"Faleminderit që nuk njohët separatistët në Kosovë"

Beogradi si duket nuk po heq dorë nga bisedimet për statusin e Kosovës, megjithë paralajmërimet e e qarta të komunitetit ndërkombëtar se në dialogun e ardhshëm mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të ketë më biseda për statusin.
Shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq ka deklaruar se Serbia as në mënyrë implicite, as eksplicite nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe mbetet pranë qëndrimit se një zgjidhje e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes dialogut, dhe me pajtimin e të gjitha palëve relevante.
"Dialogu së shpejti do të fillojë. Ne synojmë që të jemi të hapur dhe të sinqertë sa i përket asaj që sunojmë dhe për çfarë mund të japim pëlqimin. Do të shtrojmë propozime kreative dhe pandërprerë do të punojmë në arritjen e një zgjidhjeje gjithpërfshirëse për të gjitha palët", ka thënë Jeremiq në kryeqytetin e Etiopisë Adis Abeba, ku po ka folur në samitin e Këshillit Ekzekutiv të Bashkimit Afrikan. Jeremiq me këtë rast ka falenderuar, siç ka thënë, 80 për qind të vendeve afrikane që "nuk i kanë njohur separatistët në Kosovë", dhe ka kërkuar që mbështesin hetimet për krimet dhe trafikimin me organe më Kosovë.
Ditë më parë Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që "pa vonesë" të fillojë dialogun me Kosovën, duke i bërë të qartë se nuk duhet të përmenden "negociatat e reja për statusin" e Kosovës.
Në rezolutën e miratuar për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Serbinë, ligjvënësit evropianë kërkojnë nga Serbiaë që të hyjë në dialog me Kosovën pa përmendur "negociatat e reja për statusin e saj". /qik/