KFOR-i ndihmon me banka një shkollë në Deçan
KFOR-i italian përmes Zyrës për Bashkëpunim Civil Ushtarak (CIMIC), ka dhuruar të enjten një kontingjent me banka dhe ulëse në vlerë prej mbi 5 mijë euro për nxënësit e shkollës fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan të Deçanit.
Bëhet e ditur se kjo ndihmë e KFOR-it ka ardhur pas realizimit të dy projekteve paraprake për këtë institucion shkollor, përkatësisht ndërtimin e fushës sportive dhe të furnizimit me mjete didaktike.
Në praninë e nxënësve dhe arsimtarëve të kësaj shkolle dhe të zyrtarëve komunal të Arsimit, shef i CIMIC-it, nënkoloneli Michele Di Marco ka thënë se pos misionit paqeruajtës, KFOR-it italian në zonën e tij të përgjegjësisë po realizon projekte të shumta në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe të mirëqenës së qytetarëve pa dallim.
Ndërkaq pos mirënjohjeve të ndara për CIMIC-in dhe LMT-në, zyrtari komunal i Arsimit, Adem Lushaj zv.drejtori i shkollës, Xhevat Bozhdaraj, janë shprehur mirënjohës për të gjitha projektet e realizuara nga KFOR-i italian në fushën e arsimit.