë si prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. Në vend të Shtyllës, Kryeprokurorja Rama ka emëruar Sokol Stojanin, një ndër prokurorët e parë që u mor me tragjedinë e Gërdecit dhe që vazhdoi ta ndjekë këtë çështje në grupin e prokurorëve duke kaluar prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Kreu i hetimeve, Stojani, është prezantuar dhe zyrtarisht nga shefja e madhe e organit qendror të akuzës, ndërkohë që i është dhënë një porosi atij dhe kolegëve të grupit hetimor: “Përshpejtoni hetimet për Gërdecin!”. Ish-prokurori i çështjes “Hajdari” do të marrë edhe funksionin e drejtorit të Kontrollit të Ndjekjes Penale, post që deri para dorëheqjes së Shtyllës mbahej nga ky i fundit. Njohja zyrtare e këtyre detyrave u bë gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura, që numri një i institucionit më të lartë të akuzës bëri me prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, mes të cilëve nuk munguan as prokurorët e dosjes së Gërdecit. Pikërisht në këtë mbledhje, znj. Rama dha detyrat edhe për prokurorët e kësaj çështjeje të rëndësishme, duke u kujtuar që hetimet duhet të përfundojnë shpejt. Edhe dy muaj na ndajnë nga 1-vjetori i tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, pa llogaritur dëmet e shumta materiale të familjeve të prekura nga kjo tragjedi. Organi i akuzës u ka komunikuar të pandehurve të kësaj çështjeje zgjatje të afateve të hetimit edhe për një 3-mujor tjetër, i cili përfundon në mars të këtij viti, kur pritet që dosja të dorëzohet për gjykim në Gjykatën e Lartë. Të pandehurit e arrestuar Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli e Ylli Pinari akuzohen për “vrasje masive” dhe rrezikojnë deri në “burgim të përjetshëm”. Ata akuzohen si përgjegjës të tragjedisë dhe janë njohur me akuzat e rënda disa muaj më parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›