Falen borxhet e biznesit dhe taksat e automjeteve
Ka nisur dje zbatimi i ligjit të ri “Për amnistinë fiskale”. Ligji i ri parashikon faljen e borxheve për disa kategori biznesesh. Sipas kreut të administratës doganore, Përparim Dervishi, amnistia fiskale, ose borxhi i biznesit kundrejt administratës doganore, në total arrin në 5 miliardë lekë, ndërsa bizneset janë të detyruara të paguajnë principalin që arrin në vlerën e 2.5 miliardë lekëve. “Borxhi i akumuluar llogaritet që nga viti 1992, bëri të ditur Dervishi, ndërsa theksoi se llogaritet si borxh i humbur, ose i thënë ndryshe ‘i shuar’, për arsye të ndryshme, vlera prej 1.7 miliardë lekë”. Gjithashtu në ligj është përcaktuar falja e detyrimeve doganore dhe tatimore të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve, asaj të regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, të gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, por me kushtin që të paguhet principali brenda një afati kohor prej 6 muajsh. Konkretisht, kush ka sjellë një makinë në Shqipëri para datës 31 dhjetor 2000 dhe i është shmangur doganës, do të ketë mundësi të qarkullojë lirshëm, pasi i falen detyrimi doganor, gjoba dhe kamatëvonesa. Në grupin e dytë përfshihen ata që kanë shmangur doganën pas 1 janarit 2001. Këta të fundit, në rast se paguajnë vetëm vlerën e doganës së automjetit, do të falen nga detyrimet e gjobës dhe kamatëvonesave. Falen gjithashtu për të dy grupet edhe taksa për ditë qëndrimi që paguajnë makinat me targa të huaja. Gjithashtu amnistia do të prekë të gjithë taksat që një pronar automjeti duhet të paguajë një herë në vit. Qeveria ka vendosur të falë detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të automjeteve. Sipas ligjit të ri, të gjithë biznesmenët apo të vetëpunësuarit që nuk kanë paguar sigurimet për punonjësit e tyre apo për vetë ata, do të përfshihen në amnisti. Në rast se ky grup do të paguajë detyrimin, pra masën e sigurimit për periudhën që i është shmangur dhe gjysmën e kamatëvonesës, atëherë do të falen nga gjobat. Pagesat duhet të bëhen brenda datës 31 dhjetor 2008.
Kush përfiton nga amnistia
Falen të gjithë detyrimet e biznesmenëve që nuk janë njoftuar për detyrimin, gjobën dhe kamatën e vendosur nga tatimet dhe doganat
Falet e gjithë gjoba dhe kamatëvonesa për biznesmenët që janë penalizuar jashtë afateve nga organet tatimore dhe doganore
Falet gjoba dhe gjysma e kamatëvonesës për të gjithë biznesmenët që janë penalizuar nga organet fiskale në mënyrë të rregullt, në rast se paguajnë detyrimin dhe pjesën tjetër të kamatës brenda datës 31.12.2008
Falen detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor dhe të taksës së regjistrimit të përvitshëm të automjeteve
Falen kamatëvonesat e sigurimeve nëse paguhen deri në fund të vitit