E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare në Europë-apeli i ekonomistëve

ADRIAN CIVICI 

Duket se penduli i krizës financiare që filloi dhe shpërtheu frikshëm e gjerësisht në SHBA po anon më shumë dhe në mënyrë akoma më shqetësuese në Europë. Paralelisht me titujt relativisht optimistë të masmediave se “ekonomia amerikane është më solide për ta përballuar me më pak dhimbje krizën”, “se plani Paulson i dha një shpresë stabilizimi tregut financiar amerikan” etj., përditë e më tepër po shtohen shqetësimet se ajo mund të “instalohet” më gjatë dhe më gjerë në Europë. Lëvizjet mjaft intensive të të gjithë drejtuesve politikë e qeveritarë të niveleve më të larta, Bankës Qendrore Europiane dhe bankave të tjera të mëdha, dëshmojnë për temperaturën e lartë mjaft shqetësuese të financave e ekonomisë evropiane, por edhe për shkallën maksimale të impenjimit politik, qeveritar e institucional të të gjitha institucioneve përgjegjëse për ta përballuar me kosto sa më të vogël këtë krizë. A është e mundur një gjë e tillë? ...Cila është rruga më e mirë? Është vërtet kaq alarmante dhe pa shpresë gjendja apo rrugëzgjidhjet pozitive janë të mundshme? A po veprohet në sensin e duhur për ta shmangur situatën më të keqe?
Këtyre pyetjeve tentojnë t’i japin një përgjigje sa më profesionale një grup nga profesorët dhe ekonomistët më të shquar evropianë të tillë si Alberto Alisina (Havard), Willem Buiter (London Scools of Economics), Tito Boeri dhe Francesco Giavazzi (Universiteti Bocconi, Milano), Klaus F. Zimmermann (Universiteti i Bonn-it), Charles Wyplosz (Universiteti i Gjenevës), Richard E. Baldwin (Instituti i Studimeve të Zhvillimit, Zvicër), Daniel Gros (CEPS, Bruksel) etj. Propozimet dhe analizat e tyre i kanë firmosur tashmë mbi 250 ekonomistë nga e gjithë Europa. Si e shikojnë ata këtë krizë, për çfarë shqetësohen dhe çfarë rekomandojnë? Natyrisht që fokusi i tyre është Europa, kryesisht vende si Anglia, Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Irlanda, Belgjika dhe Holanda etj., por në vlerësimet dhe analizat e tyre, për aspekte të veçanta nuk përjashtohen edhe 10 vendet e anëtarësuar së fundi të bllokut të Evropës Qendrore e Lindore, vendet e Ballkanit Perëndimor apo dhe atyre të Mesdheut, që si të thuash “janë në të njëjtën varkë me BE-në”. Në këtë këndvështrim, është me shumë interes edhe për Shqipërinë për të patur disa sy e veshë më shumë dhe për t’u bërë pjesë integrale e përpjekjeve dhe politikave evropiane për ta identifikuar më mirë si shkallën e rrezikut ashtu dhe masat emergjente apo energjike që duhen marrë.
Sipas tyre, “Europa ndodhet në mes të një krize që nuk e ka njohur asnjëherë që nga krijimi i saj”. Shumë evropianë e kujtojnë akoma situatën e vështirë dhe të errët të viteve ‘30-të të shek. XX-të, kur si pasojë e krizës së tmerrshme amerikane, tregjet e tyre financiare pothuajse pushuan së funksionari. “Nuk është e ekzagjeruar të thuhet se një situatë e tillë mund të përsëritet nëse qeveritë dhe institucionet evropiane nuk do veprojnë shpejt dhe efektivisht”, shprehen ekonomistët në apelin e tyre. Por ata e bëjnë qartë dallimin kur nënvizojnë se “ne nuk gjykojmë se një situatë e tillë mund të përsëritet, por që është shumë esenciale që të gjithë ta dinë se ajo potencialisht fluturon mbi kokat tona”. Ndërmjet institucioneve financiare ka një humbje kolosale besimi dhe e gjithë kjo mund të prodhojë një fenomen akoma më të rrezikshëm se humbja e besimit, mund të prodhojë dhe përhapë panik. Duhet urgjentisht që të “qetësohet furtuna e tregjeve financiare përpara se ajo të shkaktojë plagë të rënda në ekonominë reale”. Kursimet e disa qindra milionë evropianëve po ndjehen të kërcënuara qoftë dhe indirekt. Nëse kriza do të arrijë të prodhojë një paralizim të tregut të kreditit, atëherë shumë vende të Evropës do të kërcënoheshin nga falimentime biznesesh, rritje të nivelit të papunësisë dhe me shumë probabilitet, edhe me rritje çmimesh. Dobësimi i mëtejshëm i ekonomisë mund ta agravojë akoma më tepër krizën financiare duke e futur gjithçka në një rreth vicioz: uljen e çmimit të aktiveve, kapacitet më i reduktuar për të shlyer kreditë e marra, zvogëlim i kapacitetit të bankave për të dhënë kredi të reja.
Thelbi i apelit të ekonomistëve qëndron në faktin se “veprimet e ndërmarra nga qeveria dhe politika amerikane shkojnë në sensin e duhur, megjithëse të vetme nuk janë të mjaftueshme..... edhe Evropa duhet të angazhohet më shumë dhe të veprojë shpejt”. Autoritetet amerikane e kuptuan shpejt dhe në mënyrë tërësore fenomenin: “Nuk mjafton të shpëtosh një bankë apo bankat në vështirësi një nga një... përballë një krize sistemike duhet një përgjigje sistemike... pra duhet ndërhyrë për të shpëtuar gjithë sistemin dhe mundësisht me një goditje të vetme”. Profesorët e shquar të ekonomisë tërheqin vëmendjen se “në Evropë, të përpiqesh t’i shpëtosh bankat një nga një dhe individualisht nga çdo vend anëtar, do të thotë të mos mendosh se çfarë ndodh në vendin fqinj”, ndërkohë që tregjet financiare i kanë fshirë me kohë kufijtë nacionalë. Deri tani, reagimet evropiane vlerësohen se kanë qenë më tepër “marrëveshje dhe zgjidhje të minutës së fundit... zgjidhje që me shumë vështirësi kanë prodhuar aleanca apo grupe shtetesh e qeverish që veprojnë së bashku”. Por në apelin e ekonomistëve insistohet se “çdo ndërhyrje thjesht nacionale, çdo ndërhyrje e koordinuar në një numër të vogël vendesh mund të ketë pasoja të paparashikueshme për vendet e tjera evropiane”. Është më se imperative që autoritetet nacionale evropiane të koordinohen sa më shpejt “për të gjetur dhe dhënë një përgjigje unike në shkallë evropiane” konkludojnë në apelin e tyre grupi i ekonomistëve. Duhet vepruar menjëherë deri sa situata duket akoma e administrueshme. Evenimentet e javës së kaluar në SHBA treguan se krizat financiare evoluojnë në mënyrë të vrullshme dhe të paparashikuar. Një eveniment i papritur mund të shndërrohet në një kaskadë falimentimesh e paniku shumë të vështirë për tu menaxhuar më vonë.
Po çfarë duhet bërë sipas mendimit të këtyre ekonomistëve të shquar? Zgjidhja mund të përmblidhet në disa përgjigje të njëkohshme. Në SHBA veprimi më urgjent është restaurimi i likuiditetit të tregjeve monetare dhe kreditit... është krijimi i kushteve për fillimin e veprimit të titujve të pronësisë të hipotekave cilësore si dhe të disa aktiveve të tjerë jo likuide, por gjithsesi homogjene dhe transparente. Ndërsa në Evropë, çelësi i problemit qëndron te sasia e borxhit që kanë bankat e mëdha që operojnë në tregjet ndërkombëtare. Kontributi kryesor i BE-së duhet të përqendrohet tek rikapitalizimi i sektorit bankar nëpërmjet injektimit të kapitaleve publike ose transformimin e detyrueshëm të borxhit në kapital. E gjithë kjo rekomandohet të bëhet në nivel evropian. “Sjellja aktuale që konsiston në sigurimin e institucioneve njëri pas tjetrit dhe duke u bazuar në fondet nacionale rrezikon të shkaktojë një ballkanizim të bankave evropiane”. Përsa i përket evitimit të krizave të ngjashme në të ardhmen, ekonomistët kërkojnë “krijimin e rregullave dhe institucioneve të reja evropiane për supervizimin e tregjeve financiare në nivel evropian”. Kjo etapë “u harrua” në momentin e krijimit dhe fillimit të funksionimit të zonës euro, por ekspertët kërkojnë tashmë me insistim “që qeveritë evropiane të angazhohen menjëherë në një politikë të tillë”. Problemi nuk është se “evropianët nuk e dinë se si ndalohet një krizë financiare... por çështja është te vullneti dhe uniteti politik për ta realizuar këtë tani kur është e nevojshme më shumë se kurrë”. Shembulli i SHBA qëndron përballë: një vendim unanim brenda pak ditësh dhe rezultatet pozitive duket se do të vijnë. Dhe kjo sepse “akoma politikanët evropianë duken të ndarë përballë mundësisë së aplikimit të një plani bankar paneuropian”. Sipas Elie Cohen, “e hëna e zezë” që përjetuan bursat është pasojë e konstatimit se evropianët e mbledhur në një takim të improvizuar nga Presidenti francez Sarkozy, nuk qenë në gjendje të bien dakord për asgjë se si mund të shpëtohen institucionet financiare evropiane”. Evropa ka nevojë urgjent për një “plan Paulson prej 700 miliardë dollarësh” që të jetë e sigurt se po ia mbyll rrugën agravimit të krizës, konkludon ekonomisti Michel Aglieta i Universitetit të Parisit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›