Klitschko në politikë

Në Ukrainë vazhdon lufta e papajtueshme mes forcave të kampit pro-rus rreth presidentit, Viktor Janukoviq dhe forcave të kampit të portokalltë, në krah të ish-presidentit Viktor Jushçenko dhe konkurrentes së tij Julia Timoshenko.
Shumë ukrainasve iu ka ardhur në majë të hundës kjo ndasi. Tashmë një forcë e re politike do të përfitojë nga situata aktuale. Kreu më i rëndësishëm i saj vizitoi të martën Berlinin.
Kamerat e fotografët e rrethuan atë sikur të bëhej fjalë për ndonjë politikan me skandale apo për ndonjë burrë të madh shteti. Vitali Klitçko i njohur si kampion bote në boks ka themeluar partinë e tij: Aleanca Demokratike Ukrainase për Reforma, shkurt UDAR, që në rusisht dhe gjuhën ukrainase do të thotë "goditja".
Klitçko, që së bashku me vëllanë e tij bëri karrierë në Gjermani si boksier profesionist në peshën e rëndë, është angazhuar për herë të parë politikisht gjatë revolucionit të portokalltë në Ukrainë.
Asokohe opozitarët demonstruan me javë të tëra kundër manipulimeve të zgjedhjeve të kampit pro-rus dhe arritën të inicionin zgjedhje të reja.