Kërkojnë të drejtat në bazë të konventave ndërkombëtare
Në kuadër të projektit “Mjetet për arritjen e mundësive të barabarta dhe pengimin e diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara”, realizuar nga Hendikep Kosova dhe mbështetur financiarisht nga Komisioni Evropian, në Mitrovicë u mbajt një tryezë, ku është diskutuar për gjendjen e personave me nevoja të veçanta dhe të drejtat e tyre në bazë të konventave ndërkombëtare.
Burim Tahiri, drejtues i Shoqatës së të shurdhërve në këtë komunë, ka thënë se ai ndihet i diskriminuar në familje, pasi që anëtarët e familjes nuk e njohin gjuhën e shenjave dhe ai çdoherë rri i tërhequr, ndërkohë që e konsideron fyese emërtimin e tyre nëpër institucione dhe media si shurdhmemec.
“Memec do të thotë të kesh gojën e mbyllur, ndërkaq ne nuk e kemi gojën e mbyllur, hamë, pimë, flasim me gjuhën e shenjave, prandaj ky emërtim nuk është i drejtë”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, personat e kësaj kategorie janë të diskriminuar çdoherë dhe çdo kund, pasi që kanë vetëm një interpret që punon në shoqatë me orar jo të plotë dhe nëse atyre u duhet të shkojnë për punë personale në Komunë apo në ndonjë institucion tjetër, atëherë ata nuk kanë si të merren vesh.
Ai shprehet se të shurdhët ndihen të diskriminuar edhe nga mediat, ngase në televizionet publike u interpretohen vetëm disa lajme dhe asnjë emision tjetër.
Ndërkaq, Burim Ibishi, nga shoqata e të shurdhërve, tregon rastin konkret kur ka pësuar në një aksident në trafik, dhe kot ka folur personi tjetër me veturën e të cilit është ndeshur, sepse ai nuk e ka kuptuar atë, e as policinë e cila ka arritur në vend të ngjarjes.
Ai ka thënë se në lidhje me rastin në fjalë është dërguar edhe në gjykatë, dhe të tjerët i kanë treguar se e kanë dënuar në lidhje me rastin duke konsideruar se ka qenë fajtor, por pasi e kanë kuptuar se është i shurdhër e kanë liruar nga dënimi.
Sipas tij, është diskriminim ndaj tyre mos sigurimi i interpretit, derisa për komunitetet tjera, si policia ashtu edhe gjykata siguron përkthyes.
Në anën tjetër, personat me aftësi të kufizuara fizike, thonë se ndaj tyre ka paragjykime, sidomos në çështjen e punësimit, edhe pse në mesin e tyre ka persona të shkolluar dhe mund të kryejnë punë të ndryshme.
Sipas organizatorëve të tryezës, në ligj duhet të përfshihet si obligim i institucioneve, jo vetëm të trajtohen barabartë personat me nevoja të veçanta, por edhe të punohet në krijimin e kushteve të tyre, duke filluar nga qasja fizike në institucione. (Kosovapress)